Serbia do sqarime nga Nigeria për “trafikim organesh të serbëve të Kosovës”

Saimir Lleshi

Ka ditë që mediet serbe kanë ringritur ose po përpiqen të ringrisin edhe një “Dick Marty” në Kosovë.

Kështu, medie të Beogradit, vizuale, audio, online e të shkruara, në kor dhe me akuza të njëjta po shkruajnë, se si, gjoja, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi paska bashkëpunuar me zyrtarë e punëtorë shëndetësorë nga Nigeria për trafikim organesh të serbëve të rrëmbyer në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

Këto medie, për gjoja implikimin e Thaçit në këtë trafikim përmenden edhe politikanin e miliarderin Rochass Okorocha , të cilin trafikim, gjoja e ka zbuluar doktori nigerian Philip Ngamandzemin, transmeton Koha.net.

Sot, portali serb B92, ka njoftuar se Prokuroria serbe për krime lufte i ka dërguar Nigerisë kërkesë që të zhvillojë një bisedë me doktorin Philip Ngamandzemi lidhur me ato për të cilat ai e akuzon Thaçin dhe bashkëkombëtarin e vet Okorocha.

Për këtë “trafikim” ka folur edhe lideri i “Listës Serbe”, Slavko Simiq.

Ai ka thënë se akuzat e mjekut nigerian kundër Hashim Thaçit nuk janë të reja në Kosovë.

“Ajo që Asociacioni i mjekëve nigerianë ka nxjerrë opinion nuk është e panjohur. Për fat të keq, rrethanat që na janë imponuar nuk na kanë ofruar shumë mundësi që të zgjedhim, ne po flasim e po bashkëpunojmë me përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur në mënyrë legjitime”, ka thënë ai.

Në muajin mars të vitit 2012, guvernatori i shtetit Imo të Republikës Federale të Nigerisë, Owelle Anayo Rochas Okorocha kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku ishte pritur në Qeverinë e Kosovës nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së atëhershme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrja e atëhershme Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i atëhershëm, Ibrahim Gashi.

Atëbotë ishte thënë se Nigeria kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Nota verbale e Nigerisë për njohjen e Kosovës ende nuk ka arritur në Prishtinë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *