Apolonia mund të konsiderohet pa më të voglin dyshim si macja e zezë e Kukësit. Fierakët i ndalën për të dytin takim radhazi verilindorët këtë herë në një barazim 2-2 në “Loni Papuçiu”, me skuadrën e Shaqirit që në pjesën e dytë arriti të rikuperonte një dizavantazh prej dy golash falë finalizimeve të Lushtakut dhe Pejic në fund pasi mund edhe të kishte dalë pa pikë nga transferta e Fierit.
I pakënaqur për paraqitjen e skuadrës së tij u shfaq trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri edhe pse ky fundit vlerësoi reagimin e të tijëve pasi pika e marrë i mban kuksianët në krye të tabelës së klasifikimit në kuotën e 49 pikëve.
“Padyshim që kam vërejtje pasi nuk është ky Kukësi që të gjithë duan të shohin, nuk është ky Kukësi që unë kisha përgatitur për një sfidë të tillë. Gjithsesi ne morëm një pikë që na jep mundësi të ruajmë vendin e parë.
Ndaj Apolonisë gabuam shumë. Kundërshtari luajti mirë dhe na vuri në vështirësi. Sot futbollistët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë por edhe pse nuk kishim një plan A, një plan B apo një plan C për t’i ndryshuar rrjedhën takimit arritëm të reagonim në pjesën e dytë duke marrë një pikë me shumë vlera”.
Për trajnerin e Apolonisë, Artan Mërgjyshi një barazim i marrë në tillë mënyrë ishte më shumë si një humbje për skuadrën e tij. “Është për të ardhur keq që humbëm dy pikë sot. E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe zgjodhëm një mënyrë loje për ta kapur të papërgatitur kundërshtarin.
Realizuam 2 gola dhe kishim mundësi të realizonim edhe golin e avantazhit të trefishtë që do të na kishte mundësuar fitoren e sfidës. Gjithsesi jam i kënaqur pasi mbi të gjitha sot kemi shënuar 2 gola. Të gjithë prisnin një Apoloni ndryshe përballë Kukësit por ne sot treguam që nuk kemi frikë asnjë kundërshtar, madje edhe kryesuesen e kampionatit.
Pas golit të parë të Kukësit skuadra u tremb dhe nuk kishte më besim në aftësitë e veta. Kam dyshimet e mia për golin e dytë të Kukësit, por gjithsesi dua të them se sot e kemi humbur ne ndeshjen, pasi këtë barazim mund të konsideroj si një humbje”.
I pyetur për shanset që ka Apolonia përsa i përket objektivit mbijetesë, Mërgjyshi theksoi se dy ndeshjet e radhës ndaj rivalëve direkt si Elbasani dhe Teuta do të jenë vendimtarëve për fatin e fierakëve.
