Serembe, atdhetari tragjik…

redaktor

Vijon nga numri i kaluar

 

Po tamam kjo jetë plot vuajtje e krajata të njëpasnjëshme do të mbetet themeli i formimit të tij shpirtëror. Nga një anë përcaktuan natyrën e tij tepër të ndjeshme, nga ana tjetër i mbrujtën dhe i mprehën shpirtin krenar e liridashës. I tillë ai hyri në jetë dhe u njoh në Strigar.

– Ajo që thuhet, – shpjegon Vinçensi, – dhe tërthorazi e pohon edhe poeti në vjershat e tij, se ka shkuar vullnetar në luftën për çlirimin e Venecias, nuk është për t’u çuditur. Një njeri si Zefi, që ziente përbrenda nga dufet e lirisë dhe ndjenja e hakmarrjes kundër tiranëve, ka të ngjarë të ketë vrapuar atje ku e thërriste lufta. Në mendjen e tij rrinte zgjuar atëherë ideja “të ndreq botën” dhe ndonëse ndien se është shumë i butë “lufta i pëlqen aq shumë” dhe thërret “Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon!”.

 

Në dritaret e shtëpisë së poetit

Kur ngjisim shkallët e shtëpisë dhe gjendemi para dritareve dhe ballkonit, rrëfimi i Vinçensit ndërpritet për disa çaste. I soditim këto kënde të dashura të poetit, për të cilat këndon aq hollë në vargjet e tij. Askund në këtë shtëpi se sa prej këndej, ai vështronte i përhumbur pamjet e mrekullueshme që hapen përtej xhamave dhe ballkonit. Poshtë, nën muret e shtëpisë, bie kopshti e pas tij vjen menjëherë përroi. Më tutje zgjatet një luginë e hapen disa hone të vegjël e matanë tyre duket Vakaricio e më përtej Mbusati i Jul Varibobës. Po ajo që të magjeps në çdo kohë është sfondi, dekori natyror që ngrihet mbi peizazhin e afërt: fusha e butë e Sibarit, malet hijerëndë të Polinit dhe ujërat e kaltra të Jonit. Këtu kuptojmë se gjiri i Shkuvarit, që hapet në mes të maleve shkëmbore të Silës dhe atyre të Polinit ishte për poetin një dritare madhështore mbi det, valët e të cilit vinin nga brigjet e Arbërisë. Te kjo dritare ktheheshin shpesh sytë e arbëreshëve të këtyre anëve. Përballë saj me siguri u zgjua dhe u ndez frymëzimi i Serembes.

Rrimë një kohë para dritareve dhe humbasim në mendime. Rrezet e perëndimit vjeshtor luajnë nëpër xhame e bien në mure. Fllade ere vijnë nga deti e hyjnë mes nesh. Vargjet e poetit nisin të na këndojnë përbrenda. Jemi në djepin e këngës së tij. Ndoshta vetëm këtu, para kësaj pamjeje magjepsëse, përballë Jonit që sillte dritën e Arbërisë, mund të zgjoheshin ato tinguj që këndoi harpa e Serembes. Sepse, për ç‘det është fjala, ç‘pamje tjetër mund të kërkosh veç kësaj që këndonte prej këndej poeti? Këtu lindi ajo këngë e pashoqe e poezisë arbëreshe që thotë:

 

Hapet para meje, deti i shkëlqyer

Që zgjon te trut’ e mi mendime shumë

E llahtara mendjen time shqyen,

Aq sa vetëm pushoj kur bie në gjumë.

 

Arbëria që pas detit na kujton,

Se na të huaj jemi te ky dhe,

sa vjet shkuan! E zemra nuk harron,

se për turkun qëndruam pa Mëmëdhe.

 

Imagjinata jonë në këto çaste evokon mendimet e poetit për fatin e rëndë “të zonjës Arbëri”, bindjen e tij se “Shëmbëlltyra e Teftës nuk humbet” dhe se ai ndihet luftëtar që ka “për nuse flamurin”. Asnjë poet arbëresh nuk i është drejtuar Shqipërisë së kohës së tij si Serembja. Arbëria e kohës së Skënderbeut e bënte të ishte krenar, por shqetësimi, dhimbja e tij më e madhe për të, ishte gjendja e atëhershme e atdheut. Këtë gjendje ai e vuante thellë dhe për vite me radhë këtu në Strigar do t’ia kujtonte deti çdo ditë nga dritaret e shtëpisë.

Dhe pikërisht nga këto dritare, pranë të cilave ne rrimë, mund të zbulosh edhe atë botëzë që rrethonte poetin. Kufijtë dhe copëzat e kësaj botëze të pranishme nëpër vargjet e tij, i kemi tani para syve. Ai e thotë këtë, se sa e sa herë qëndronte i vetëm këtu dhe sodiste krejt i përhumbur:

Brenda nga dritarja vrej,

Një pamje shumë të madhe

 

Vëren detin e gjerë, të veshur me dritën e bardhë të hënës apo që llamburit nga shkëlqimi i dritës, vëren katundin e qetë, të zhytur në gjumë apo të përfshirë nga tufani, rrok panoramën e Strigarit dhe e skalit në vargje:

Po vërej si agimi nga deti ngjitet,

Dëgjoj si era mbushet me freski,

shoh si dheu me dritë krejt stoliset

E si dielli shtie zjarr e bukuri.

 

Më pranë nga të gjitha ka kopshtin nën ballkon, kopshti i Serembeve, një rrip dheu buzë përroit. Ai është akoma. Ende gjelbërojnë degët e praruara të ullinjve, vargjet verdhoshe të hardhive, kurora e gjerë e fiqve.

Duken lulet e fundit të vjeshtës. Aty poshtë dilte poeti në çastet e meditimit e të frymëzimit.

Zbres në kopsht dhe unë i shkreti të pushoj,

I shtritur n’ato lule e n’atë bar,

Shpejt ata vjet si në vegim kujtoj,

Kur e kalova jetën plot llahtar.

 

Pastaj kujtohemi se në mes këtyre mureve, ku ai qëndronte e prehej, ngjitej nga shtrati i thellë i përroit kënga e qyqëzës dhe e nxiste poetin e shqetësuar ta pyesë për fatin e tij:

Duke bërë “kuku, kuku”

Thuaj sa vjet do të rronj?

 

ZefSerembe-GiuseppeSerembeBota strigariote në poezinë e Serembes nuk mund të merret me mend pa imazhin e përroit të katundit. Tani që e kemi nën këmbët tona dhe e shohim tek zbret nga lart poshtë, anash shtëpisë së poetit, e kuptojmë dhe më mirë. Ai vende-vende nuk bie në sy jo vetëm sepse rrjedh nëpër një shtrat të thellë shkëmbor, por dhe nga që sipër i qëndrojnë degët e drurëve si një tendë e përhershme. Matanë përroit, nga rruga që shkon për në Vakaricio, na tregojnë Kroin e Don Engjullit, të cilin poeti e përmend te vjersha “Kukëza” (Qyqja këndon përtej përroit, rri mbi lisin sipër kroit”).

Shumë kujtime e lidhën Zefin me këtë vendth, që i rrinte përherë përballë shtëpisë. Rridhte atje ujët e kulluar të kroit, po dhe jeta e katundit. Asnjëherë nuk rreshtëte vargu i grave që vinin për të mbushur ujë. Aty vashat e trimat shikonin njëri-tjetrin. Te kroi vinte vasha e poetit që e ngazëllente dhe e trishtonte shpirtin e tij, vinte më e bukura në Strigar, të cilës ai do t’i thërriste:

Te dera jote si bilbil këndoj

……………………………

O faqemollë, o vashë me synë e zi,

O moll i ëmbël, që në degëz rri,

O gozhdëz ari, që më vjen në gji.

 

Sipër kroit kalon udha në Shënkoll dhe Vinçensi na thotë se asaj ane ka lindur “Kënga gazmore”, vjersha më optimiste e Serembes. Kujtojmë së bashku atë ngjarje të gëzuar, kur poetit, një ditë duke shkuar andej i mërzitur, i del përpara një vashë shumë e bukur tek ndjell një rosë. Dhe ai, që deri atë çast e ndjente veten “si një gur në vetmi”, ngjallet menjëherë. Ajo i shfaqet si një “dritëmadhe pranvere”, me buzën si lule mali, me syrin që i ndriçonte si yll, me ballë që i kujtonte qiellin në verë… I tronditur nga e gjithë kjo, thërret plot hare:

“Të falem, bukuri!”

Në katundin tonë, – vazhdon të tregojë Vinçensi, – ngado që të hedhësh sytë, të kujtohet Serembja. Mjafton të shkelësh një vend, të kujtosh një ngjarje, të përmendësh një emër a një shprehje, të zgjohen vjershat e tij. S’besoj të gaboj po të them se çdo gjë e mirë e poetit tonë të madh i ka rrënjët këtu, në bashkësinë arbërore, në këto dhera e gurë, në këto udhë e shtëpi, tek këta njerëz që u lëviz nëpër deje i njëjti gjak si i tij.

Vështrimi ynë kërkon poshtë rrjedhën e ujit të përroit, mes degëve gjysmë të zhveshura dhe gjethishtave të rëna të vjeshtës. Po ndërkaq, vëmë re një grup grash, që lajnë rroba sipër ca gurëve të bardhë. Nga honi përposh vjen kënga e dridhur e një bilbili. Qëndrojmë një copë herë në heshtje të plotë dhe dëgjojmë të shtangur. Dikush papritur pëshpërit vargjet e sonetit “Urimi”, që tingëllojnë si një testament ogurmirë i poetit:

 

Ju lani teshat, vasha, te ky lumë

                Edhe lart plot me gaz , ju ngrihet zani

                Në paqe ju qesh koha e lum,

                Dhe te gëzimi zemrën tuaj lani.

                ……………………………….

                “Ditë të bardhë”, o vasha, ja urimet,

                se unë shkoj atje ku m’shpie tufani

                dhe kthehen te katundi psherëtimat.

 

Zbresim përsëri në rrugë dhe dalim te sheshi. Është qendra e dikurshme e katundit, një nga vendet më të dashura të poetit. Edhe tani si njëherë prapë sheh njerëz të mbledhur. Ka ardhur ora e qetë e mbrëmjes, që kësaj here është mbushur plot zëra. Burra e gra e sidomos pleq e fëmijë kanë dalë të përshëndeten me vëllezërit nga Shqipëria. Shohim sy plot mall e dëshira, dëgjojmë fjalën e tyre të parë:

– Mirëseardhët!

Ata e dinë se kushdo që vjen nga Arbëria, nxiton të nderojë Seremben dhe kur nderon atë, ka nderuar gjithë katundin. Me këtë mendim nisin bisedat. Secili kërkon të thotë e të tregojë diçka për poetin. Dëgjohen pastaj vargje të shkëputura, që ia pasojnë njëri-tjetrit. Sytë dhe fytyra s’ua fshehin dot gazin dhe krenarinë. Dhe, padashur, thua me vete: lum ai poet që ka këtë fat! Kujtesa e këtyre njerëzve është kujtesa e përjetshme e popullit. Asnjë libër, qoftë edhe me germa të arta, nuk i zëvendëson dot. Strigari është libri gjithnjë i hapur i poezisë së Serembes. Këtë e provon kush vjen këtu!

 

Mes bashkëfshatarëve të poetit

Në mes të bashkëfshatarëve të poetit dëgjon të kumbojnë me një tingull të veçantë “Kangjella e mallit të parë” dhe “Kangjella gazmore, “Fytyra ime” apo “Fytyra e saj”, po akoma më shpesh “Rrutullupi” dhe “Kukëza”. Sa bukur i flasin ato zemrës arbëreshe! Po në kësi rastesh, siç ndodhi dhe me ne atë mbrëmje, të kap veshi dhe vargje që s’i ke dëgjuar ndonjëherë. Janë këngët që poeti ua këndoi, si këndon bilbili, bashkëfshatarëve dhe s’i hodhi kurrë në letër. Tani ato janë kthyer në këngë të popullit, e megjithatë pleqtë e dinë se ato i takojnë Serembes.

Në bisedë e sipër dëgjuam dy prej tyre. Njëra thoshte:

Një mëngjes për gjah u nisa,

                Në një malëth arrita,

                Atje u preha, atje u shtriva,

                Një fole thëllëze gjeta,

                Ish vërtetë ajo fole,

                Kish gjashtëdhjetë koqe ve…

 

E dyta thoshte:

Deti u skuq e qielli i çel

                shihni diellin tek po del

                shihni pëllumbin si lëmohet

                shihni pëllumbin si pastrohet,

                Eja, pëllumb se të jap bukë,

                krukë, krukë, krukë, krukë!

               

– Këto dy vjersha i kemi nga Xhuzepe Pozito, – shpjegon një plak strigariot. – Xhuzepja ishte nga Vakarico, 81 vjeç rrojti, qe djali i Kostandin Pozitos, një miku të njohur të Zefit tonë. Ai i dëgjoi nga i ati dhe i mbajti mend. Janë nga ato këngë që poeti i thoshte në çast. Të parën, sapo e bëri, ia tha një marangozi, që po punonte këtu në Strigar në shtëpinë e madhe të Xh. Markezit, kurse tjetrën e thuri në Vakarico, një mëngjes kur priste tok me fshatarë të tjerë karrocën, që do t’i shpinte poshtë në fushë.

– Vargje të çastit ai thurte kohë pas kohe, – u thotë Vinçensi, një nga njohësit më të mirë të Serembes, që ka botuar dhe veprën e tij të plotë kohët e fundit. – I lindin këto në varësi nga situatat që kalonte në raportet me njerëzit. Kështu flet dhe gojëdhëna që tregohet në katundin tonë. Ai ishte gjithnjë i frymëzuar. Krijonte edhe duke ecur apo në udhëtim e sipër. Prej kësaj ka mbetur gojëdhëna që Zefi nuk qëndronte kurrë në një vend, po lëvizte vazhdimisht, se jeta e tij nuk qe veçse një udhëtim i pandërprerë. Dhe kjo është e vërtetë. Ai jo vetëm shëtiti në këmbë të gjitha këto vise që shikoni rreth e qark, katundet arbëreshe në të dy anët e lumit Krati, po kapërceu kufijtë e provincës së Kozencës, brodhi e shkoi kudo tek kishte arbëreshë, në Bazilikatë e në Molisë, në Katanzaro e deri në jug të Sicilisë, në Palac Adriano, në katundin e Darenjve. Në Koriliano-Kalabro e në Napoli, ai shkonte sa herë t’i tekej, natën dhe ditën, në këmbë apo me mjetet e kohës. Udhëtimet ishin pasioni më i fortë i tij pas poezisë, ndoshta forma e ekzistencës si krijues, që kërkon përherë hapësirë. Pasioni i udhëtimeve në radhë të parë e pastaj arsyet ekonomike dhe motivet sentimentale e çuan deri në Brazil e në Amerikën e Veriut. Dhe dihet nga të gjithë tanimë udhëtimi legjendar, udha që bëri në këmbë nëpër Francë e Itali derisa arriti këtu në katund.

Jemi ulur te gurët e Sheshit. Pleqtë rrëfejnë më shumë pas gojëdhënave, kurse më të rinjtë, dhe këta janë zakonisht intelektualë, u drejtohen të dhënave dokumentare e arkivore. Sipas këtyre të fundit, marrim vesh se Serembeja jetoi dhe punoi në vendlindje afro gjysmë shekulli, po të përjashtojmë kohën e shkurtër që mësoi në Kolegjin e Shën Adrianit dhe udhëtimet nëpër Itali. Këtë kohë ia ndërpreu rruga që bëri në Brazil më 1847, por prej andej u kthye shpejt, pa mbushur mirë vitin. Nga Strigari ai do të largohet më 1895 përfundimisht, për të mos u kthyer më. Pra, jo vetëm fëmijërinë dhe rininë e parë e kaloi këtu, po dhe moshën e pjekurisë. Studime të plota nuk kreu. Kulturën e fitoi vetë dhe la përshtypjen se ishte një intelektual i përgatitur. Drejt kësaj e çuan etja për dituri, zgjuarsia dhe zelli, po dhe nevojat intelektuale. S’mund të merret me mend poezia e tij pa horizontet e diturisë.

Për kohën e Strigarit thonë se shërbeu në administratën bashkiake si nëpunës. Këtu aktet e gjendjes civile, nga fundi i vitit 1869 e deri në prill 1872, janë nënshkruar nga Giuseppe Serembe, inspektor i Bashkisë në San-Kozma. Po vitet e tjera me ç‘punë duhet të jetë marrë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje tani për tani nuk janë në gjendje ta japin në Strigar.

Intelektualët e katundit flasin për jetën e poetit duke pasur parasysh letërkëmbimin e tij, sidomos letrat që i ka dërguar Dh. Kamardës dhe J. De Radës. Prej tyre marrim vesh se ç‘thotë ai për veten, për interesat e shqetësimet që ka. Dëshmohet se është njeri i kohës e mbi të gjitha patriot i atdheut të origjinës. Fati i Shqipërisë është shqetësimi i gjithë shqetësimeve të tij. Mendjen e ka gjithmonë atje dhe gëzohet pa masë sa herë shpërthejnë kryengritje antiosmane. Ai ka shpresë, siç i shkruan Kamardës më 1871, se “kur të fryjë veriu, që do ta zgjojë e do ta shkundë, Shqipëria do ta shohë veten zonjë në ditën e re dhe të lumtur … që tashmë po afrohet …”. Kurse De Radës, në një letër dërguar vite më parë (1864), poeti i mllefosur arrin të thotë se “kombi shqiptar ka qenë komb i tradhtuar nga historia dhe bota”. Kjo tregon qartë se ai në çështjet politike e kombëtare ka qenë kurdoherë realist dhe s’ka ushqyer iluzione të kota.

Nga bisedat që bëhet del se poeti ka qenë në dijeni të gjendjes dhe të problemeve të kulturës shqiptare, të letërsisë e gjuhësisë, të punës së albanologëve të huaj dhe përpiqet të merret dhe vetë me studime filologjike për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Për këtë i lyp ndihmë Kamardës dhe De Radës, u kërkon libra dhe shpjegime të ndryshme. Ai që në rini punon 14 orë në ditë, mëson gjermanisht, frëngjisht e latinisht dhe bën krahasime mes tyre dhe gjuhës shqipe. Veç kësaj, studion dhe ndjek ecurinë e gjuhës amtare, që flitet ne Shqipëri, punon për pastrimin e leksikut të vet dhe interesohet për të siguruar libra shqip. Kështu ai e njofton Kamardën se “shkruaj gjuhën e pastër kombëtare në sajë të studimeve që bëra në dialektet e ndryshme të Shqipërisë”.

Është e vërtetë se ai bënte jetë prej intelektuali, por në të njëjtën kohë kalonte situate të vështira shpirtërore. Vetë thotë se rron i vetmuar dhe i heshtur në këtë Strigar të braktisur, “me mendime që më vrasin dhe me zemrën plot hidhërim” (1871). Kjo gjendje i vjen poetit nga shumë arsye: e vret pozita e vështirë ekonomike, shqetësohet ngaqë nuk e kuptojnë, nuk arrin të gjejë mjedisin e nivelit të tij, tregohet ndaj çdo gjëje tepër i ndjeshëm. Ndoshta janë shenjat e para të sëmundjes, që do ta mundojnë aq shumë në vitet e mëvonshme.

 

