Duket pothuajse e njëjta histori. Ashtu si dhe çdo fillim viti, Shqipëria dhe politika e saj pritet edhe në 2015-ën të përballet me të njëjtat sfida që e kanë shoqëruar që nga rënia e diktaturës. Por kësaj here, përballimi i tyre nuk mund të quhet një mision i pamundur. Progresi i arritur në këto 25 vjet, evoluimi i shoqërisë dhe politikës shqiptare, përpjekjet e faktorit vendas por edhe mbështetja e vazhdueshme e ndërkombëtarëve janë baza të shëndosha për kapërcimin e tyre me sukses. Shqipëria e nis 2015-ën me katër sfida kryesore, për të cilat do të mjaftonte vullneti, përgjegjshmëria dhe energjitë pozitive. Mungesa e tyre do të sillte sërish regres, do të riprodhonte historinë e vjetër të rrëzimit natën të asaj çka ndërtohet ditën, të hedhjes së një hapi para e dy hapave mbas. Këtë vit janë të gjitha shanset që kjo nuk duhet të ndodhë më. Dështimi do të ishte i patolerueshëm për optimistin, ndërsa suksesi, i pranueshëm për pesimistin.
Sfida 1- Zgjedhjet e pakontestuara
Në qershor të këtij viti, kohë në të cilën do të zhvillohet procesi i zgjedhjeve lokale, vendi ynë ka shansin e artë t’i japë njëherë e mirë fund historisë së zgjedhjeve të kontestueshme. Zgjedhjet e vitit 2013, marrja e statusit kandidat si dhe qytetaria e treguar nga shqiptarët në proceset e fundit zgjedhore shtrojnë domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve lokale me standarde europiane, por edhe të pranimit të rezultatit të tyre nga secila palë. Maxhoranca dhe opozita kanë të dyja përgjegjësinë e përbashkët për ta arritur këtë gjë, për të përmbyllur njëherë e mirë historinë e sherreve të mosnjohjes së rezultatit zgjedhor. Ato ja kanë borxh këtë, qytetarëve shqiptarë në radhë të parë, por edhe faktorit ndërkombëtar, i cili do të zhgënjehej shumë nga përsëritja e avazit të vjetër në këtë vit të ri.
Sfida 2 – Bashkëpunimi politik
I predispozuar për të qenë prezent në 2015-ën, pas një mungese problematike gjatë vitit të kaluar, bashkëpunimi politik opozitë-maxhorancë nuk duhet të përbëjë më lajm. Klasa politike tashmë e nis këtë vit me marrëveshjen e re të nënshkruar në orët e fundit të 2014-ës, me përfundimin e bojkotit opozitar dhe me domosdoshmërinë për të realizuar reformat që i nevojiten vendit. Pritshmëria tashmë është e madhe. Sigurisht idealja do të ishte nëse opozita do të duartrokiste në Kuvend një rezultat pozitiv të qeverisjes, apo maxhoranca do të cilësonte të drejtë në sy të të gjithëve e me kurajo qytetare një kritikë të opozitës për qeverisjen. Nëse kjo do të duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë, atëherë sfida do të quhej e ezauruar në momentin kur të dyja palët do ta orientonin debatin politik drejt interesave qytetarëve dhe do të votonin reformat që përmbushin prioritetit e vendosura nga Bashkimi Europian.
Sfida 3 – Ekonomia
E cilësuar me të drejtë si “thembra e Akilit”, rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare është një sfidë shumë e vështirë por jo e pamundur. E vërteta është që reformat janë gjithmonë të dhimbshme. Nëse për rezultatin e reformave të ndërmarra nga qeveria nevojitet kohë, një mundësi shumë e mirë do të ishte përqendrimi te potencialet ekzistuese dhe impaktet e drejtpërdrejta që rrjedhin nga to. Bujqësia, Turizmi, investimet e huaja dhe ato vendase janë katalizatorët të artë për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare dhe për përmirësimin cilësor të jetës së qytetarëve shqiptare. Sigurisht nuk duhet të harrojmë edhe rëndësinë e frymës pozitive, klimës inkurajuese e cila duhet të përhapet tek bizneset dhe te qytetarët, për të vrarë “frikën e investimit” të investitorit, dhe frikën e shpenzimit te konsumatori.
Sfida 4 – Shoqëria shqiptare
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja mbetet emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë. Në fakt shoqëria shqiptare nuk është se ndryshon shumë nga shoqëritë perëndimore, por baza e saj ka ende nevojë për emancipim, ndërsa elita për pasurim vlerash. Shqipërisë sot i duhet një shoqëri më shumë humane- më pak individualiste, më shumë bashkëpunuese-më pak shfrytëzuese, më shumë e disiplinuar-më pak kaotike, më shumë e hapur- më pak dekurajuese, më shumë konkurruese-më pak mediokre. Për këtë sfidë të fundit, as nuk duhet të presim nga politika, as nuk duhet të fajësojmë atë. Suksesi dhe dështimi varet vetëm nga ne. Gjithsecili nga ne, çdo ditë, nga pak, në mënyrën e tij mund të japë kontributin e tij për ta zhvilluar shoqërinë. Zgjidhja nuk është ankesa…

Sfida eshte -bashkimi i politikaneve shqiptare- me qellimin Shqiperia europiane! Por Luli dhe Berisha dhe ne pergjithsi PD, nuk jane europiane, jane berishiane! Pra largimi i Berishes eshte imediat,te tera te tjerat jane perralla dimri,qe tregonte gjyshja ime!