Dr. Neki Dredha,
Meleq Kallani
Kanina labërore, zjarrishtja e luftrave për Liri e Pavarësi, ka nxjerr në çdo kohë mëmëdhetarë dhe luftëtarë trima guximplotë e mendjendritur, në mënyrë të veçantë, në epopenë e lavdishme të LANҪ, ku dhanë jetën disa prej tyre. Një nga ata ishte edhe kaninioti fjalëzjarrtë e sypatrembur, trimoshi Shahin Kapllani, i lindur në Kaninë më 19 mars 1923. Ai ishte i biri i Feim Kapllanit (një nga fiset e madha të Kaninës, lidhur ngushtë me banorët saj) dhe i Nafizesë.
Shahini ishte djali më i madh. I ati i tij, Feimi, për të përballuar nevojat në rritje të familjes, punonte dimër-verë në bujqësi, deri natën vonë. Meraku i tij i vetëm ishte edukimi dhe arsimimi i fëmijëve në rritje e sipër. Shahini e ndiqte të atin me dëshirë hap pas hapi. Punonte me të në vreshta, mblidhte ullinj dhe shoqëronte për në shtëpi mushkat e ngarkuara me ullinj ose me prodhime të tjera të stinës. Dëshira e djalit për të punuar e ngazëllente të atin, po herë pas here e tërhiqte mënjanë i thoshte me kujdes: Merru më shumë me mësimet e shkollës.
Shahini e dëgjonte plot ëndje dhe i rrënjoste në tru këshillat e të atit. Djaloshi kaniniot, me trup mesatar, muskulloz e krahë të fuqishëm, ishte plot vrull dhe mjaft enrgjik. Vitet e para të shkollë i kreu në shkollën e Kaninës, ku pati arritje të shkëlqyera në mësime dhe u dallua për zgjuarësi, mprehtësi mendimi e largpamësi, maturi e shkathtësi në të folur, zhdërvjellësi në ushtrimet gjimnastikore, si dhe marrëdhënie të mira me stafin mësimor dhe shokët e tij të shtrenjtë. I ati dhe e ëma e përgëzuan Shahinin për këto arritje e dhunti urtiplotë. Ata, sado të varfër e me një mal me halle mbi shpinë, e nisën Shahinin për të vazhduar më tej mësimet në gjimnazin e Girokastrës (Liceun Francez). Aty shkollimin e filloi në shtatorin e vitit 1937. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti, ashtu si dhe shumë gjimnazistë të Gjimnazit të Gjirokastrës e të mbarë vendit, me indinjatë të thellë. Kjo duket qartë te shënimi i numrit 770 në Regjistrin e Amzës. Zëri kumbues i tij jehoi në Gjirokastër, në Vlorës e në treva e saj, sidomos në Kaninë, atje ku armata italiane kërcënonte dhe mbikëqyrte si bishë e tërbuar qytetin e Vlorës e rrethinat e saj.
Në prag të vitit 1942 Shahini kthehet në Vlorë dhe hidhet menjëherë në ilegalitet. Ai ishte një veprimtar i zjarrtë i rinisë antifashiste. Mori pjesë plot vrull në demonstratat dhe aksionet e kohës kundër pushtuesit të urryer të vendit dhe veproi me urtësi, guxim e trimëri të veҫantë në radhët e njësiteve guerile të qytetit të Vlorës. Një luftëtare e shquar vlonjate (Donika Ҫakërri), shtëpia e së cilës ishte bazë e LANҪ, kujtonte: “Shahini ishte njeri i aksionit. Një ditë afër mbrëmjes ai hyri nxitimthi në shtëpinë tonë, ngjiti shkallët drejt dhomës në katin e dytë dhe hapi rrëmbimthi dritaren me pamje nga deti dhe Sheshi i Flamurit. Aty priste plot ankth e syshkënditës. Pas disa minutash u ndien disa shpërthimet tronditëse tepër të fuqishme dhe gjuhët gjigande të flakëve flakëruan qiellin. Depot e Fashos e të ushqimeve të ushtrisë italiane u hodhën në erë. Italianët të egërsuar e të frikësuar në kulm nisën kontrollet dhe dhunimet nga ҫdo anë, po Shahini ҫakërqejf, pa u larguar nga dritarja, shikonte frutet e misionit të njësitit gueril, ku shquhej dhe heroizmi i tij. Shahinit i ndriste fytyra nga gëzimi. Aksioni ia kishte arritur qëllimit. Në shtëpinë tone – vazhdonte tregimin Donika – hynin e delni shumë partizanë, po trima si Shahin Kapllani nuk më zunë sytë”.
Një shok i tij i aksionit, me një kënaqësi të veҫantë tregonte: “Shahinit iu besua njëherë një detyrë shumë e rëndësishme dhe tepër e fshehtë. Ai duhej të vente nga Vlora në Tiranë, po nuk duhej ta dinte asnjë njeri. Pra, duhej të kryhej me domosdo dhe pa rënë në sy të as askujt. Shahini hartoi me kujdes një plan të veҫantë, që kërkonte vullnet, durim dhe guxim të jashtëzakonshëm. Pasi siguroi mjetet e duhura u fut në fshehtësi të plotë në një arkë frutash bosh, vendosur në një makinë, që ҫonte mollë në Tiranë. Këtu zbriti nga makina në fshehtësi, kreu detyrën e ngarkuar dhe u kthye shëndosh e mirë në Vlorë”
Detyra të tilla në mbështetje të luftës antifashiste ai kreu së bashku edhe me Vebi Hoxhën dhe Mico Eminin, si dhe me Ymer Veshin dhe Vllasi Arapin. Transportimi i ilaҫeve nga Vlora për në spitalin partizan të Ramicës, nga Ujët e Ftohtë në Shashicë e në Mesaplik, si dhe marrja e armëve në depot e ushtrisë fashiste në Babicë për njësitet partizane kishte edhe përpjekjet, guximin dhe trimërinë djaloshare të Shahin Kapllanit.
Në mars të vitit 1942 arrestohet për veprimtari kundër fashizmit dhe dërgohet në burgun e Tiranës, po lirohet shpejtë për mungesë provash. Më tej, Shahini vazhdoi veprimtarin e tij antifashiste. Ai, si një shënjues i saktë e guximlotë, mori pjesë në aksionet e ndryshme, që kryenin njësitet guerile të Vlorës.
Në qershor të vitit 1942, Shahin Kapllani pranohet në radhët e PKSH. Detyra e tij ishte të punonte me rininë. T’u mësonte atyre shkrim e këndim dhe t’u qartësonte synimet e LANҪ. Fjala e zjarrtë e bindëse e tij ngriti në këmbë dhe mbushi rreshta e njësive partizane me të rinj. Oshtima e saj u dëgjua edhe më e fortë, kur u rreshtua në Brigadën e V Sulmuese.
Në muajin janar-shkurt të vitit 1943, me 20 shokë të tjerë, hapi një tunel mbrapa burgut, për të nxjerr shokët e burgosur. Po atë vit Shahini mori pjesë në aksionin e rrëmbimit të “shtypshkronjës Atdheu”, në Vlorë. Ai bashkë me Reis Malilen e ҫmontuan shtypshkronjën gjatë natës, e nxorën nga objekti dhe më pas e ҫuan në Radhimë.

Një bashkëluftëtar i tij kujton: “Ditët e para të marsit të vitit 1943 ҫova natën në Kaninë, te shtëpia e Shahinit, radiontransmetuesen, që kishim marrë në Kuҫovë. Natën tjetër Shahini dhe i ati, Feimi, bashkë me mua e ngarkuam radiotransmetuesen në një gomar dhe e ҫuam fshehurazi në Lagjen Muradie, te shtëpia e Halim Bejtos, në Vlorë. Një bashkëluftëtar tjetë thekson, se Shahini dhe Burhan Beqari gjurmuan një spiun italian të rafinuar, i cili u kishte shpëtuar, me marifet në shumë atentate. Spiuni e ndjeu frikën. Për këtë arsye mori masa të largohej fshehtas në Itali. Para se të ikte nxori plaҫkat e shtëpisë në shitje. Këtë gjë e shfrytëzoi Shahini dhe Burhani. Ata i shkuan në shtëpi, gjasme për të blerë orenditë e tij. Pasi u hëngrën pak për ҫmimin e banesë e bënë të kafshoi dhenë.
Noҫe Osmëni, tezja dhe bashkëluftëtare e Shahinit theksonte, se Shahini urdhërat që i jepeshin i analizonte dhe i gjykonte me urtësi pastaj i zbatonte. Në gusht të vitit 1943 – vazhdonte Noҫja – ai ishte mjaft i shqetësua, për shkak të një diskutimi që kishte patur me Liri Gegën, që punonte për luftë antifashiste atëkohë në krahinën e Vlorës. Mendimet e Lirisë, sipas Shahinit, nuk ishin të drejta. Prandaj ai e kundërshtoi dhe nuk iu bind urdhrit të saj.
Shahin Kapllani, u dallua në ҫdo luftë që bëri Brigada e V sulmuese. Heroizmi i tij ra në sy edhe në kohën, që Brigada e V Sulmuese ndiqte këmba këmbës ushtrinë naziste nga Shqipëria e Mesme drejt Veriut. Pushka e tij shkrepëtiu në luftën e Peqinit, në Qafën e Gjarprit, në Krabë, në Shupal, në Mat, në Macukull, në Selishte, e në Sinjë të Peshkopisë. Këtu nazistët gjermanë vunë në veprim gjithë armatimin e rëndë që dispononin. Po edhe partizanët e Brigadës së V Sulmuese hapen zjarr tepër të furishëm mbi ta. Sado që gjermanë u thyen, në luftë e sipër, një mortaj plasi aty afër, në kohën që Shahin Kapllani hodhi bombën e dytë drejt vendndodhjes së gjermanëve. Presioni shpërthyes, flaka dhe copat goditëse të mortajës e detyruan Shahinin të mbrohej në vendndodhjen e tij. Më afër dhe më saktë portretin e luftëtarit Shahin Kapllanit nga Kanina na i sjellin edhe bashkëluftëtarët e tij. Shamet Gjika, që kishte qënë pranë Shahinit në disa aksione e beteja kundër nazi-fashistëve dhe bashibozukëve të tyre thotë: “Pas betejës kundër pushtuesve në Qafën e Gjarprit, ku Shahin Kapllani u plagos lehtë, ai tregoi trimëri të rrallë edhe në luftimet e Krrabës. Ishte Shahini ai, që së bashku me luftëtarët e kompanisë, që luftuan për pesë orë rresht dhe e sprapsën armikun”. Po kështu, luftëtari antifashist Haki Gjondeda kujton: “ E kisha njohur Shahin Kapllanin nga Kanina në betejat e ashpra kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Pas luftimeve në Macukull e Selishtë të Matit u gjendëm përballë armikut në kodrat e Sinjës në Peshkopi. Pas luftimeve të para, nisëm riorganizimin në pozicione të reja. Ishte pasdite kur sulmi i pushtuesve me artileri të rëndë nisi përsëri. Mortajat armike i hidhni predhat në pozicionet tona. Shahini u ngrit mbi pozicionet dhe hodhi dy bomba pranë mortajave, por kur hodhi bombën e tretë, një mitroloz armik e preu në mes. Gjaku i tij shndrit në altarin e Lirisë. Kështu ra herokisht në Sinjë të Peshkopisë, më 28 qershor të vitit 1943, biri i shtrenjtë i Kaninës, mëmëdhetari dhe luftëtari i orëve të para të LANҪ, oratori fjalëzjarrtë, shënjuesi symprehtë, dëshmori i Atdheut, Shahin Kapllani. Trupi i tij prehet tej në kodër, ku lartohen Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Vlorës, atje ku valvitet Flamuri i Lirisë, Fushëkuqi me Shqiponjën me dy Krerë, atje ku rreh zemra e Kombit shqiptar.
Gjaku kaniniot, / Gurra e Kaninës, / Do kuqoi nga mot / Në kodrat e Sinjës.
Atje ku ra trimi, / Shpirt’i trimërisë, / Orator Shahini, agu i Lirisë.
Te pllakë e qivurit / gjaku i tij driton / në fushë të Flamurit, / Ҫerdhes për Shqiponjë…

I paharuar kujtimi vepra gjaku i deshmoreve te Reneve per Atdheun!
Lavdi deshmoreve te LANCit!
I paharuar kujtimi vepra gjaku i deshmoreve te Reneve per Atdheun!
Lavdi deshmoreve te LANCit!