Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë opozitës për kërkesën e saj për hetim parlamentar për çështjen e ndërhyrjes në serverin e Tatimeve. Kërkesa e opozitës nuk u pranua nga mazhoranca, por sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja e ka pranuar kërkesën e PD-së “për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit që nuk miratoi kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni që do të hetonte për ndërhyrjet në serverin e Tatimeve”.
Përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit argumentuan se parlamenti nuk mund të ndërhynte në kompetencën e prokurorisë, e cila kishte nisur hetimin për këtë çështje dhe për këtë arsye nuk mund të lejonin ngritjen e komisionit.
Serveri i Tatimeve u bllokua në fund të vitit të shkuar, duke krijuar probleme për të dhënat e bizneseve. Sipas demokratëve kjo situatë krijoi pasiguri të sipërmarrja dhe krijoi hapësira për evazion fiskal. Por nga ana e saj, Administrata Tatimore ka deklaruar më herët se, serveri i tatimeve është prekur gjatë kohës ku ai administrohej nga ish-qeveria demokrate dhe se aktualisht ai është mjaft i sigurt.
