SHBA, bankat marrëveshje me prodhuesit e marijuanës

anazapta

Administrata Obama njoftoi të shtunën për dispozitat e reja ligjore, të cilat do t’i lejojnë bankat amerikane të pranojnë si klientë të tyre prodhuesit dhe shpërndarësit e marijuanës. Departamenti i drejtësisë amerikane ka shpërndarë disa udhëzime për prokurorët federalë duke qartësuar se bankat që bëjnë biznes me shitësit e ligjshëm të marijuanës nuk duhet të ndiqen penalisht. Nga ana tjetër, vetë bankat duhet të sigurohen që shitësit e marijuanës t’i përmbahen rregullave dhe të mos ua shesin drogën të miturve.

Lajmin e bën të ditur “Washington Post”, duke shtuar se zyra e Departamentit të Thesarit që merret me hartimin dhe organizimin e rregullave për mbrojtjen e sistemit financiar nga krime si riciklimi i parave ka vendosur disa udhëzues që mund t’ua bëjnë më të lehtë bankave punën me shpërndarësit e marijuanës.

Në Shtetet e Bashkuara, ligji federal e klasifikonte marijuanën si drogë të paligjshme. Por tani, në 20 shtete amerikane shitja e kanabisit është legalizuar për qëllime terapeutike, ndërsa në Uashington dhe Kolorado lejohet edhe për “përdorim rikrijues”. Ndërhyrja në favor të industrisë së marijuanës ishte paralajmëruar muajin e kaluar nga ministri i Drejtësisë, Eric Holder, në fjalën e mbajtur në Universitetin e Virxhinias. Atje ai shpjegoi se bëhet fjalë për një lëvizje të rëndësishme, që iu mundëson prodhuesve të kanabisit aksesin ndaj të gjitha shërbimeve në sistemin bankar.

Deri më sot prodhuesit, janë detyruar t’i zhvillojnë bizneset e tyre me para në dorë, duke u bërë shpesh viktima të grabitjeve dhe dhunës. Muajin e kaluar, shoqata që mbulon të drejtat e kësaj kategorie pohoi se si mungesa e një praktike të tillë ishte jo vetëm penguese por edhe absurde, meqë në 2014-n shitja e kanabisit parashikohet të arrijë në 3 miliardë dollarë “dhe gjithë këto para që qarkullojnë jashtë bankave nuk janë një sistem i sigurt e aq më tepër në interesin publik”. /Dorina Gjuzi  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *