Servili i vitit… (ose një “çmim” i akorduar nga Dasara dhe gjyshi i saj)

anazapta

Një ngjarje ‘pikante’ u shënua këtë javë në lëmin e medias shqiptare. Mediet MAPO në pronësi të botuesit dhe biznesmenit Henri Çili shpallën Edi Ramën si njeriun e vitit 2013. Ishte një iniciativë që krijoi jo pak diskutime edhe komente, nisur nga ngarkesa e fortë pro-Berishiane e Henri Çilit në vitet e fundit.

Henri Çili ka vënë shpesh theksin tek “teoria neoliberale”, është vetëdeklaruar me kohë si i tillë dhe nisi të identifikohej fortë në vitin 2003 me këtë teori përkrahë Spartak Ngjelës dhe një grupi moshatarësh të tij me të cilët më pas, në vitin 2006, themeloi dhe një universitet privat dhe ca më vonë , një gazetë, një revistë dhe një shtëpi botuese. Gjatë 4 vjeçarit të fundit, ai së bashku me një grup “analistësh” u angazhuan fuqishëm në ekranet televizive në mbrojtje të hapur të Berishës, ishin pararoja e tij mediatike, garda e tij e propogandës, të palodhur, këmbëngulës në mbrojtje të Berishës, shpërfillës ndaj çdo kritike që u kujtonte se mund të ishin duke e kaluar cakun, si në rastin e 21 Janarit 2011.

Këtë rrugëtim neoliberal-berishist Henri e ka përmbledhur vetë, nëpërmjet një editoriali që ka shkruar në Shtator 2013, ku reflektonte mbi qëndrimin e vetë në dekadën e fundit, tashmë që Berishizmi ishte përmbysur më 23 Qershor. Në këtë artikull tepër interesant Çili shpaloste dy elementë të rëndësishëm: Doktrinën dhe gardën që mbronte doktrinën. Më pas Çili, identifikon dhe grupin e gardës ku ai bën pjesë dhe që sipas tij, kanë qëndruar stoik deri në fund dhe identifikon Blendi Fevziun, Artan Hoxhën dhe Artur Zhejin.

Si pjesë e reflektimit, ai shpall dhe Berishën, aleatin më të mirë të mundshëm të këtyre “ideve liberale”, duke i dhënë shpjegim në këtë mënyrë konvertimit të tij nga neoliberal në neoliberal-berishist. Si kokluzion Çili përmend një togëfjalësh tepër konciz: “Isha në krahun e humbësve të 23 Qershorit, por në krahun e duhur”. Madje nuk harron të shtojë, se Berisha kapitulloi, por me të s’mund të kapitullojë “garda” sepse sipas tij Berisha menaxhonte pushtet ndërsa garda prodhonte ide, neoliberale sigurisht. Me pak fjalë Henri bënte të ditur se Berisha iku, po ne jemi këtu, gati për “idetë e radhës”. Nëse e vëren me kujdes nuk është se e ka dhe aq gabim.

Por “detajet” ndoshta nuk kanë fare rëndësi në këtë udhëtim neoliberalo-berishist të Çilit dhe të gardës propagandistike. Për ironi të fatit këto detaje i bën krejt të panevojshme për tu konsideruar, aleati më i madh i Çilit, Berisha dora vetë. Ai dhe Familja, në 48 orët e fundit kanë qenë përgënjështruesit më të paepur të të gjithë shpërdredhjeve ideore të gardës. Jo më larg se dje ai ri-përsëriti nga Facebook-u i tij paralajmërimin për rrënimin e ekonomisë dhe skenarin grek. Pra është vetë Berisha që deklaron faqebotës se ka lënë një tokë të djegur dhe një ekonomi të rrënuar, duke analoguar veten me Karamanlisin dhe Edi Ramën me Papandreun. Çili thotë që Berisha vuri në jetë idetë e gardës neo-liberale dhe shëroi tregun, por Berisha po e përgënjështron dhe i thotë se la tokë të djegur dhe tregu do bjerë shumë shpejt.

Çili thotë se ishte në anën e duhur më 23 Qershor, por cila ishte ana e duhur? Skenari grek, që po trumpeton çdo ditë e më shumë sot Aleati i tij? Çili thotë se garda neoliberale-berishiste qëndronte larg klientelës dhe mbronte vetëm dhe vetëm idetë, por del mbesa e Aleatit, Dasara, dhe i dekonspiron të gjithë, “Kujt nuk i është lëpirë”, – shprehet ajo për Blendi Fevziun, bashkëluftëtarin neoliberal të Çilit.

Rezultati sot del pak kompleks, doktrina nga neoliberale u shndërrua në skenar grek, Aleati më i madh i gardës propagandistike dhe mishëruesi i ideve të tyre, Berisha, sot rezulton përgënjeshtruesi më i madh i teorisë dhe ideve të tyre. Qershinë mbi tortë e vendos mbesa e Aleatit, “Kush do jetë lëpirja e radhës?”, – pyet ajo. Duket si një garë mes mbesës dhe gjyshit për të demaskuar se deri ku arrin këpucë-lëpirja, a thua se janë duke dhënë çmimin Servili i Vitit.

 

Servili si model, servili si milioner 

Sa për kuriozitetin e lexuesve që na pyesin shpesh për arsyen pse DITA është e vetmja gazetë që nuk lexohet në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës në News 24. Pak e dinë që kjo lidhet me një ndodhi të Ditës me Irfan Hysenbelliun që ka në pronësi këtë televizion. Hysenbelliu, boton të përditshmen Panorama, të përditshmen Gazeta Shqiptare, disa media sportive të botës së shout dhe TV News 24 e ndonjë media online.

Historia e Ditës me Irfanin ka të bëjë me konviktin e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja Asim Vokshi. Kalimi i kësaj godine në  pronësi të Irfan Hysenbelliut u firmos në ditët e fundit të Berishës kur ky ishte rrëzuar nga vota popullore por vijonte të qeveriste “tranzicionin” drejt qeverisë së re. DITA shkruajti asokohe që konvikti i fëmijëve iu dha kompanisë së biznesit të Irfanit. Ky i fundit urdhëro ndalimin e leximit të Ditës në emisionin e Bashkim Hoxhës. Irfani duhej të nxirrte kalamajtë jashtë nga godina që shërbente si konvikt shtetëror prej dekadash dhe këtë gjë nuk duhet të guxonte as t’ia përmendte kush. Qesharake, por edhe një shembull i paprecedentë arrogance.

Ky model “investitorësh në media” është po aq kontribues në largimin e saj nga përfaqësimi i interesit publik.

Një ish-gazetar, Elvi Fundo e ngacmon shpesh Irfanin kohët e fundit duke i thënë “vinçieri”, si tallje për profesionin e tij të mëparshëm, të tjerë tregojnë një histori të viteve më parë kur Hysenbelliu zbriti nga provinca në Tiranë dhe hynte në dyqane duke marrë rroba të shtrenjta të cilat nuk i paguante, derisa një shitëse që qëlloi e bëshme dhe tek e cila Irfani kishte marrë më shumë se 10 milionë lekë tesha e kostume vendosi një ditë ta rrihte. Mezi ia hoqën duarsh. Janë histori që tregohen për humor ndoshta, por situata është më e vështirë se ajo që sugjeron humori.

 

Servili si elitë sunduese

Historia e popujve dhe ajo e shtetit, si formë e organizimit të tyre politik, na dëshmon se, në të gjitha vendet dhe kohërat, regjimet politike, pavarësisht nga forma dhe sjellja e tyre, kanë pasur dhe kanë apologjetët e tyre.

Sa më keq janë sjellë dhe sillen sundimtarët, aq më shumë e ndiejnë nevojën e pasjes dhe funksionimit të formacioneve propagandistike, me të cilat përpiqen t’i bëjnë vetes makijazhe politike dhe morale, në mënyre që të duken ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Në kohërat moderne kjo apologji është bërë më e sofistikuar, më intensive dhe shumë agresive.

Referimet tek mësimet e historisë, na i nxisin veprimtaritë njerëzore që zhvillohen në kuadrin e ngjarjeve që janë përcaktuese për të ardhmen e vendit, siç ishin zgjedhjet politike të 23 qershorit. Nuk është e tepërt të themi se në të gjithë botën, shumica e shtetasve i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me regjimet dhe qeveritë duke u bazuar në interesat e veta. Këta lloj shtetasish i përkasin vetes dhe, e shumta, familjes së tyre.

Deri këtu nuk ka gjë të keqe. Mbi këtë bazë këta shtetas krijojnë vlerësimet e tyre për sundimtarët, ndërtojnë sjelljet e tyre ndaj qeverisë dhe bëjnë zgjedhjet e tyre nëpërmjet votimit, (atje ku i kanë këto mundësi).

