Shansi i dytë për maturantët humbës

anazapta

Pas shpalljes së listave zyrtare të fituesve në universitetet, burimet zyrtare të AKP-së bëjnë me dije se shansi i dytë për të gjithë maturantët që ende nuk janë pjesë e listave të fituesve do të vijë rreth datës 15 tetor. Ditë në të cilën do të shpallet formulari A3 dhe kuotat e mundshme që do të rikthejnë në garë për të fituar studimet e larta publike mijëra maturantë që janë ende në pritje. Menjëherë më pas do të nisë dhe plotësimi i tij në sistemin online, njëlloj sikundër ndodhi me formularin A2. Ndryshimi i vetëm ka të bëjë me përmbajtjen e këtij formulari, i cili nuk do të ketë më në përmbajtje degët e preferuara, për të cilat ka fluks të lartë kërkesash, por vetëm degët që do të rezultojnë me vende të mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve përfundimtare. Deri tani, sipas përllogaritjeve të bëra nga specialistët e AKP-së, rezultojnë më shumë se tre mijë kuota bosh. Shifrës së raportuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i shtohen edhe kuotat bosh të mbetura nga largimi i shumë të rinjve për studime jashtë vendit. Gjatë ditëve në vijim pritet që Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), të zbardhë edhe udhëzimin specifik në lidhje me procedurat që do të ndiqen për plotësimin e këtij formulari.

 

Nisin aplikimet për “Master profesional” part-time tek Ekonomiku

Ndryshe nga fakultetet e tjera që i kanë mbyllur tashmë aplikimet për pranimet e reja në programet e studimit “Master profesional”, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës krahas çeljes së kësaj procedure ka detajuar edhe kriteret që i favorizojnë aplikuesit për të qenë fitues. Sipas burimeve zyrtare të këtij fakulteti aplikimet do të bëhen tek Dega e Shërbimeve deri në datën 15 tetor. Për të mos penguar aplikimet është menduar që ky proces të qëndrojë i hapur edhe gjatë fundjavës, natyrisht që kundrejt orareve të reduktuara (nga ora 09:00 deri më 13:00 gjatë fundjavës). Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të muajit shtator për “Kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë”, thuhet se për të fituar një të drejtë studimi në këtë cikël aplikuesit duhet të konkurrojnë me anë të dosjes. Në përmbajte të saj dosja duhet të ketë: “Formën e aplikimit nëpërmjet plotësimit të formularit përkatës, fotokopjen e noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve bashkë me listën e notave, paraqitjen e dokumentit origjinal të identifikimi dhe dorëzimi i fotokopjes në dosje, 2 fotografi, mandat arkëtimin e tarifës së regjistrimit prej 2500 lekësh, paguar në zyrat e Postës Shqiptare. Gjithashtu kërkohet edhe një deklaratë e kandidatit, që nuk ndjek asnjë program tjetër studimit në institucionet e Arsimit të Lartë Publik , si dhe vërtetim nga qendra e punës. Ndërkohë që kandidatë të cilët fitojnë të drejtën për të vijuar këtë cikël studimesh, krahas faktit që nuk duhet të vijojnë studimet paralelisht në një tjetër universitet publik, duhet që deri në përfundim të ciklit të studime të mbrojnë edhe gjuhën angleze sipas testeve ndërkombëtare.

Kanë të drejtë të aplikojnë

1. Kanë përparësi për të qenë fitues studentët e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe fakultete të tjera të UT-së.

2. Kandidatët që janë diplomuar në universitetet e huaja

3. kandidatët që janë diplomuar në universitetet publike me profil ekonomik

4.  Kandidatët e diplomuar në universitetet publike me profil jo-ekonomik

5. Po ashtu edhe ata të diplomuar në universitet private

 

Kriteret që do të merren në shqyrtim për shpalljen e fituesve:

1. Mesatarja e përgjithshme e studimeve universitare në nivelin “Bachelor”

2. Vjetërsia në punë

a) Studentët që kanë mbaruar studimet universitare në sistemin me kohë të plotë, duhet të kenë jo më pak se dy vite eksperiencë në punë nga data e diplomimit në nivelin “Bachelor”

b) Studentët që kanë mbaruar studimet universitare në sistemin me kohë të pjesshme, si rregull duhet të kenë të paktën një vit eksperiencë në punë nga data e diplomimit në nivelin “Bachelor”

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *