Sergio Busquets pranon se Barcelona duhet të bëjë më shumë transferime, por këmbëngul se nevoja nuk është rritur nga humbja e tyre në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit. Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde u mund 3-1 nga kampionët e La Liga në “Camp Nou”, të dielën në një takim emocionues, që i jep anës së Zinedine Zidane avantazhin për ta nisur me trofe edhe sezonin e ri.
Lionel Messi barazoi autogolin e Gerard Pique, përpara se zëvendësuesi Cristiano Ronaldo të shënonte të dytin dhe Asensio të tretin, duke vulosur një fitore të merituar për vizitorët, të cilët tani janë në një pozicion komandues përpara ndeshjes së kthimit të së mërkurës së ardhshme në “Santiago Bernabeu”. Barcelona është gati të përfundojë nënshkrimin e Paulinho nga Guangzhou Evergrande Taobao, por, megjithëse ai do të mirëpriste shtesa në skuadër, Busquets nuk e ndien rezultatin e së dielës se dëshmon nevojën për të investuar më shumë në merkato, pasi kanë humbur Neymar (ka ikur te PSG).
“Skuadra nuk ka nevojë për nënshkrime, për shkak të këtij rezultati, – tha ai, siç citohet nga “Mundo Deportivo”. – Ne kemi nevojë për përforcime, sepse kemi për t’i rinovuar gjërat. Është shumë e vështirë, por ne shkojmë në “Bernabeu” me qëllim që të rikthehemi. Nuk kërkojmë justifikime”. Menaxheri i përgjithshëm i Barcelonës, Pep Segura, shtoi se humbja nuk do të ndikonte në veprimet e tyre, në dy javët e fundit të merkatos.
“Është një zhgënjim për të gjithë tifozët, – tha ai. – Është një situatë, në të cilën kemi treguar në të kaluarën. Ne i kemi aftësitë për të shkuar në “Bernabeu” dhe të fitojmë. Një rezultat nuk përcakton planifikimin e anës sportive. Në gjysmën e parë të ndeshjes kemi bërë përshtypje shumë të mirë, por autogoli i Pique na dëmton shumë”.
