Qeveria e Serbisë ka vendosur unanimisht të mos nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Përgjigja zyrtare thote se qeveria serbe nuk mund të pranojë zgjidhjet e propozuara pasi ato nuk garantojnë sigurinë dhe të drejtat e njeriut të serbëve të Kosovës e për këtë Kryeministri Ivica Daçiç është autorizuar të informojë zyrtarët e BE-së.
Qeveria serbe ka vendosur unanimisht që të kërkojë rinisjen e dialogut me Prishtinën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja sipas Beogradit zyrtar nuk do të çojë në një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme. Qeveria ka konfirmuar gjithashtu angazhimin me mjete paqësore përmes dialogut të lejojë arritjen e një zgjidhjeje të përhershme që do të jetë një bazë e shëndoshë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Për “Rezolutën mbi nevojën për të vazhduar dialogun me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë nën ndërmjetësimin e BE” votojnë të gjithë anëtarët e pranishëm të qeverisë, bëhej e ditur në një komunikatë për shtyp nga qeveria në Beograd ku Qeveria autorizonte Kryeministrin për të informuar në lidhje me këtë vendim përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e ofruar ka pasuar tetë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton. Çështje e kontestueshme për Beogradin ka mbetur autoriteti që do të ketë asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Beogradi kërkon që ky asociacion të ketë fuqi ekzekutive, veçanërisht në fushën e policisë, drejtësisë dhe planifikimit hapësinor. Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar fuqishëm, duke kërkuar nga Beogradi që të përballet me realitetin e ri të krijuar në Kosovë.