Merkatoja e Partizanit merr një kthesë të paparashikueshme. Darvydas Sernas, i cili u tha se ishte blerja e rëndësishme e të kuqve për fazën sulmuese ka ndryshuar mendje në momentin e fundit, edhe pse kishte rënë parimisht dakord për të gjitha pikat e kontratës. Në një njoftim zyrtar për mediat, klubi i Partizanit bën të ditur se menaxheri i sulmuesit të kombëtares lituaneze në momentin e fundit e ka rritur çmimin, pasi kishte marrë një ofertë më të leverdishme nga kampionati skocez. Në këto kushte e pa te arsyeshme kthimin e një përgjigjeje negative, për të mos rrezikuar financiarisht për një lojtar që nuk u ishte nënshtruar akoma testeve mjekësore.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, drejtuesit e Partizanit sigurojnë se do të jenë aktivë deri në çastet e fundit të merkatos për të afruar një sulmues cilësor, që do t’i bashkëngjitej në vijën e parë serbit Stevan Raçiç.
