Presidenti kinez Xi Jinping dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kanë mbrojtur një bashkëpunim më të madh ekonomik dhe strategjik midis dy vendeve dhe kanë mbështetur një model marrëdhëniesh dypalëshe që lë prapa rivalitetin dhe modelet e vjetra të konfrontimit. Në fillim të raundit të gjashtë të Dialogut Ekonomik dhe Strategjik mes dy fuqive, që u mbajt dje dhe sot në Pekin, Kerry dhe Xi kanë insistuar që të sheshojnë diferencat “ekzistuese dhe të natyrshme” dhe të analizojnë marrëdhëniet bilaterale në një kuptim më të gjerë. “Të dy vendet duhet të marrin parasysh se interesat e tyre janë më të mëdha se mosmarrëveshjet”, tha XI, i cili ka kërkuar që të “thyejnë modelin e vjetër të konfrontimit të pashmangshëm”. Në një fjalim pajtues, Kerry i është referuar zhvillimeve historike të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kinës dhe pranoi se ka pasur një farë rivaliteti mes fuqive, por tani kjo armiqësi “nuk është e pashmangshme, por një zgjedhje”. Kështu, dy liderët janë përpjekur të zbusin hezitimin reciprok, që kohët e fundit është rritur për shkak të mbështetjes që SHBA ka pasur ndaj rivalëve të Kinës në rajonin Azi-Paqësor dhe kapjen e pesë ushtarëve kinezë të dyshuar për spiunazh industrial ndaj kompanive amerikane. “Dua të bëj të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë të përmbajnë Kinën. Ne mirëpresim shfaqjen e një vendi të qetë, të qëndrueshëm dhe me prosperitete që kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe që zgjedh të luaj një rol të përgjegjshëm në çështjet botërore”, tha Kerry në fjalën e tij. Xi, ndërkohë, argumentoi se çdo lloj konfrontimi “do të çojë në katastrofë për dy vendet si dhe për pjesën tjetër të botës” dhe ka siguruar se asnjë nga ato shtete nuk mund t’i lejojë vetes një gabim në çështjet kyçe, sepse me shumë mundësi do të shkatërronte të gjithë projektin”.
SHBA kërkon një liberalizim më të shpejtë ekonomik
Presidenti kinez, megjithatë, ka dashur të insistojë në linjat e kuqe të negociatave: respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe modelit të zgjedhur të zhvillimit, që në Pekin njihet me “socializmi me karakteristika kineze”. Ky është një lloj zhvillimi që në fushën ekonomike, vazhdon të ngjall dyshime për nga kontrolli tradicional shtetëror ndaj sistemit ekonomik dhe financiar të vendit, një ndërhyrje që po reduktohet gradualisht, por që SHBA kërkon ta liberalizojë më shpejtë dhe aq më tepër kur roli i Kinës në ekonominë botërore është gjithnjë edhe më i rëndësishëm. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit Jacob Leë, përgjegjës për udhëheqjen e bisedimeve për frontin ekonomik, këmbënguli edhe një herë për të përshpejtuar liberalizimin e monedhës kineze, juan dhe kërkoi një marrëveshje “të barabartë” për kompanitë amerikane që veprojnë në Kinë. Çështje të tjera të trajtuara gjatë këtij takimi ishte strategjia e përbashkët për të luftuar ndryshimet klimaterike, situata në Ukrainë, Afganistan, Iran dhe në gadishullin Korean, ashtu si dhe strategjitë për të luftuar terrorizmin, një fenomen në rritje në Kinë pas një vale atentatesh të lidhura me rajonin veriperëndimor të Xinjiang. Të gjitha këto diskutohen brenda mureve të rezidencës shtetërore të miqve në Diaoyutai, i vendosur në Pekinin perëndimor, një kompleks i cili në vitin 1972 dëshmoi takimin historik midis Richard Nixon dhe Mao Zedong, diçka që Xi Jinping e kujtoi dje në fjalën e tij. Presidenti kinez gjithashtu duke iu referuar “modelit të ri të marrëdhënieve” që filluan dy vendet, recitoi një fragment të poetit bashkëkohor me origjinë amerikane Marianne Moore: “Fitorja nuk do të vijë tek unë nëse unë nuk shkoj drejt saj”.

Njerez te mencur, pushtetare me filosofi pragmatiste !
Ndersa ne Shqiperi qeveritaret tane jane thjeshte ”dia-
rre llafesh ” alla Berisha, pa filosofi , me mire me thene
filosofi te urrejtjes, filosfine vrasese, hajduterise, mafioz-
llekut …!!!!