Një aksident me vdekje ka ndodhur në aksin Kukës-Kalimash. Ngjarja tragjike ka ndodhur në vendin e quajtur Kolsh, ku ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, Lufti Topojani, 42 vjeç, nga Kosova.
Aksidenti tragjik ka ardhur pikërisht në vendin ku 4 ditë më parë u përmbys një tjetër autobot. Mësohet se 42-vjeçari nga Kosova ka qenë duke ecur me shpejtësi në korsinë e gabuar, pasi trafikndarësja e dëmtuar nga aksidenti i mëparshëm nuk ishte riparuar ende. Në momentin ku mjeti ka tentuar të kalojë në korsinë e tij, shoferi ka humbur kontrollin dhe është përplasur në malin anash rrugës. Për pasojë, autoboti është përmbysur, duke u derdhur të paktën 40 tonë naftë, që ndodhej në të. Kjo e ka bërë të pamundur qarkullimin e të tjera automjeteve, gjë që e ka detyruar policinë të mbyllë këtë aks deri në pastrimin e rrugës. Lëvizja e mjeteve po bëhet përmes aksit të vjetër, çka do të thotë të paktën 10 km më shumë rrugë.
Më datë 24 dhjetor, në të njëjtin vend ndodhi një aksident ku gjetën vdekjen 3 persona. Një autobot që udhëtonte në korsinë e gabuar u përplas me një fuoristradë.