Henri Çili, Irfan Hysenbelliu (ky i fundit nuk shkruan vetë, por në median e tij shkruajnë Artan Hoxha, dhëndri i Berishës, etj), pra këta apo kushdo tjetër nuk përjashtohen nga e drejta për të zgjedhur në përputhje me interesin e tyre dhe nuk janë të detyruar të pohojnë të vërtetat e hidhura të shqiptarëve në mediat që kanë në pronësi. E keqja dhe e dëmshmja fillon kur shtetasit, në saje të pozitës së fituar apo dhuruar për shkak të shërbimeve të kryera, bëhen persona publikë dhe pozitën e tyre e propagandojnë si raport të të gjithë shoqërisë me shtetin, privilegjet e tyre përpiqen t’i paraqesin si mirëqenie të shoqërisë. Si rezultat i kësaj, këta individë nisin të kërkojnë nga populli që edhe ai të ketë të njëjtin vlerësim për pushtetin e radhës, duke i shërbyer kështu përjetësimit të tij.

Vetëm një pjesë e vogël e shtetasve e çmojnë qeverinë për sjelljen e saj ndaj gjithë shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, përcaktojnë marrëdhëniet e veta me të. Këta shtetas, ose heshtin ndaj arbitraritetit të qeverisë (kur nuk kanë guximin e duhur), ose ngrenë zërin e protestës (idealistët), por asnjëherë nuk pranojnë të rreshtohen në Gardën Politike, Propagandistike apo Administrative të pushtetarëve që shkelin interesat e shtetasve të tjerë. Po le të ndalemi tek kategoria e parë, pra tek ata që kërkojnë nga populli që edhe ai t’i vlerësojë sundimtarët si ata. Personat në fjalë meritojnë vëmendje për arsyen që thamë, por edhe sepse, ndërsa dje shfaqeshin si Gardë Propagandistike Berishiste, sot mund të paraqiten si mbrojtëse pa kushte të pushtetit të opozitës së djeshme. Me fjalë të tjera, pavarësisht se në mbrojtje të kujt paraqiteten, individë të tillë mbeten gjithmonë të dëmshëm dhe madje të rrezikshëm. Kjo është arsye e mjaftueshme për të qenë syçelur ndaj tyre.

Njerëz të “medias” si Çili apo Irfani i përkasin kategorisë së individëve të ardhur nga periferia (ky fakt nuk përbën as faj dhe as të metë) të cilët, me kacavjerrje pas pushtetit, kanë arritur të kamen. Këto pozita këta individë ia dedikojnë pushtetit. Këta tipa nuk tuten prej gënjeshtrave dhe as prej shpjegimeve shtrembëruese (shpesh edhe idiote) që bëjnë, sepse një gjë e dinë me siguri: pushtetit i duhet dhënë gjithmonë të drejtë për gjithçka, ndërsa për padrejtësitë dhe krimet që pushteti i kryen haptazi duhet shpikur gjithnjë një alibi.

Për shkak të asaj që ndodhi para 23 qershorit, sot nuk kemi të bëjmë me një problem të krijuar nga një person apo dy, por me një fenomen të hershëm e të vazhdueshëm. Mënyra e të menduarit dhe të sjelljes që karakterizojnë këtë detashment shërbyesish, është bërë gangrenë për shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Këta, duke shkelur mbi të vërtetat, duke shtrembëruar realitetet me qëllim që të krijojnë realitete që nuk ekzistojnë, ia kushtuan gjithë energjitë e tyre mbrojtjes së pushtetit të Sali Berishës që degradoi nga një regjim autoritar në një bandë kriminale që pushtoi shtetin.

Presioni që këta bënë me mediat e tyre oshte aq i pranishëm, aq i kudondodhur dhe aq intensiv, saqë njeriu, i cili ka privilegjin dhe barrën të arsyetojë, filloi të vërë në dyshim aftësinë e vet perceptuese. Nën trysninë e këtyre, njeriu arsyetues pyeti veten: A nuk jam unë në gjendje të kuptoj realitetin apo këta me mediat e tyre duan të më bëjnë të marrë?

Ironike është që si analistët me pamje serioze që përpiqen “të vërtetojnë” se të gjithë janë njëlloj deri tek ndonjë kloun që drejton emisione porno –politike të premteve mbrëma punojnë në gazeta, radio apo televizione të ngritura ashtu si janë ngritur, por që mbahen në këmbë edhe me paratë e popullit, me paratë që pushteti, të cilit ata i shërbyen, i mori nga buxheti i shtetit (arka e kursimit të të gjithë popullit) dhe ua dha në formën e reklamave ekskluzive, të tenderëve pa konkurrim dhe me lloj-lloj marifetesh të tjera.

Si dje, si sot, këta nuk kanë kurrfarë idealesh, nuk njohin skrupuj moralë, kanë si mision vetëm përjetësimin e pozitës së tyre sociale. Në më të shumtën e rasteve ata nuk përbëjnë elitën intelektuale dhe aq më pak atë morale. Mirëpo, ishin elita sunduese e Shqipërisë tonë. Nuk duhet të vazhdojnë të jenë. Janë rrëzuar bashkë me Berishën në 23 qershor. Dhe duhet ta kuptojnë këtë gjë.

Share This Article
8 Comments
  • Ky ne foto eshte analisti ui shquar Naim Cili, diten e pare kur erdhi ne Tirane dhe belu kostum, e bleu te bollshem qe ta kishte per 5 -6 vjet, keshtu i kishin ata ne fshat kur e percillen per ne Tirane, tama si kostum bathoristi i zhurborsur dhe i dale boje e mode qe ne vitin 1970, kur zbriten nga malet ne Tirane, si ato kostumet qe mbanin cobanet 30 vjet ne sendyqe dhe i vishnin vetem kur shkoniun ne dasma e vdekje, ose kur shonin ne mbledhje ne kryesin e koperatives.

  • Keta plehra duhen abadionuar ne media dhe shteti duhet tju beje invetarin e pasurive te vena gjate ketyre viteve dhe te kerkoje llogari nga i kane siguruar te ardhurat qe jane bere milionere

  • Sa keq per shtypin e shkruar dhe ate elektronik ! Ky Cili po te kishte sadopak perqindje qytetari do paguante ate fotografin qe t’ia hiqte nga qarkullimi kete foto krye fshatareske . Ndersa ky ..oqja i shfryre me ato papucet e kuqe mendon se po i terheq vemendjen Rames ! sa gjynah ky popull i nemur !!!

  • Pergezoj “Diten” per artikullin! Por nje gje nuk kane permendur, qe keta alias Henri Cili dhe Irfani jo vetem jane kepuce-lepires por ata jane edhe shkeles te rende te ligjit.Nuk lejohet qe nje gazete universitere te merret me politike dhe te shkruaje artikuj qe shtremeberojne te verteten me dashje.Disinformimi eshte krim.Po kane perfituar edhe nga pushteti Berisha dhe klanit te tij.Per sherbimin Henri eshte shperblyer me bursa nga shteti apo dhe te tjera.Eshte detyra e institucioneve perkatese te zbardhin te verteten.Por Rama duhet te beje reforma ne parlament.Te ndryshoje sistemin e korruptuar berishian te drejtesise.Pa reforma ne drejtesi alias Henri Cili ,Hysenbelliu,Artan Hoxha Sandri,,Mziu,Imami, Basha, Shkelzeni, Liria dhe vete Berisha do te gezojne parate e krimit .

  • Mar me shkurtime, nga poema, ” Cilirit,NUK PASKAN TE SOSUR!”

    Ne vend te parethenies!

    Cilve,thone u polli mushka!
    Sa paten Baban e saje….
    Mbushen thaset me lepushka….
    Dhe jane ngjitur,mu ne Maje (!)

    ………………………….
    Gjithe kjo turme me bicimseser…
    (Servil,gjer ne peshtirosje)
    Jane pegerja e nje Kombi,
    I mbysni, me peshtymosje…

    Jane nga soji i cburrerise,
    (Hitlerve u behen prone)
    Japin vlera, ligesise…
    ndersa pijne djersen tone!

    Han e pine, e s’kan te ngopur,
    Nepes-derrat, gjithandej…
    Cilrit,qe s’paskan te sosur,
    Na e bene shpellarin bej (!)

    Cilet?,Jane te rrafinuar,
    kot,nuk zgjodhen ket’ hajvan
    Vecse,mendja s’u pat shkuar
    ky gomar te ish nopran…
    ……………………………..
    Cilve,thone,u polli mushka…
    Sa paten baban e saje,
    Mbushen thaset me lepushka…
    Dhe jane ngjitur, mu ne maje (!)

    Por mbi maja,s’ka me maje.
    Ka vec renje,buze me buze…
    Ndaj une tash,hallin u’a qaj,
    A kane mare ndonje terkuze?!…

    Ky popull u’a la gomarin,
    sa te futej ne DUHAN!…
    Asnje dhoge,s’i mbet samarit
    Vardha nje miljon kopan!…
    …………………………….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *