Falë viteve të shumta të aktivizimit tek Real Madrid, Sergio Ramos ka fituar të drejtën të flasë me gjuhën e një lideri. Mbrojtësi i kombëtares spanjolle që ka shijuar çdo trofe të mundshëm me La Rojan, është në ndjekje të triumfit europian me Realin. Nga Los Angelos ku skuadra gjendet për fazën përgatitore, Ramos flet në 360 gradë. Ancelotti, Mourinho por dhe Bale janë temat e prekura prej tij. “Ancelotti ka shumë eksperiencë në kompeticionet më të mëdha dhe është një nga trajnerët më të mirë në botë. Për ne është një garanci dhe ndjehemi me fat që e kemi në drejtimin tonë pasi mund të mësojmë shumë prej tij. Ai mund të na udhëheqë drejt trofeve, por përveç këtyre ajo që na nevojitet është të kuptojmë shumë mirë se çfarë kërkon trajneri nga ne, në mënyrë që të japim më të mirën dhe të përmirësohemi vit pas viti.” Gjithashtu qendërmbrojtësi shtoi se nuk ka asgjë ndaj ish trajnerit Jose Mourinho. “Nuk kemi shumë për të thënë nga e kaluara. Mund t’iu them vetëm që unë nuk jam një njeri që të krijoj armiqësi. Unë ruaj vetëm kujtimet më të mira, pasi mësova shumë nga një trajner i madh si Mourinho. Ne dhamë më të mirën dhe gjithnjë do ti urojmë atij suksese.” Çështja e ditës në mediat spanjolle dhe ato britanike është kalimi i Gareth Bale në “Santiago Bernabeu”, një transferim që pritet të jetë më i shtrenjti i historisë. 27-vjeçari thekson se çmimi i një futbollisti vendoset nga tregu dhe se nuk i takon atij të thotë nëse një futbollist nevojitet në skuadër ose jo. “Mendoj që në fund të ditës çmimi i një futbollisti vendoset nga tregu, nga kërkesat. Pra në këtë këndvështrim mund të them se nuk është detyra ime të vendos nëse ai apo ndonjë tjetër duhet të vijë në skuadër. Ajo që unë mendoj është se në skuadër duhen futbollistë të rinj, por që të jenë spanjollë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi një skuadër me baza kombëtare ndërsa na sjell shumë kënaqësi fakti që futbollistë të Realit të bëjnë historinë. Përshtatja e të rinjve me më veteranët është një filozofi e mirë.” Sergio Ramos nuk hezitoi të bëjë publike dëshirën që partneri i tij në mbrojtje Pepe të qëndrojë te Real Madrid, pavarësisht ofertës së ardhur nga Manchester City.
