“Sfidojmë Romën për vendin në Champions”

redaktor

“Asgjë nuk është humbur. Asgjë. Nëse fitojmë nesër do të shkojmë pesë pikë larg Romës dhe mbas dy javës do të shkojmë në kryeqytet për përballjen direkte. Gjithçka varet nga ne”.

Këto kanë qenë fjalët e Roberto Mançinit (djali i të cilit ka nënshkruar me ekipin DC Junajtid të Erik Tohir, pas një muaji provë) para sfidës me Palermon. “Do të vazhdojmë përpara me kokën lart, -ka shtuar trajneri, -skuadra ndërtohet pa u nxituar dhe në ndeshjet e fundit nuk kemi pasur fat, nuk ndodh shpesh të pësosh kaq shumë gola në minutat e fundit…”

Sigurisht rezultati 3-0 kundër Juventus mund t’i ketë bërë mirë moralit të lojtarëve. “Shpresoj që ajo mbrëmje t’i shërbejë ekipit për të kuptuar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Kjo duhet të na japë forcë dhe qetësi për ndeshjet e ardhshme”. Më pas është folur përsëri për rinovimin, duke parë se kontrata e Mançinit skadon në 2017-ën. “Nëse kam folur me Tohir për kontratën? Kam akoma një vit, nuk ka asnjë problem”. Në lidhje me zërat për një krisje të marrëdhënieve mes trajnerit dhe lojtarëve: “Nuk ka ndodhur kurrë: lojtarët kanë pasur gjithmonë një qëndrim pozitiv”.

Në këtë periudhë të vështirë të Inter, shtypi italian ka folur për një Mançini në depresion (“Jo, nuk kam qenë absolutisht”, ka thënë ai duke qeshur), ndërsa trajneri i ka idetë e qarta në lidhje me Mauro Ikardin: “Nuk është e lehtë të jesh kapiten, akoma më pak kur je kapiten i Inter. Kur kam vendosur t’i dorëzoj shiritin e kam bërë këtë sepse kam parë disa cilësi të caktuara tek ai, personalitet. Më pas është e qartë se i duhet pak kohë për t’u pjekur”.

Pjesa tjetër e konferencës i është dedikuar formacionit. “Kondogbia? Është mirë, mund të luajë”. Dyshimi i vetëm ka lidhje me rreshtimin e mesfushës: Medel në krah të Kondogbia, me Brozoviç të zhvendosur më përpara ose Medel-Brozoviç para mbrojtjes, me francezin që mund të lihet pushim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *