Disfata ndaj Skënderbeut nuk kaloi pa lënë pasoja te klubi i Kukësit dhe ai që pagoi faturën e lartë të humbjes ishte trajneri Artim Shaqiri. Drejtuesit e klubit verilindor ja atribuuan përgjegjësitë teknikut nga Struga, duke e shkarkuar nga detyra që mbante.
Vetë 41-vjeçari gjatë një lidhjeje telefonike në “Ora Skaner” e pranoi pa polemika vendimin e drejtuesve, duke shprehur njëkohësisht dëshirën që Kukësi të jetë triumfues në finalen e Kupës së Shqipërisë, një finale ku ai vetë e dërgoi të mërkurën e shkuar. “Lajmi është i konfirmuar, nuk ma ka komunikuar presidenti , por sekretari i klubit. E pranoj vendimin e presidentit, puna e trajnerit e tillë është. Patëm dy objektiva, për fat të keq dështuam në luftën për titull. I uroj Kukësit të fitojë Kupën e Shqipërisë”, tha Shaqiri.
Ndërkohë që presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk u ndal tek çështja e trajnerit, por ia la përgjegjësinë e humbjes gjyqtarit të takimit, ku deklaroi: “Mendoj se në një farë mënyrë ndikoi gjykimi i arbitrit. Smajli duhej këshilluar dhe jo ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Përsa i përket kampionatit e shoh të vështirë, por jam i sigurt që Skënderbeu nuk e fiton”.
