Aventura e Fredy Guarin te Interi duket vërtet në fund. Mesfushori zikaltër ka dhënë pëlqimin për transferimin në Kinë me skuadrën e Shanghai Shenhua, madje sipas mediave, menjëherë pas stërvitjes ai ka përshëndetur shokët e skuadrës në “Appiano Gentile”.
Nga shitja e tij, Interi do të mbushë arkën me 13 milionë Euro plus bonuset, ndërsa zyrtarizimi do të bëhet pas vizitave mjekësore. Në këtë mënyrë, Guarin mbyll një cikël 4 vjeçar të karrierës së tij mes ulje-ngritjeve, duke u larguar nga Serie A pa dëshirën e tij pasi ai nuk ka arritur të jetë i vazhdueshëm me fanellën zikaltër.
Me paratë e arkëtuara nga kolumbiani, Interi do të hidhet menjëherë në sulm për Sorianon e Sampdorias, por një alternativë e mundshme është edhe Eder. Një tjetër lojtar i Serie A që po tërhiqet nga milionat kineze është edhe afrikani i Romës, Gervinho.
Ulja në stol e Spalletit dhe forma e dobët që po tregon sulmuesi, kanë bërë që drejtuesit t’i kërkojnë largimin për t’ia lënë stafetën argjentinasit të Genoas, Diego Perroti.
Në radhë të parë për të arritur te shërbimet e sulmuesit është skuadra Hebei Fortune Footbal. 5 milionë Euro në vit për tre sezone, kjo është kontrata që Gervinho ka në tavolinën e tij dhe tashmë pritet vetëm firma, ndërsa për Romën do të shkojnë 15 milionë të tjera.
