Sezoni i dhjetorit me tarifa më të larta për 40 % të mbetësve

redaktor

Mësuesit zhgënjejnë sërish. Raundi i dytë i provimeve të shtetit për arsimtarët e rinj që morën pjesë në provimin final për të fituar licencën profesionale të mësuesisë ka dëshmuar rezultate të dobëta të arritura veçanërisht nga mësuesit e shkencave ekzakte. Duke bërë bilancin e rezultateve të arritura nga 667 arsimtarët që iu nënshtruan provimit të shtetit sipas grup-lëndëve në të cilat janë diplomuar së fundmi, drejtori i Provimit të Shtetit në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi u shpreh gjatë ditës së djeshme në media se vetëm 60 për qind e arsimtarëve të testuar arritën që të siguronin pikët kaluese. Ndërkohë që edhe niveli i vërejtur mes mësuesve kalues lë shumë për të dëshiruar, pasi vetëm shumë pak prej tyre kanë marrë vlerësimet maksimale në këtë provim. Terezi tregon se rezultatet më të ulëta janë arritur nga mësuesit e lëndëve dyshe, siç është matematika-fizika, biologji-kimia, informatika etj. Ndërsa për të rinjtë e diplomuar në shkencat sociale dhe gjuhëve të huaja, sezoni i provimeve të shtetit ka rezultuar më i kënaqshëm, pasi jo vetëm që niveli i kalueshmërisë ndërmjet tyre ka qenë më i lartë, por edhe rezultatet e marra kanë qenë më të mira.

Sezoni i dhjetorit me tarifa më të shtrenjta

Sipas Terezit sezoni i radhës për licencat e reja të mësuesisë do të zhvillohet në mbyllje të vitit, përkatësisht gjatë muajit dhjetor. Në këtë sezon do të marrin pjesë rreth 40 për qind e arsimtarëve mbetës të sezonit të korrikut dhe atij të mëparshmit, si dhe kandidatët e tjerë që janë në prag të diplomimit e që kryejnë detyrimet e praktikës profesionale. Për sezonin e radhës që pritet të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, tarifa e pjesëmarrjes në provim për këta kandidatë do të jetë më e lartë. Sipas përcaktimeve të bëra edhe në ligjin e profesioneve të rregulluara, për të marrë pjesë në provimin e radhës kandidatët duhet të paguajnë një tarifë e cila është 25 për qind më e lartë. Ndërkohë që rritja e tarifës vijon sa herë që maturanti futet për të dhënë këtë provim në rast se nuk merr pikët kaluese. Megjithatë sipas përcaktimeve të bëra kandidatët kanë të drejtë që këtë provim për të fituar licencën në fushën e mësuesisë ku janë diplomuar, ta japin deri në 5 herë. Nëse do të rezultojnë mbetës edhe në provën e pestë, atëherë kandidati nuk ka më të drejtë që të ushtrojë profesionin e mësuesit.

Mësuesit me rezultatet më të dobëta

Duke iu rikthyer rezultateve të arritura nga kandidatët në sezonin e korrikut Terezi ka vënë në dukje se : “Gjithsej u regjistruan 777 kandidatë, nga këta 667 u paraqitën në provim dhe rreth 60 për qind e tyre e morën provimin. Ndërsa 40 për qind do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në sezonin e dhjetorit. Vazhdon të ketë një cilësi më të ulët në fizikë dhe në informatikë, sidomos në degët dyshe, matematikë-informatikë apo matematikë –fizikë. Në fizikë nga 10 veta që morën pjesë, vetëm katër e morën. Në matematikë-fizikë po ashtu e morën 4 veta nga rreth 20 që morën pjesë, është një kalueshmëri më e ulët. Në këto degë duhet të shkojnë kandidatë më cilësorë. Nëse tarifa për herën e parë është 10 mijë lekë të reja, për herën e dytë është 12 mijë e 500 lekë të reja”, konfirmon Terezi. Pyetjet e zhvillimit profesional të lëndës që japin mësim kanë qenë edhe pyetjet në të cilat mësuesit e rinj kanë manifestuar më shumë probleme sa i takon njohurive. Marrja e notave kaluese në këtë provim është e vetmja formë që i lejon të diplomuarit në fusha të ndryshme të mësuesi që të fitojnë licencën profesionale, e kështu edhe të drejtë për të ushtruar profesionin e mësuesit. Mësuesit që kaluan në sezonin e korrikut kanë të drejtë që të aplikojnë për vendet e reja të punës që do të zbardhen në prag të nisjes së vitit të ri akademik 2013-2014.

Tarifat për provimin e shtetit

Për kandidatin që jep provimin për herë të parë, 10 000 lekë

Për kandidatin që jep provimin për herë të dytë, 12500 lekë

Për kandidatin që jep provimin për herë të tretë,15000 lekë

Për kandidatin që jep provimin për herë të katërt, 17500 lekë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *