Serbia merr gjysëm fshehtas në dorëzim sistemin e sofistikuar kundërajror kinez, pavarësisht paralajmërimeve amerikane

redaktor

 

Një sistem i sofistikuar kundërajror kinez i është dorëzuar Serbisë këtë fundjavë.

Gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit të shtunën, ndërsa në bord raportohet se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Lajmin e bën të ditur AP, sipas të cilës, dorëzimi është kryer në mënyrë gjysëm të fshehtë dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk u përgjigj kur iu kërkua koment.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Perëndimi e ka shprehur hapur shqetësimin se grumbullimi i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin për blerjen e sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ruse S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër se S-300 më të avancuara. Serbia do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë.

Një aspirante për pranimin në BE, Serbia i ka pajisur forcat e saj të armatosura me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke luftarake dhe pajisje të tjera.

Në vitin 2020, iu dorëzua dronët Chengdu Pterodactyl-1, të njohur në Kinë si Wing Loong. Dronët luftarakë arrijnë të godasin objektivat me bomba dhe raketa dhe mund të përdoren për detyra zbulimi.

Share This Article
1 Comment
  • Kerkoni falje ju Serbovicet qe keni bere krime ne histori prej mbi nje shekull dhe kjo jo qe keni bere ju ne eshte pak te quhet histori kriminale por hapur keni bere krime dhe falja eshte pak por duhet denim me vendim gjyqesore nderkombetare dhe per pasojat qe i keni shkaketuat popullit shqipetare te Kosove duhet dhe demshperblim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *