Shaqiri: Nuk shkojmë për t’u mbrojtur në Korçë

redaktor

Kukësi përgatitet për një javë impenjative, nga ku varen dhe fatet e sezonit. Në një përballje të dyfishtë me Skënderbeun, kampionët e dimrit në fillim do të diskutojnë për kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe më pas për kreut e kampionatit. Aksi Korçë-Kukës i ndezur prej tre sezonesh do të përjetojë aktin e dytë të gjysmëfinales së kupës me sfidën e kthimit në stadiumin Skënderbeu. Trajneri i verilindorëve Artim Shaqiri nuk shpërqendrohet, dhe të tërë vëmendjen e çon tek sfida e Kupës që është e para në radhë në këtë duel të dyfishtë më Skënderbeun brenda javës. “Gjithçka varet nga ne. Janë edhe 90 minuta për tu luajtur dhe nuk do të shkojmë në Korçë për tu mbrojtur, por për të luajtur futboll. Kemi këtë ndeshje në vëmendje pastaj do të mendojmë për sfidën e kampionatit”, pohoi kreu i stolit kuksian.

Trajneri strugan shkon në sfidën e kthimit të gjysmëfinales së Kupës me organikën e plotë, një lajm i mirë për të në një moment delikat të sezonit. Duke evidentuar të tregojë formacionin 41-vjeçari shpreson se kushdo që të zbresë në fushë të rezultojë deçiziv: “I kam të gjithë të gatshëm, por do të vendosim përpara ndeshjes formacionin. Shpresoj që Pejic dhe kushdo tjetër që do të jenë në fushë të rezultojnë vendimtar”.

Kukësi është shpallur dy sezone radhazi nënkampion i vendit, ndërsa në Kupë është eliminuar së pari në gjysmëfinale nga Laçi që më pas fitoi trofeun dhe sezonin e shkuar u mposht në finale nga Flamurtari. Megjithatë Shaqiri nuk sheh historinë, por mendon për të ardhmen: “Nuk më intereson historia, pasi luajmë me të ardhmen. Çfarë ka kaluar ka kaluar. Mund të thuash që është viti i Kukësit, por ka shumë ndeshje deri në fund. Në fillim është kjo përballje”.

Kukësi shkon në Korçë me një rezultat për të mbrojtur falë fitores 1-0 në takimin e parë në “Zeqir Ymeri”, në sfidën që do të luhet në orën 17:30 në stadiumin Skënderbeu.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *