SHBA dhe Turqia, objektiv i spiunazhit gjerman

redaktor

Shërbimi Federal Gjerman i Inteligjencës (BND) u urdhërua nga Qeveria gjermane që të spiunojë në mënyrë sistematike Turqinë, një vend anëtar të NATO-s dhe për këtë arsye, një aleat strategjik i Gjermanisë. Urdhri është përfshirë në të ashtuquajturin “profil nga qeveria federale (APB, akronimi i saj në gjermanisht)”, që përditësohet çdo katër vjet dhe që është në fuqi që prej vitit 2009-të.

Puna sekrete e BND-së në Turqi ka dalë në dritë të shtunën nga revista gjermane “Der Spiegel”, e cila gjithashtu thekson se shërbimi i inteligjencës zbuloi dhe regjistroi të paktën një thirrje telefonike të bërë nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, në vitin 2013. Telefonata e Kerry-t u kap nga një rrjet përgjuesish që posedon BND në Lindjen e Mesme. Sipas “Der Spiegel”, rrjeti i përgjimeve BND në vitin 2012, regjistroi një bisedë telefonike që Hillary Clinton bëri me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Koffi Annan.

Bisedat e përgjuara nga BND, sipas revistës, u kapën rastësisht dhe të dyja janë kryer në kuadër të një operacioni që monitoron organizatat terroriste në Lindjen e Mesme. Përgjimi i kryer nga BND, me seli në qytetin bavarez të Pullach dhe spiunazhi i kryer në Turqi, përveç se shkakton një tronditje diplomatike në Berlin, tregon qartazi se Shërbimi Federal Gjerman i Inteligjencës përdor të njëjtat metoda si Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA), e cila zhvilloi nga Ambasada amerikane në Berlin përgjime sistematike të celularit të Kancelares Angela Merkel dhe ndoshta të gjithë familjes politike gjermane.

“Përgjimet” ilegale të realizuara për Clinton dhe Kerry-n u analizuan në mënyrë diskrete nga kupola e BND-së që, pas leximit të transkripteve, urdhëroi shkatërrimin e tyre. Por për ironi të fatit, detyra për të shkatërruar dokumentet i ra Markus R, një zyrtari i BND-së, i cili ka punuar si një agjent i dyfishtë për CIA-n. Para se të shkatërronte dokumentet, ai bëri dy kopje dhe më pas ia dha një CIA-s. Në sajë të punës së spiunit gjerman, CIA posedon një kopje të “profilit të qeverisë federale”, një “fletore detyrash” konfidenciale e hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit, së bashku me Kancelarinë dhe përmbledh të dhënat që Qeveria do të marrë për vendet e tjera. APB tregon me hollësi, për shembull mënyrat specifike të mbikëqyrjes së organizatave terroriste, prodhimin dhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, për Lindjen e Mesme, Rusinë dhe Kinën.

Dokumenti i jep dritën e gjelbër BND-së për të përgjuar komunikimet në të gjitha vendet ku dyshohet se ka gjasa të terrorizmit, por gjoja përjashton nga përgjimi anëtarët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky aspekt i dokumentit deri tani ka nderuar filozofinë e Kancelares Merkel që theksoi se spiunazh mes miqve është “i papranueshëm”gjatë një bisede telefonike me Barack Obaman. Megjithatë për shkak të skandalit të përgjimit të kryer nga BND dhe njoftimit se Turqia është duke u vëzhguar në mënyrë sistematike nga Agjencia Gjermane e Inteligjencës, protesta e Merkel ka humbur të gjithë forcën dhe vlefshmërinë e saj.

“Zbulimet e fundit konfirmojnë dyshimet tona se autoritetet gjermane janë gjithashtu të përfshirë në lojën e paligjshme të kundërspiunazhit”, tha Konstantin von Notz, një deputet me ndikim në partinë e gjelbër. “Kancelarja duhet menjëherë të sqarojë se që kur është në dijeni dhe nëse telefonata e Clinton dhe Kerry-t iu nënshtruan analizës së inteligjencës”, shtoi ai. Kancelarja dhe BND për momentin po heshtin.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *