Pranvera Kola
Maturantët jo-fitues kanë edhe një shans të fundit për të garuar për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020. Mbyllja e regjistrimeve të raundit të dytë (përgjatë ditës së djeshme) ka treguar se pjesa dërrmuese e programeve të studimit vijojnë të kenë ende kuota të lira pranimi. Çka do të thotë se të gjithë maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë studimi, mund të aplikojnë sërish gjatë këtij raundi duke hyrë në garë me dhjetë preferenca të reja. Sikundër ka ndodhur edhe në dy fazat e tjera, edhe për raundin e tretë aplikimi do të bëhet online në portalin “u-Albania”. Specialistët e arsimit bëjnë me dije se gjatë aplikimit online të këtij raundi, në garë do të shfaqen vetëm programet e studimit që kanë kuota të paplotësuara, çka do të thotë se mundësitë për të siguruar degët më të preferuara janë më të kufizuara. Për degë të tilla si: mjekësi, infermieri apo arkitekturë nuk do të ketë aplikime, pasi kuotat e pranimit janë plotësuar gjatë dy raundeve të mëparshme.
Aplikimi me 10 preferenca të reja
Sipas afateve të përcaktuara në udhëzimin e aplikimit të miratuar më herët nga dikasteret përgjegjëse të arsimit të lartë, saktësohet se aplikimet për raundin e tretë do të zhvillohen në periudhën 12-14 tetor. Në këtë raund kanë të drejtë të aplikojnë, duke përzgjedhur deri në 10 programe studimi, të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1/A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, dhe që plotësojnë një nga këto kushte: Nuk kanë arritur të regjistrohen në raundin e parë, ose të dytë, kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë, ose të dytë dhe nuk janë shpallur fitues, kanë kryer procesin e aplikimit online në dy raundet e mëparshme dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe ata që janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë ose të dytë.

Kushti për të mos u skualifikuar
Po sipas udhëzimit, saktësohet se maturantët dhe kandidatët e tjerë që nuk kanë aplikuar në raundin e parë ose të dytë, nëse përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, nuk kanë kryer pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania, nuk mund të vijojnë më tej procedurat e konkurimit për raundin e tretë. Ndërsa maturantët që kanë aplikuar në raundin e parë apo të dytë, dhe do të riaplikojnë në raundin e tretë, nuk duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit për këtë raund. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 11 tetor në portalin online. Duhet të bëni kujdes pasi afati i fundit i lejuar për derdhjen e pagesës së aplikimit është dita e nesërme. “Për një aplikim të suksesshëm duhet që fillimisht të hyni në portalin U-Albania, ku duhet të logoheni me ID mature dhe ID kartë së identitetit. Më pas duhet të shkarkoni faturën nga portali dhe të kryeni pagesën në postë ose bankë, të ruani kodin përkatës. Mandatin e pagesës dorëzojeni tek mbikëqyrësja e shkollës. Pasi të dorëzoni faturën, keni akses për të aplikuar për zgjedhjen e 10 degëve ku do të konkurroni në raundin e tretë”, sqarojnë ekspertët e arsimit.
Regjistrimi i fituesve të raundit të tretë
Pas shpalljes së listës së fituesve, çdo kandidat duhet të paraqitet në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës për të kryer regjistrimin në një nga programet e studimit ku është shpallur fitues. Regjistrimet për fituesit e raundit të tretë fillojnë do të kryhen në datat 21 tetor deri 26 tetor 2019 (3 faza 48-orëshe: 21-22, 23-24 dhe 25-26 tetor). Në këto data të gjithë aplikantët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e tretë dhe janë shpallur fitues, kryejnë procesin e regjistrimit duke paraqitur dokumentacionin në sekretaritë mësimore, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Për regjistrim (mund t’i dorëzoni personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar me prokurë nga ana juaj) duhet ky dokumentacion: dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja, fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, deklaratën të cilën e gjeni në udhëzimin e plotë, duhet ta printoni dhe plotësoni të sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni. Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit. Nëse nuk regjistroheni brenda afateve humbisni të drejtën për të vijuar studimet e larta përgjatë këtij viti.
Çregjistrimi i fituesve të raundit të dytë
Nëse jeni regjistruar në një program studimi, por dëshironi që në raundin e tretë të fitoni një tjetër preferencë, ju mund të kryeni procesin e çregjistrimit në datën e përcaktuar. Vetëm në këto kushte dega e studimit mund të ndryshohet. Referuar afateve të përcaktuara, ju mund të çregjistroheni vetëm më datën 1o tetor. Për këtë çdo kandidat duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku dhe është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. Më pas duhet të plotësoni sërish formularin A2 në raundin e 3-të, për të hyrë në garë për studimet e larta në një tjetër degë të preferuar. Duhet të bëni kujdes, pasi nëse nuk çregjistroheni me 10 tetor, nuk mund ta ndryshoni më degën e studimit brenda këtij viti akademik. Shanset për të fituar një tjetër degë mund të ndodhin vetëm nëse kryhet ky proces, në të kundërtën ata do të mbeten student të programit të parë, ose nëse nuk regjistrohen e humbasin këtë të drejtë. Çregjistrimi kryhet në portalin U-Albania nga sekretaria mësimore e fakultetit. Sekretaritë mësimore, në përfundim të procesit të çregjistrimit të aplikantëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, përcjellin në portalin U-Albania listën e aplikantëve të çregjistruar në format elektronik, brenda datës së përcaktuar në kalendarin e miratuar me urdhër të titullarëve të QSHA-së dhe RASH-it.
Raundi 3, afatet e aplikimit dhe regjistrimit të fituesve

