Shalke dhe Bajern do të ndeshen sot në Gelsenkirshen, pas fitoreve të pastra 3-0 që arritën në Champions League në mesjavë. Sulmuesi i vendasve, Jeferson Farfan paralajmëron kampionët e Gjermanisë, me besimin se Shalke mund të bëjë gjithçka. “Do të japim maksimumin përballë një prej ekipeve më të mira të Evropës”, thotë peruani. “Gjithçka është e mundur, sepse ne kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe do të japim maksimumin për të fituar”. Farfan shton se blerja e Kevin-Prince Boateng dhe Denis Aogo e ka forcuar shumë grupin e drejtuar nga Jens Keller. “Boateng dhe Aogo janë lojtarë me cilësi të mëdha. Ata e kanë përmirësuar shumë skuadrën. Kam shumë besim se këtë sezon mund të luftojmë për të fituar kampionatin”. Ndërkaq, përballë do të jenë edhe dy vëllezërit, Zherom dhe Kevin Prince Boateng. I pari thotë se në fushë do të jenë armiq për 90 minuta dhe secili dëshiron fitoren e skuadrës e jo suksesin personal. Kevin Prince u transferua në fundin e merkatos nga Milani dhe ka qenë menjëherë përcaktues, duke shënuar në kampionat dhe Champions League.
