Pak fjalë por që tregojnë shumë për situatën që po kalon Xherdan Shaqiri te Interi. Mesfushori i lindur në Gjilan, pavarësisht komenteve e analizave rreth ecurisë së tij, këmbëngul se po punon çdo ditë për të dhënë kontributin për skuadrën. Që prej transferimit të bujshëm nga Bayerni në Janar, Shaqiri më shumë ka ngrohur stolin sesa ka luajtur, megjithatë ai nuk preferon të ndezë polemika me klubin. Në një intervistë për mediat zvicerane, futbollisti me origjinë shqiptare tregohet i kujdesshëm kur flet për rolin e tij te zikaltërit.
“Qëndrimi im në stol? Jam i qetë. Gjithmonë përpiqem të jap maksimumin në stërvitje dhe në çdo moment jam në dispozicion të skuadrës. Objektivi kryesor që kemi është të arrijmë kualifikimin në Europa League. E ardhmja ime? Për suksesin nevojitet kohë dhe mua më duhet ende kohë që të përshtatem plotësisht me Serinë A”.
Në 13 ndeshje, Shaqiri ka kontribuar për Interin me një gol dhe dy asist, ndërkohë që pritet shumë më tepër prej tij. Në takimin e fundit me Lazion, Mancini e la për 90 minuta në stol, por të shtunën kundër Juventusit, Xherdani pritet të jetë titullar për shkak të pezullimit të Hernanes dhe dëmtimit të Guarin.