Dhe kur bie fjala për sëmundjen e Serembes, hapet biseda e rrugëtimeve të gjata, që ai ndërmori deri matanë Atlantikut. Atje, dhe pasi u kthye prej andej, u bë e qartë se sa i sëmurë ishte. Pleqtë e katundit i vënë faj sëmundjes së veshit, që i solli telashe që për së vogli, në një kohë që i ati ishte kaçak dhe s’i binte dot pas shëndetit të fëmijës. Ndërsa kur u rrit, sëmundjen e tij e dinte gjithë Strigari: ai vuante nga mania e persekutimit, binte shpesh në misticizëm dhe nuk gjente kurrë prehje. Përmenden letrat që i ka dërguar Kamardës më 1875, kur kthehet nga Brazili, ku flet për odisenë e jetës së tij atje. Janë me të vërtetë tronditëse. Ai rrëfen sinqerisht për aventurën braziliane. Ka shkuar në Brazil dhe ka hyrë në oborrin e perandorit Pedro me rekomandimin që ka marrë nga Dora d’Istria. Ç’është e drejta, princesha shqiptare, që e njihte mirë gjendjen e oborrit dhe kish dëgjuar për natyrën e poetit, i merrte me mend pasojat dhe do të nguronte t’ia jepte rekomandimin e, megjithatë, ia dha. Oborri Brazilian ishte i famshëm dhe tërhiqte artistë të shquar edhe nga Evropa. Cvajgu tregon se dhe Balzaku desh të shkonte atje dhe s’di se çfarë shkaku i doli e nuk shkoi. Po shkoi poeti ynë. Shkoi dhe e pësoi keq, ashtu siç e parandjeu Dora D’Istria. Iu mblodhën shumë fatkeqësi, që ia bënë jetën të padurueshme, aq sa ra në një krizë e dëshpërim të thellë. Mospërfillja e mjedisit perandorak ndaj poetit, të ardhur tek e fundit nga fshati, pasojat e një dashurie fatkeqe dhe konflikti me priftërinjtë katolikë, për shkak të një poeme antiklerike me 200 000 vargje, e detyruan Seremben ta braktisë para kohe oborrin, të kalojë oqeanin e të zbresë në brigjet e Francës, në Havrë. Prej këndej e bën rrugën në këmbë. Në Marsejë i vjedhin portofolin dhe dorëshkrimet. Vjen në Nicë, ku shet pallton e mantelin për bukën e gojës. Pas disa ditësh udhëtimi, i shkruan një letër të dhimbshme Kamardës, ku, mes të tjerash, i thotë: “Nga shkaku i ndëshkimeve të tmerrshme që më ka dhënë perëndia … me nxitimin më të madh e lashë Brazilin … Kam mbetur krejt i zbathur dhe po vdes nga uria. Më ndihmoni që të arrij në Napoli … Skuqem nga turpi, po fatkeqësia ime s’ka kufi … Do të zhdukem si një meteor, duke u hakmarrë kundër të gjithë atyre që kanë qenë shkaku i rrënimit tim.” (1875).

 

Kamarda i dërgon 30 lira dhe me to poeti niset për në Napoli e prej andej arrin më në fund në Strigar me shpirt ndër dhëmbë. Familjen e gjen në gjendje shumë të keqe ekonomike, të mbytur në borxhe. I vëllai Françesku dhe e motra Maria-Antonia s’kanë asnjë mundësi ta ndihmojnë. Mbetet për një kohë të gjatë pa punë. I drejton lutje për punë Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Tregtisë, por kërkesa e tij bie në vesh të shurdhër. Asnjë përgjigje. Atëherë i lyp përsëri ndihmë Kamardës. E pyet se mos i gjen vend si mësues në Livorno ose redaktor në ndonjë revistë letrare.

Askush nuk di të thotë se me çfarë u mor pasi u kthye në katund. E vërteta është se ai kalonte ditë të dëshpëruara dhe ishte tepër nervoz. Tregohet i pakënaqur nga njerëzit e shtëpisë dhe ankohet vazhdimisht. Humbet durimin në shumë gjëra, tërhiqet nga jeta dhe qëndron në vetmi. Poezia i mbetet si ngaherë besnike dhe i vetmi kuptim e qëllim i ekzistencës. Nëpërmjet saj shfryn dufet e dëshpërimit e të zemërimit. Rrëfen për veten dhe, nga kjo pikëpamje, shumë nga vargjet kthehen në dokumente autentike për poetin. Është një jetë e stuhishme, siç shkruan ai diku, duke pasur parasysh me këtë konfliktin e përhershëm me padrejtësitë që e rrethojnë, dashuritë e pafat, por edhe sfilitjet mendore e fizike, që i shkakton sëmundja … E ndjen veten herë si “shpirt në erë”, herë si “gurë lumi” apo dhe si “trumcak vetmitar”. Mendon se “vuajtja ime që nga rrënja është një histori plot dhimbje” dhe e quan veten “viktimë që nga djepi”. Në këto çaste të rënda i drejtohet zotit, por më kot, sepse, me sa duket, e gjithë kjo është vetëm një iluzion:

Vështro o zot, në fund

                t’mjerimeve unë jam,

                një dhimbje e rëndë dhe e thellë,

                lulen vyshk të djalërisë sime.

 

                … Të luta ty, o zot, por ti qe larg

                rënkimit tim dhe unë atëherë rashë

                në tokë si një guralec pa vlerë …

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *