Sfida për “Librin e karantinës” edhe një raft me sugjerime për lexim

redaktor

Jeta kulturore ka ngrirë prej javësh tashmë si çdo gjë tjetër, por edhe në këto ditë të vështira mund të gjenden kushtet për pasurimin e shpirtit dhe vazhdimin e aktivitetit normal. Libri ka qenë miku më i mirë i të gjithëve gjatë këtyre ditëve, sepse është e vetmja formë që na ofron ato çfarë kemi humbur nga bota e jashtme. Për këtë arsye Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk i ka “mbyllur dyert” as këtë periudhë, duke ju gjendur pranë jo vetëm lexuesve, por edhe shkrimtarëve.

Duke marrë shkas që disa nga veprat më të mëdha botërore (“Eugjen Onjegini”, “Ditari i Samuel Pepis”, “Parajsa e humbur”, etj) janë shkruar gjatë ditëve të izolimit, QKLL ka shpallur një konkurs për të gjithë shkrimtarët, për të nxitur kreativitetin dhe shkrimin shqip. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, tregon për “Shekulli”-n se në këtë konkurs do të pranohen të gjitha veprat që do të shkruhen në prozë, që mund të jetë një përmbledhje me tregime, novela ose romane.

Është caktuar që afati i dorëzimit të jetë në 15 maj, por Bardhyli thotë se data mund të shtyhet duke pasur pasur parasysh faktin që çdo shkrimtar ka raportin e tij me kohën e shkrimit. Vepra më e mirë do të përzgjidhet nga një juri profesioniste, që përbëhet nga Virgjil Muçi (kryetar), Rita Petro, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Durim Abdullahi Loer Kume dhe më pas libri do të botohet nga shtëpia botuese “Onufri”, që sipas Alda Bardhylit ka dhënë një kontribut të çmuar në mbështetjen e letërisë shqipe.

Ndikimi i koronavirusit tek libri dhe çfarë rezervon e ardhmja për kulturën

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, shprehet për “Shekulli”-n se kjo periudhë ka ofruar të dyja anët e medaljes për botën e librit. Ajo thotë se ka pasur një numër në rritje të lexuesve, por nga ana tjetër situata e krijuar ka shqetësuar të gjithë botuesit dhe autorët shqiptarë për të ardhmen.

Bota e librit ashtu si gjithë komponentët e tjerë në këtë periudhë jo të lehtë, po përballet me një situatë të vështirë ç’ka ka bërë botuesit, autorët, librat kudo në botë të përgatiten për të kufizuar pasojat financiare. Prej gati dy muajsh aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare si Festivale, Panaire, takime me autorë, janë anuluar. E ardhmja është ajo ç’ka i shqetëson dhe botuesit e autorët shqiptarë, të cilët janë duke kërkuar forma të reja komunikimi për të mbajtur një biznes të vështirë në këtë periudhë siç është libri.

Nga ana tjetër kjo periudhë izolimi është shoqëruar dhe me një rritje të numrit të lexuesve. Libraritë online janë duke rritur kapacitetet e menduara të shërbimeve. Nëse në botë ky izolim u shoqërua dhe me mbylljen e librarive, në Shqipëri lexuesit kanë mundësi të shkojnë të marrin librin që u duhet në librari sipas afateve kohore të caktuara”, shprehet Bardhyli.

Për sa i përket kulturës, ajo thotë se është një nga fushat më të ndjeshme nga pandemitë dhe këtë e ka treguar vetë historia. Alda Bardhyli thotë se ndoshta kjo pandemi e re do të sjellë ide dhe qasje të reja.

Kultura është gjithnjë më e ndjeshme ndaj ndryshimit dhe historia na e ka treguar këtë. Le të mos harrojmë që gjithë Rilindja Europiane ishte një lëvizje që nisi nga Firence e sapo çliruar nga murtaja më vitin 1347 për të përfshirë gjithë Evropën. Ishin artistët italianë piktorët, shkrimtarët, arkitektët, ata që pas një goditje të rëndë epidemie kërkuan ta shihnin artin si një formë për të gjetur përgjigjet e kaosit brenda tyre. Kjo lëvizje kishte në filozofinë e saj ndryshimin dhe një konceptim të ri të botës dhe vetvetes nëpërmjet ideve të humanizmit. Shekulli i XXI ishte i infektuar nga kultura e vanitetit, e cila po kthehej në një kërcënim për qytetërimet. Ndoshta kjo pandemi do të asgjesojë gjithë atë kështjellë letrash përmes së cilës kulturat kishin nisur të komunikonin dhe do të çojë në një qasje e ide të reja”, thotë Bardhyli për “Shekulli”-n.

Ajo tregon se Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit i ka shtyrë të gjithë aktivitetet që ishin planifikuar për këtë periudhë dhe se kthimi në normalitet do të kërkojë pak kohë.

Librat më të lexuar në kohën e karantinës dhe disa sugjerime për autorë shqiptarë

Duke qenë më afër librit se kushdo tjetër, Alda Bardhyli tregon se librat më të lexuar në këtë kohë kanë qenë ata mbi epidemitë, ndër ta “Murtaja” e Albert Kamy-së dhe “Dekamreoni” i Xhovani Bokaços.

Librat më të lexuar këto kohë kanë qënë librat mbi epidemitë. Por po ndalem në dy libra që janë dhe në gjuhën shqipe. ‘Murtaja’ e Albert Kamy-së, libri që na çon në vuajtjet e qytetit të Oranit, tek njerëzit pa shpresë dhe pa mundësi arratisje, është ndoshta një nga librat më të lexuar në këtë periudhë në të gjithë botën. “Dekameroni” i Xhovani Bokaços është një tjetër libër i lexuar në këtë periudhë e ndoshta një nga librat që do ta rekomandoja për lexim, si një shpresë e mirë për të ardhmen. Bokaço është nga ata autorë që e ka jetuar Murtajën dhe ka humbur njerëzit e afërm nga kjo epidemi, e ndoshta kjo e bën më të fortë rrëfimin e tij. Letërsia gjithnjë ka parashikuar profeci ndaj moralit njerëzor”, thotë Bardhyli.

Ndërsa ajo sugjeron që periudhën e qendrimit në shtëpi ta shfrytëzojmë për të lexuar më shumë shqip.

Librat e Ismail Kadaresë mbeten një ftesë e përhershme për lexim, po kështu librat e Mitrush Kutelit, Dritëro Agollit, Ben Blushit, Besnik Mustafajt, poezitë e Fatos Arapit apo Frederik Reshpjes, Zef Zorba, etj. Shkrimtarët e rinj që këto vite kanë ardhur me botime janë një mundësi e mirë për t’i njohur këto kohë, me qasjet interesante që kanë ndaj shkrimit. Po kështu librat studimorë të Aurel Plasarit, Ardian Vehbiut. Çdo libër shqip është një ftesë për lexim”, thotë Bardhyli, duke theksuar se ky është dhe qëllimi kryesor i QKLL.

Alda Bardhyli tregon se ajo vetë po lexon “Fati i Perëndimit” nga Jacques Attali dhe Pierre Henry Salfati, që vjen në shqip nën përkthimin e Ardian Civicit, një libër i cili shërben për të kuptuar jo vetëm psikozën e qytetërimit perëndimor të fshehtat e tij, por edhe kushtin për mbijetesën./Shekulli

Share This Article
1 Comment
  • Faleminderitgazetës*Shekullit*,për sygjerimet, për librin,vertet është një *Trinitrinë* për kohën që jetojmë,jo thjesht për të *vrarë*kohën po dhe për të mësuar e përçuar eksperiencën shekullore të njerzimit. Ja është kjo periudhë *inkubacioni* që më bën dhe mua prag të 84 viteve, të rilexoj në vite ,librat, biblioteken pesonale *mykur*. Ja,Prillin e nisa me të madhin shkrimtar botëror VOLTERIN me *Shpirtçiltri ZADIGU KANDIDI*, një pos të tjerave më shpuri në vitet e rinisë sime lexuar. Faleminderi Drejtoreshës së qëndres kombëtare të LIBRIT dhe leximit,na sygjeron e kujton. Po rifreskojmë BIBLIOTEKAT tona personale,sa u djetohemi Bibliotekave te qytetit,Faleminderit.

    Tiranë 03-04-2020 Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *