SHBA dhe Rusia nisin dialogun për situatën ushtarake në Siri

Ornela

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, njoftoi sot në Londër se shpreson që bisedimet ushtarake mes SHBA-së dhe Rusisë mbi konfliktin në Siri të fillojnë shumë shpejtë. Kreu i diplomacisë amerikane tha në fillim të një vizite tre ditore në Mbretërinë e Bashkuar se këto bisedime janë një hap i rëndësishme që do të ndihmojë në përcaktimin e disa opsioneve të ndryshme të mundshme, përpara se të merren në konsideratë hapat e ardhshme në Siri. “Objektivi ynë kryesor vazhdon të jetë shkatërrimi i Shtetit Islamik dhe gjithashtu arritja e një pakti politik në lidhje me Sirinë, diçka që sipas nesh nuk mund të arrihet me praninë afatgjatë të presidentit sirian Bashar Asad”, pohoi Kerry.

Ndërsa Presidenti rus, Vladimir Putin, shtoi se ka qëllim të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë ushtarake dhe teknike qeverisë siriane për të luftuar kundër xhihadistëve, diçka për të cilën janë shfaqur kundër Shtetet e Bashkuara.

Duke pasur parasysh këto mospërputhje Kerry u shpreh se Presidenti amerikan, Barack Obama, beson se këto bisedime mes ushtarakëve janë një hap i rëndësishëm për të avancuar drejt një zgjidhjeje të konfliktit. “Po kërkojmë mënyrë për të gjetur një terren të përbashkët me Rusinë”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit që ka insistuar edhe herë të tjera se Asad nuk mund të jetë pjesë e tranzicionit politik të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.

Megjithatë Putin është shfaqur partizan i idesë që regjimi sirian të marrë pjesë në një koalicion ndërkombëtar për të luftuar kërcënimin terrorist që përfaqëson Shteti Islamik. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pohoi sot se Rusia do të studiojë mundësinë për të dërguar trupa në Siri për të marrë pjesë në operacionet ushtarake kundër Shtetit Islamik. “Nëse ka një kërkesë atëherë, fillimi i marrëdhënieve dhe dialogut dypalësh natyrisht do të studiohet dhe debatohet”, theksoi Peskov.

Por menjëherë pas këtij lajmi, Ministrat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë zhvilluan bisedimet e para në lidhje me konfliktin në Siri. Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter bisedoi me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu mbi mundësinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve, thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Pentagoni.

Konflikti që jeton Siria që nga marsi 2011 kur në vend lindën një sërë protestash kundër qeverisë së Al Asadit, ka shkaktuar rreth 220 mijë të vrarë dhe më shumë se 4 milionë refugjatë në vendet fqinje ashtu si dhe 7.6 milionë të zhvendosur brenda vendit, sipas përllogaritjeve të OKB-së. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *