Majlinda Rama
Të lëvrosh haik-un do të thotë të përballesh me një ndër sfidat më të vështira që ka krijuesi, e që në shumë raste, mbetet vetëm një rrekje. Në këtë kontekst, ngjizja e vargut të këtij zhanri poetik përbën, padyshim, ngritjen në një stad të qëndrueshëm e të sigurt si autor. Ky fenomen ndihet edhe në penën e poetes shqiptro-amerikane Reshida Çobo, e cila, edhe pse në botimin e dytë të saj, ka një përqasje të ftilluar të vargut duke arritur deri në thelb të haik-ut.
E udhëhequr prej një nga mjeshtrit e kësaj gjinie, prof. Nasho Jorgaqi, përmbledhja e re poetike, “Flirtoj me universin”, zë vend në galerinë e letërsisë shqipe jo vetëm si numër, por edhe si një libër që zgjon emocione dhe imazhe të bukura kur e lexon.
Vargu i sjellë nga Reshida vjen me dimension fizik e kuptimor të njëtrajtshëm, duke konfiguruar mirë haik-un si strukturë dhe vargun si bosht ideor e përmbajtjesor. Nuk është e vështirë të përballesh me këtë simbiozë, sepse qysh në vargjet e para të librit, vihet re një prirje për të kapërcyer kufijtë e së përditshmes krijuese dhe kjo, siç duket, falë një pune cilësore, talentit dhe një përgjegjshmërie të lartë. Them përgjegjshmëri, sepse vetë struktura e haikut, si formë poetike është e vështirë dhe kërkon guxim për t’u lëvruar, pra, kërkon pikësëpari të arrish të jesh lakonik në një botë të tërë mendimi. Kjo prirje ndodh rrallë ose asnjëherë, edhe tek poetët më të talentuar, dhe Reshida këtë sfidë e ka kapërcyer paqshëm, duke ardhur me hapa të sigurt dhe e vetëdijshme.
“Mos dashuroja më/ e mbylla derën/ s’di nga hyri këtë radhë”.
Libri “Flirtoj me universin” mban brenda vetes edhe një ndarje sipas një logjike krijimi, duke përcaktuar haikun me një, dy dhe tre vargje për të mbërritur pastaj edhe tek forma të tjera të poezisë së gjatë. Kjo mënyrë strukturore të shprehuri vjen dhe bëhet përcaktuese mëpastaj edhe të një serioziteti tërësor të librit, që tërheq vëmendjen gjithnjë e më shumë.
Në të vërtetë, gjithë komparacioni krijues i Reshidës nis e përfundon tek materia si lëndë deri tek e përbotshmja si gjendje. Kjo është udha e shtruar ngjeshur prej saj, gjë që dëshmon një poete edhe serioze edhe këmbëngulëse në rrugën letrare.
“Ikë e hajde/ e çmendi gurin e nxehtë/ kjo dallgë e lagur”.
Të jesh i vetëdijshëm në atë që bën me letrën e bardhë do të thotë të kërkosh të rritesh si autor, të kërkosh të gjesh një shteg, e hap pas hapi, të ngrihesh stabil në letërsinë tënde. Këtë ka bërë Çobo. Pa eufori të tepërta, ajo i sjell lexuesit shpirtin që lidhet me mbarë universin, i sjell botën, ngjyrat, lulet, dritën, hapësirën dhe e çon atë deri te 12 perënditë e Olimpit.
“Ndihesha përkëdhelur/ pashë qiellin/ flinte ngjitur me mua”. Apo:“Dy perëndime/ dielli e/ dashuria ime/ u ndanë me horizontin”.
Gruaja është shtrati i botës krijuese të autores Çoba. Ajo e sheh atë si burim drite e jete, si oaz, si impresion të natyrës, si madhështi. Të qenit femër i krijon poetes ndjesinë e përhershme të brishtësisë, delikatesës, sensualitetit, çka e mbrujt me pasion nga vargu në varg. Në të gjithë linjën krijuese të këtij vëllimi shihen qartë notat me të cilat Reshida ka depërtuar në çdo fjalë. Ajo kërkon të depërtoj deri në skutat më të thella të shpirtit femëror, duke bërë po ashtu një revolucion shpirtëror të thellësishëm. Ajo e nxjerr të brendshmen në sipërfaqe duke e servirur si të tillë tek lexuesi.
Në vargun e Reshidës shihen me një transparencë të dukshme milionat e ndjesive të fermrës. Ato për të cilat, ose heshtet, ose shihen si tabu të jetës së përditshme, ose nuk i pranohen as vetes… Por jo vetëm kaq, autorja sjell mirë edhe një këndvështrim të botës së zhvillimeve jetësore e psiko-emocionale nëpër sytë e gruas. Ajo kap elemente femërore që vihen në funksion të një zbërthimi ideo-filozofik dhe të një suporti të zellshëm të figurës së gruas nëpërmjet detajeve jetësore femërore. Gjinjtë, p.sh. janë ndalesa të shpeshta ku poetja zbret qiejt, kaltërsitë, botët, aty mbërthehen kristalet e hapen horizontet.
“Varg i këputur/ gjinjve shkërmoqen/ perla të përlotura”. Ose: “Luginës së gjinjve/ hutuar dallgë e bardhë/ harroi bregun”. Apo vargjet:“Ç’ëndërr panë gjinjtë mbrëmë/ për diku larg u ngritën/ si dy pëllumba të bardhë”. “Me vërshëllimën e tij,/ veriu çapkën,/ puth gjinjtë kodrave”. Unë në gjumë,/ gjinjtë bisedojnë,/ me njëra-tjetrën”.
Vargu i Reshidës vjen natyrshëm, teksa nxjerr prej fundit të fundësive dritëza edhe romantike, edhe njerëzore, edhe universale. Pra, ajo di të përballet e palëkundur me këtë depërtim. Me një dëlirësi e sinqeritet, autorja u drejtohet lexuesve të saj, jo vetëm për të krijuar një mirëkuptim a kontratë me ta për nocionin free (i lirë), por edhe për t’u kujtuar që ajo qëndron tek shpirtrat, të cilët padyshim rijnë në qiejt blu.
“Nuk di ç’do thoni ju kur të më lexoni/ Do dyshoni për mua./ Mundet të më sugjeroni se duhet të flas me një Zot,/ por unë nuk do ta bëj… / ju kam zgjedhur juve…”
Një varg që bën përshtypje është edhe ky: “Fle qetë liqeni, sapo u puth me mua”… Mendoni për një çast çfarë sjell pak puthje femërore, çfarë i sjell botës femra si qenie, si sensualitet, si prekje, si afsh, si buzë, si puthje, si fjalë. Pak femër dhe bota fle në paqe! Kjo do të ishte edhe emblematike për këtë vëllim poetik që uroj të mos jetë ndalesë e fundit për poeten, e cila po i dëshmon botës letrare talent të sigurt.
