Alessia Selimi
Në një nga lokalet e kryeqytetit, ai gjendej i pozicionuar në një tavolinë të rrumbullakët e të fshehur midis njerëzve, teksa shijonte i përhumbur kafen e mëngjesit. E kishim lënë të takoheshim në orën 11:00 dhe përpikmëria e tij fatkeqësisht më nxori si një gazetare të përgjumur. I veshur sportiv me një bluze të kuqe e me një xhup pa mëngë, sytë e tij të mëdhenj e blu nuk më gjykuan aspak. Sokol Guga m’u shfaq jo vetëm si një producent tmerrësisht i apasionuar, por edhe si një njeri i shoqërueshëm e me humor të hollë.
Ishte vetëm një fëmijë i vogël kur “vulosi” të ardhmen e tij. Me humor më tregon se dashurinë për botën e spektaklit e ka shfaqur që në “pseudo” spektaklet e organizuara në lagje. “Në lagjen time unë identifikohesha si organizuesi i spektakleve të bukurisë”. Kështu filloi të më tregonte për fëmijërinë e tij, e cila në mënyrë të pakuptueshme ishte shndërruar në një pasqyrë karakteriale. Duke qeshur me të madhe e duke më rrëmbyer dhe mua një buzëqeshje, më pohoi sesi ia kishte dhënë një vajze të vogël çmimin e parë, e sesi motrën e saj binjake e kishte përjashtuar nga konkursi.
Me të njëjtën pafajshmëri, Sokoli filloi të më përshkruante kalvarin e tij të studimeve. Shkollën fillore e gjimnazin e kishte kryer në shkollën e mesme Kombëtare Koreografike (shkolla e baletit) e kjo dukej nga trupi i tij i drejtë, ndërsa shkollën e lartë për regjisurë.“Një ditë dola përpara familjarëve të mi dhe u thashë: Unë dua të bëhem regjisor”, u zhyt ai në të kaluarën. “Dhe kështu ndodhi, unë zgjodha t’i qëndroja besnik ëndrrës sime”, thotë ai.
Fillimet e tij kanë qenë në televizionin e parë privat në Shqipëri, Shijak Tv. Më pas ai do të shpërngulej në Fier për te realizuar disa programe në televizionin lokal të qytetit, Apollon Tv. Paguhej fare pak, por pasioni i jepte shtysë për të mos i ndjerë gropat e rrugës që përshkonte. “Kur fillova shkollën e lartë, pedagogu im ishte Timo Flloko. Ai më mundësoi të njihja Vera Grabockën”, dhe ngjyra e syve filloi t’i ndryshohej. Nuk i kishte më në blu të akullt, por i morën nuancat e një deti disi më të qetë. Një ëndërr e hershme e tija ishte te prekte idhullin e tij të fëmijërisë, regjisoren Grabocka, dhe ai moment kishte ardhur tanimë.
Me pasion ai vazhdonte të më ndante fragmente jetësore.“Jam shumë insistues për të arritur atë që dua, dhe si dëshmi kam produktet e mia artistike”, më tregonte teksa qëndronte i ulur këmbë përmbi këmbë, e lëkundte atë të djathtën pambarimisht.

Fillimisht Sokol Guga do njihej me misionin e tij për të ndihmuar fëmijët në nevojë. I pyetur se përse kishte zgjedhur pikërisht këtë formë për t’u identifikuar si personazh, ai m’u drejtua duke më thënë se “doja të realizoja diçka me vlerë”. “Më është dashur t’i qëndroj nga pas për më shumë se 7 muaj Nexhmije Pagarushës, a ju besohet?”, duke vijuar të përmendte edhe emra të tjerë të njohur të skenës shqiptare si, Margarita Xhepën e Tinka Kurtin, përkthyesin Edmond Tupja, këngëtaren kosovare Shpresa Gashi apo aktorin italian shumë të njohur, Michaele Placido, i cili ka qenë një ndër protagonistët e spektakleve të Gugës.

“Me të huajt megjithatë është më e lehtë”.Sa më surprizoi kur u shpreh në këtë mënyrë. “Po, po, të huajt janë më të thjeshtë,mjafton t’i kontaktosh me mirësjellje dhe menjëherë të përgjigjen. Këtu përmend edhe këngëtarin Mihai Traistariu, rumuni i famshëm i hitit të njohur “Tornero”i cili menjëherë iu përgjigj ftesës sime për të kënduar në “Krishtlindje në Tiranë 3”. Pa hezituar filloi të këndonte me një lloj çiltërsie qesharake, si për të më ndihmuar mua që të bëja lidhjen e emrit me imazhin vizual.

Intervista mori notat e një bashkëbisedimi miqësor. Pa e kuptuar, sërish u spostuam në sferën profesionale. “ “Krishtlindje në Tiranë” është prodhimi im. Deri më tani i kam dhënë jetë“qenies” sime tri herë dhe në dhjetor do të numërohet e katërta herë”, pohoi ai. Përmes një spektakli të realizuar në detaje, Guga do më tregonte se produksionet e këtij lloji kërkojnë muaj punë. Duke përmendur shkallët e vështirësisë në gjetjen e sponsorëve, ai më dëshmoi se ishte tejet këmbëngulës. “Madje edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, kam arritur ta vesh me një fustan të mrekullueshëm.Të mendosh që po flasim për një femër e cila tërë jetës nuk i është ndarë uniformës ushtarake dhe kostumit të Presidentes”, m’u drejtua ai teksa vazhdonte të shijonte kafen e porositur.

E pyeta për konkurrencën nëse ia njihte shijen, por me një lloj impostimi të menjëhershëm më tha se “do doja ta njihja, por deri më tani nuk kam arritur të njoh asnjë nga brezi im që të ketë realizuar spektakle që të kenë pasur përmasat e atyre të miave, dhe trishtohem pasi konkurrenca të shtyn për të bërë punë akoma dhe më të bukura. Unë kam fatin e madh të punoj me kolegë të mrekullueshëm që një pjesë e madhe e tyre kanë moshën e babait tim. E të punosh me ta, vetëm mëson, janë një “shkollë pa diplomë”.
I pandalur në rrugën që ka ndërmarrë për të përshkruar, Sokol Guga do të rikthehet ne skenë dhe televizion për të gjithë publikun në fund të shtatorit (21-22) me një produkt artistik si Balkanika Folk Festival 2018.
Nën siglën e DigitAlb e me mbështetjen e madhe të Bashkisë Tiranë, për herë të parë në Shqipëri, organizohet një festival me përmasa ballkanike.“Balkanika Folk Festival 2018” do të mbledhë në Tiranë plot 12 shtete ballkanike të cilat do të vijnë të garojnë në disiplinën e valles tradicionale. “Gjithçka do të vërtitet rreth përfaqësimit të folklorit. Juria është konceptuar të jetë e përbërë nga 12 përfaqësues të këtyre shteteve, personalitete të artit, por askush nuk do të ketë të drejtën për të votuar shtetin e tyre”. Koli po më tregonte ndër të tjera se në të gjendej edhe sensi i drejtësisë.
Brenda tij gjendeshin kaq shumë personazhe, sa një muaj i tërë nuk do mjaftonte për t’i zbërthyer, e jo më një kafe mëngjesi. “Ka raste që edhe qaj, po e pranoj.Nuk kam turp ta them.Përpara se të shikohet fryti i punës sime në skenë, unë mbyllem në dhomë dhe qaj.Janë emocione të tepërta ndonjëherë, të papërballueshme, dua të qëndroj vetëm.”
“Ama jam shumë supersticioz”, filloi të qeshte me zë të lartë. “Zakonisht unë nuk i shpreh asgjë, askujt. Sidomos kur flitet për produktet e mia artistike. Më duket sikur gjithçka shkrumbohet nga zilia, qoftë edhe ajo e paqëllimta” më preku krahun si për të më thënë që tek unë e kishte krijuar një farë besimi.
…Gota boshe, filxhan të gërryer nga boshllëku, telefona të fikur dhe një bisedë e këndshme, gjithëpërfshirëse. Sokol Guga, 28-vjeçari nga Tirana, është një premtim i bukur i së ardhmes së spektakleve në Shqipëri.
