Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete aleate filluan mëngjesin e djeshëm sulmet ajrore kundër pozicioneve në Siri të grupit xhihadist Shteti Islamik, konkretisht në provincën e Raqas, bastion i islamikëve në kufirin me Irakun, sipas konfirmimeve të Pentagonit. “Forcat e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate kanë filluar sulmet kundër SI në Siri duke përdorur kombinimin e avionëve luftarakë, bombarduesve dhe raketave tokë-ajër”, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby, në një komunikatë. “Duke qenë se operacionet janë në vazhdim e sipër, nuk jemi në kushtet për të dhënë detaje të mëtejshme në këtë moment”, vijoi ai. Që nga deti, aeroplanmbajtëset amerikano-veriore në zonë kanë shërbyer si bazë për lëshimin e raketave si “Tomahawk”. Së bashku me avionët luftarakë amerikanë fluturuan edhe avionë të kombeve aleate, sipas informacionit të Pentagonit, mes të cilave Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari dhe Jordania, si rezultat i koalicionit të gjerë të kombeve të mbledhura nga Presidenti Barack Obama me objektivin për shkatërruar Shtetin Islamik. Deri më tani kanë pranuar bashkëpunimin Jordania, Bahreini dhe Emiratet. Ndërkohë Siria, sipas zëdhënësit të Punëve të Jashtme mbetet e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë irakene në luftën kundër SI. Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut ka informuar se ofensiva e udhëhequr nga SHBA ka shkaktuar vdekjen e të paktën 58 personave, mes tyre 50 anëtarë të Fronit al- Nusra, degë e Al Kaedas dhe 8 civilë. Sulmet vijnë në më pak se dy javë pasi Obama njoftoi në një diskurs se kishte autorizuar zgjerimin e fushatës ushtarake të filluar në gusht kundër SI në Irak edhe në Siri. Presidenti udhëtoi dje në Nju Jork për të asistuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe gjithçka tregon se preferoi të shkojë në selinë e organizatës me një plan, por jo me një axhendë të hapur për të diskutuar se çfarë duhet bërë me xhihadisët, që në shumë pak kohë kanë uzurpuar hapësira të mëdha në territorin e Irakut dhe të Sirisë. Shtëpia e Bardhë nuk është prononcuar për bombardimet. Nga ana tjetër, reagimet nuk kanë vonuar. Një luftëtar i SI siguroi që “sulmet do të marrin përgjigje”, në një deklaratë për Reuters.
