Sezoni turistik, nis kufizimi për lëvizjen e mjeteve të rënda

Ornela

Mjetet e tonazhit të rëndë nga kjo e premte do të qarkullojnë me orare të reduktuara në akset kryesore të vendit dhe kryesisht ato turistike.

Udhëzimi i përbashkët i ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe atij të transporteve Damian Gjiknuri ka hyrë në fuqi prej 15 qershor dhe do t’i shtrijë efektet e tij deri më 15 shtator dhe mjetet që kufizohen janë ato me tonazh mbi 7.5 tonë, mjete me gjatësi 12 m dhe ngarkesë të pandalshme si dhe makina bujqësore, teknologjike dhe traktor me shpejtësi nën 40 km në orë.

Sipas këtij udhëzimi kufizimet shtrihen përgjatë fundjavës duke nisur nga dita e premte deri të dielave ora 24:00 dhe për këdo shkelës penalitetet do të jenë ekstreme me gjobë dhe bllokim mjeti.

Të premteve kufizimi për të përdorur akset rrugore nga mjetet e sipërcituara nis në ora 15:00 deri në orën 22:00.

Të shtunën kufizimi nis prej orës 08:00 deri në 12:00 duke lejuar një hapësirë prej 4 orësh dhe rikthehet sërish në ora 16:00 deri në ora 22 të mbrëmjes.

Për ditët e diela ky kufizim është edhe më i gjatë duke nisur në ora 07:00 deri në ora 22:00.

Akset që nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë janë nga ato të pikave kufitare e deri në zonat bregdetare si Hani Hotit, Muriqan, Qafthanë, Morinë, Kapshticë, Kakavijë.

Po ashtu akset që do të kufizohet prekin dhe plazhet në qarkun e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Pogradecit.

Patrullimet e policisë kanë nisur nga kjo e premte të zbatojnë këto masa edhe në Tiranë-Durrës me drejtim Gjirin e Lalzit.

Në këto kufizime është përfshirë dhe Tepelena dhe Bajram Curri për shkak të lidhjes së tyre me turizmin kulturor.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *