Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë vijuar me bombardimet në rajone të ndryshme të Sirisë, teksa palët kanë njoftuar avancim në përpjekjet për shkatërrimin e Shtetit Islamik. Në një komunikatë për mediat, Departamenti amerikan i mbrojtjes njoftoi se rebelët e mbështetur prej tyre nga ajri kanë arritur që të marrin nën kontrroll qytetin Manbij i cili ndodhet shumë pranë kufirit me Turqinë.
Sipas lajmërimit, koalicioni anti-ISIS ka arritur që të neutralizojë edhe ekstremistët e fundit që kishin mbetur në këtë zonë. Përgjatë muajve që lamë pas, militantët e Shtetit Islamik të qytetin Manbij kishin përdorur civilët si mburojë për të frenuar avancimin e rebelëve që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Uashingtoni nënvizoi se rimarrja e këtij qyteti si dicka mjaft të rëndësishme, pasi sipas tyre, kjo do t’a favorizojë koalicionin ndërkombëtar anti ISIS për të fituar terren edhe në qytetin e Rakas, që cilësohet si kryeqëndra de facto e organizatës terroriste.
Nga ana tjetër, forcat ajrore ruse kanë vijuar me bombardimet e tyre në provincën Deir ez-Zor, e cila është një tjetër pikë strategjike për ISIS. Për t’u theksuar është fakti se kjo është hera e parë që rusët përdorin një bazë të një shteti të tretë për të ekzekutuar operacionet ajrore.
Zyrtarët rusë dhe iranianë kanë deklaruar se ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim i cili është shkatërrimi përfundimtar i Shtetit Islamik. Ministria e Mbrojtjes në Rusi raportoi se pas operacioneve, 150 militantë të ISIS kanë mbetur të vrarë.
Disa vende perëndimore janë shprehur se Rusia mund t’a shfrytëzojë këtë moment për t’i shitur armë Iranit, por ka qënë ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili nënvizoi se dicka e tillë nuk ka për të ndodhur dhe se palët nuk do t’a shkelin rezolutën 2231 që është miratuar nga Këshilli i Sigurimit në OKB.
