Prof. Fatos Tarifa
Pjesa III
Vizita e parë e z. Jackson në Tiranë
Në tetor të vitit 2002, i propozova Kryeministrit Nano ta priste Bruce Jackson-in në Tiranë. Të njëjtin propozim i bëra edhe Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko. Kryeministri Nano e pranoi propozimin tim, i nxitur, gjithashtu, edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, James Jeffrey, i cili kishte marrë detyrën e tij në Tiranë vetëm një javë më parë. Ashtu si unë, ambasadori Jeffrey ia kishte përshkruar z. Jackson kryeministrit Nano si një “njeri të rëndësishëm dhe me lidhje të forta në Uashington”.
Edhe pse unë kisha përgatitur nga Uashingtoni një agjendë pune të ngjeshur për z. Jackson në Tiranë, vizita e tij në fund të atij muaji më solli edhe mua në Tiranë për shkak se kryeministri Nano kërkoi që të isha i pranishëm në takimin e tij me mysafirin nga Uashingtoni dhe në të gjitha takimet e tjera që ky i fundit do të zhvillonte me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare.
Bruce Jackson dhe unë udhëtuam së bashku nga Uashingtoni për në Tiranë. Në aeroportin e Rinasit na priti një nëpunës i rëndomtë i zyrës së Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe një përfaqësues i ambasadës amerikane në Tiranë, i cili i komunikoi z. Jackson se ambasadori Jeffrey do të takohej me të në Hotel Rogner në orën 15:30.
Atë pasdite, me kërkesën e tij, Bruce Jackson mbajti një leksion në Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me perspektivën e zgjerimit të NATO-s. Në atë takim u ftuan të merrnin pjesë diplomatë të ministrisë, ambasadorë të vendeve anëtarë të NATO-s dhe të vendeve të grupit Vilnius të akredituar në Tiranë, analistë shqiptarë të politikës së jashtme, përfaqësues të medias dhe të disa organizatave joqeveritare. Në takim ishim edhe ambasadori Jeffrey dhe unë.

Të nesërmen paradite, Bruce Jackson u prit nga kryeministri Nano. Unë isha i pranishëm në atë takim dhe, qysh në fillim, kuptova se Jackson dhe Nano shumë shpejt do të bëheshin miq, siç edhe ndodhi në të vërtetë. Fjalët e mia për z. Jackson, të përforcuara nga përshtypjet e ambasadorit Jeffrey në Tiranë, bënë që kryeministri Nano të krijonte besim te ky “emisar” jozyrtar i Uashingtonit dhe ta konsideronte atë ndër miqtë e tij të afërt. Pas atij takimi―dhe vazhdimisht më vonë―ata do t’i drejtoheshin njëri-tjetrit në emër: Bruce dhe Fatos.
Besnikëria e Bruce Jackson-it ndaj kryeministrit Nano u manifestua edhe më qartë në prag të zgjedhjeve parlametare të vitit 2005 në Shqipëri kur, më 1 korrik të atij viti, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, Bruce Jackson dhe James O’Brien (ky i fundit kishte qenë këshilltar i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguari i posaçëm i Administratës së Presidentit Clinton për Ballkanin), në një artikull që botuan bashkërisht në gazetën The Wall Street Journal, titulluar “Albania’s Choice”, u shprehën hapur në favor të Partisë Socialiste në ato zgjedhje, duke i konsideruar zgjedhjet e 2005-s në Shqipëri si “zgjedhjet më të rëndësishme në Europë atë vit”. Duke theksuar dallimet e mëdha që ekzistonin mes dy rivalëve në ato zgjedhje, Fatos Nanos dhe Sali Berishës, Jackson dhe O’Brien theksonin se “Berisha ishte më shumë i interesuar për pushtetin e tij, sesa për demokracinë”, ndërsa Nano ishte “një zë i moderuar në politikën shqiptare”. Në artikullin e tyre, Jackson dhe O’Brien e mbështesnin hapur publikisht Partinë Socialiste dhe kryeministrin në detyrë në atë kohë, Fatos Nano, duke përfunduar me këto fjalë: “Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të Shqipëria ka qenë e parëndësishme për ne, por ajo çfarë do vendosë populli shqiptar [në zgjedhjet e së] dielës do të ketë shumë rëndësi për të gjithë ne”.
Kryeministri Fatos Nano
I kthehem edhe një herë takimit të parë mes kryeministrit Nano dhe z. Jackson në Tiranë, në tetor 2002. Në atë takim u diskutua kryesisht (i) për Samitin e NATO-s që do të mbahej në Pragë një muaj më vonë dhe për zhvillimet e pritshme në periudhën post-Pragë, (ii) për mbështetjen që Tirana mund t’i jepte Uashingtonit përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe në kuadër të Paragrafit 98 të Statutit të Romës mbi Gjykatën Ndërkombëtare Penale, (iii) për mundësinë e kontraktimit nga ana e qeverisë shqiptare të kompanisë amerikane Lockheed Martin për realizimin e projektit të monitorimit të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, si dhe (iv) për nevojën e një lobimi më të mirë në Uashington, që të ndihmonte përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të ambasadës shqiptare për të arritur objektivat e veta në kryeqytetin amerikan.
Kryeministri Nano u tregua qysh në fillim i hapur për t’i marrë në konsideratë të gjitha këto çështje dhe më autorizoi mua të merresha me to, t’i sugjeroja mendimin tim për secilën nga çështjet e mësipërme dhe ta informoja atë për çdo zhvillim të ri. Siç do të kem rast të përshkruaj në kujtimet e mia, për të gjitha këto çështje, kryeministri Nano, i këshilluar nga unë në Uashington dhe nga ambasadori Jeffrey në Tiranë, u tregua i vendosur të veprojë (dhe veproi në kohën dhe në mënyrën e duhur), duke bërë që, për gati dy vite me radhë, marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës dhe Uashingtonit të zhvilloheshin në një shkallë dhe me një intensitet të tillë që, për mendimin tim, nuk është njohur as më parë, as më pas.
Pavarësisht huqeve të tij, mënyrës boheme e hedoniste të jetesës dhe një stili “cowboy”, me të cilin sillej shpesh herë ndaj kolegëve të tij, Fatos Nano ishte një politikan i talentuar, modern dhe vizionar. Ai i përmbushi të gjitha “detyrimet” që kishte ndaj Uashingtonit dhe u dha marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara një dimension të ri dhe një frymëmarrje të re. Si kryeministër i vendit, Fatos Nano nënshkroi, në Tiranë, me Sekretarin e Shtetit Colin Powell, jo vetëm Kartën e Adriatikut, por edhe marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi Paragrafin 98 të Statutit të Romës. Fatos Nano autorizoi nënshkrimin e kontratës me gjigandin amerikan Lockheed Martin, investimi amerikan më i madh deri në atë kohë në Shqipëri. Ishte po Fatos Nano ai, i cili, në pranverë të vitit 2003, në emër të qeverisë shqiptare, autorizoi kontraktimin e një firme lobiste në Uashington, e cila u bë krahu i djathtë në tërë veprimtarinë e ambasadës shqiptare që unë drejtoja në kryeqytetin amerikan.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta
Pas takimit me kryeministrin Nano, Jackon u prit për drekë nga zëvendëskryesministri Ilir Meta, i cili, në atë kohë, ishte edhe Ministër i Punëve të Jashtme. Në drekë, e cila u shtrua në restorant Piazza, ishim të ftuar edhe unë, ambasadori Jeffrey dhe këshilltari i z. Meta në atë kohë, Edmond Haxhinasto. Në pranverë të atij viti, Ilir Meta ishte detyruar të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit të vendit, duke u zëvendësuar në atë post, për disa muaj, nga Pandeli Majko dhe, në gusht të atij viti, nga kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Për këtë shkak, në tetor, kur Jackson vizitoi Tiranën, marrëdhëniet personale mes Nanos dhe Metës vazhdonin të ishin shumë të tensionuara dhe, pavarësisht se Ilir Meta kishte pranuar të merrte pjesë në kabinetin qeveritar të kryesuar nga Fatos Nano, si numri dy i tij, në qeveri ruhej një ekuilibër shumë i brishtë, rrethanë kjo, të cilën ambasadori Jeffrey, i sapo ardhur në Tiranë, e njihte shumë mirë.
Në bisedën me z. Meta, Jackson diskutoi me të rreth po atyre çështjeve për të cilat kishte folur edhe me kryeministrin Nano disa orë më parë. Ambasadori Jeffrey dhe unë i mbështetëm sugjerimet e tij dhe Ilir Meta, në parim, ishte dakord me gjithçka. Sidoqoftë, problemi i tij në atë kohë ishte që ai vetë të mos mbetej “nën hijen” e kryeministrit Nano, por të trajtohej si “palë më vete”, pa pëlqimin e të cilit të mos arrihej në marrjen e vendimeve të mëdha. Dy herë kryeministër i vendit, Ilir Meta, në postin e zëvendëskryeministrtit dhe të ministrit të jashtëm, e shihte veten në mos të barabartë me Fatos Nanon, të paktën po aq të rëndësishëm sa ai.
Si ministër i Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta ishte eprori im i drejtpërdrejtë dhe çdo gjë që mua më duhej të bëja në Uashington duhej të kalonte më parë prej tij. Edhe pse komunikimet me kryeministrin Nano ishin të vazhdueshme e të shpeshta, ndonjëherë thuajse të përditshme, mua më duhej të bëja kujdes për të ruajtur një ekuilibër shumë delikat në marrëdhëniet e mia si me njërin dhe me tjetrin. Të dy ishin zemërakë dhe, në pranverë të atij viti, kur tensionet mes tyre arritën kulmin, si Ilir Meta (në atë kohë ende kryeministër), ashtu dhe Fatos Nano (në atë kohë kryetar i Partisë Socialiste), më janë shprehur me tonet më të ashpër për njëri-tjetrin, duke kërcënuar secili se do të ndahej nga Partia Socialiste, ose do të merrte drejtimin e saj. Kjo “luftë brenda llojit” vazhdoi për më shumë se dy vite, madje edhe ndërkohë që Fatos Nano, si kryetar i Partisë Socialiste, arriti të bëhej kryeministër, ndërsa Ilir Meta zëvendës i tij në qeveri. Ndarja e vërtetë mes tyre ndodhi në verën e vitit 2004, kur Ilir Meta hoqi dorë nga postet e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të jashtëm dhe u divorcua përfundimisht nga Partinë Socialiste për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gjatë drekës me Kryeministrin Meta unë nuk e kisha të vështirë të kuptoja se ai dhe Bruce Jackson nuk arritën të krijojnë besim te njëri-tjetri. Fakti që Jackson ishte takuar më parë me Kryeministrin Nano e bënte Zëvendëskryeministrin Meta skeptik ndaj tij dhe mjaft të kujdesshëm në komunikimin me të, duke mos lënë rast pa i përmendur mikut nga Uashingtoni se asnjë marrëveshje nuk mund të arrihej me qeverinë shqiptare pa pëlqimin e tij. Ilir Meta, në fakt, ishte personi, i cili mund të hapte, por edhe mund të mbyllte çdo portë.
Ambasada shqiptare në Uashington, “vendlindja” e Kartës së Adriatikut
Si diplomat, gjithnjë e kam konsideruar të rëndësishme të ndiqja nga afër zhvillimet në jetën politike të vendit pritës, në vendin tim dhe në shkallë globale. Leximet e shumta, leksionet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, mbi çështje globale dhe mbi marrëdhëniet diplomatike mes Uashingtonit dhe Brukselit që kisha dhënë deri atëherë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), si dhe në Universitetin Webster (Leiden, Hollandë), kishin mprehur tek unë, si diplomat, një shqisë “nuhatjeje” të veçantë për të ndier dhe kapur momentet kur duhej vepruar. Një moment i tillë, shumë i volitshëm, ishte ai që u krijua pas Samitit të Pragës, në nëntor 2012. Kremtimet e rastit kishin marrë fund, festat e fundvitit kishin kaluar dhe viti 2003 sapo kish nisur. Në Uashington ndihej “në ajër” se, në pranverë të atij viti, diçka e rëndësishme pritej të ndodhte. Sulmi ndaj Irakut nisi pikërisht atë pranverë, më 20 March 2003.
Një ditë para Krishtlindjeve, më 23 dhjetor 2012, pra vetëm një muaj pas përfundimit të Samitit të Pragës, u sugjerova miqve të mi Bruce Jackson dhe Paige Reeffe, me të cilët unë dhe kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë në Uashington kishim rreth një vit që bashkëpunonim, organizimin e një darke pune në ambasadën e Shqipërisë, në të cilën të diskutonim agjendën që duhej ndjekur pas Samitit të Pragës për anëtarësimin e tre vendeve tanë në NATO. Bruce dhe Paige e pëlqyen idenë dhe menjëherë e bënë të tyren. Po atë ditë, njoftova për këtë iniciativë Ministrin e Jashtëm (në atë kohë edhe zëvendëskryeministër), z. Ilir Meta dhe, pa humbur kohë u nisa ftesat individëve që, bashkë me zotërinjtë Jackson dhe Reefe, menduam se ishin njerëzit e duhur që duheshin ftuar në atë darkë.
Të ftuarit përfaqësonin agjenci të ndryshme shtetërore, si dhe agjenci joqeveritare, të cilat kishin luajtur një rol vendimtar në procesin e zgjerimit të NATO-s qysh nga viti 1999 dhe do të luanin një rol po kaq të rëndësishëm edhe në procesin e nismës “Adriatic 3”. Nga Shtëpia e Bardhë u ftuan për darkë z. Joe Wood (Këshilltar i Zëvendëspresidentit Dick Cheney), ambasadori Daniel Fried (Këshilltar Special i Presidentit Bush dhe Drejtor për Europën dhe Euro-Azinë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar), si dhe Kurt Volker dhe Lisa Tepper, (i pari Drejtor për NATO-n në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe e dyta Drejtore për Europën Juglindore në po atë institucion). Nga Departamenti i Shtetit u ftua znj. Janet Bogue, Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, ndërsa nga Pentagoni u ftua z. Allen van Egmont, Drejtor për Europën Perëndimore dhe Euro-Azinë në Departamentin e Mbrojtjes.
Të ftuar të tjerë në atë darkë nismëtare të procesit “Adriatic 3” ishin Bruce Jackson, me të cilin lexuesi është njohur tashmë hollësisht, znj. Julie Finley (Kryetare e Bordit të organizatës “U.S. Committee on NATO”, e cila kishte qenë për shumë kohë kryetare e Partisë Republikane për Uashingtonin dhe, si e tillë, një ndër figurat më të respektuara dhe më me influencë në Administratën e Presidentit Bush), James O’Brien (Këshilltar i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguari i posaçëm i Administratës së Presidentit Clinton për Ballkanin, por që atë mbrëmje përfaqësonte organizatën “The Albright Group”), Paige Reefe (CEO i organizatës lobuese “Reefe & Associates” në Uashington), i cili për dy vite me radhë (2003-2005) do të shërbente si konsulenti strategjik i qeverisë shqiptare në kryeqytetin amerikan, dhe Randy Scheunemann (CEO i organizatës lobuese “Orion Strategies”), i cili shërbeu si konsulent i qeverisë maqedonase në Uashington në të njëjtën periudhë). Sigurisht, të ftuar në atë darkë ishin edhe kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi, ambasadori i Kroacisë, Ivan Grdesiv, dhe ambasadori i Maqedonisë, Nikola Dimitrov (ky i fundit aktualisht Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut).
Darka u shtrua në një prej salloneve të ambasadës së Shqipërisë në Uashington, më 10 janar 2003. Të gjithë të ftuarit e sipërpërmendur morën pjesë në darkë; i vetmi që nuk mundi të merrte pjesë ishte Joe Wood, i cili më telefoni pasdite për të kërkuar ndjesë që s’do të mund të ishte mes nesh për shkak të angazhimeve të tij me z. Dick Chaney. Në bisedën telefonike me të, z. Wood u shpreh se ai e përkrahte plotësisht nismën tonë dhe se ne, tre ambasadorët dhe qeveritë e vendeve tona, do të gjenim tek ai personalisht dhe në Shtëpinë e Bardhë mbështetje të plotë për kauzën tonë.
Të ftuarit në atë darkë pune u bënë―dhe mbetën―disa ndër aktorët kryesorë në përpjekjet për të lançuar nismën e “Adriatikut 3” dhe për ta kurorëzuar atë me sukses, fillimisht përmes nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut”, për të cilën shkruaj në vijim, si dhe për implementimin e saj gjatë gjithë kohës që unë shërbeva në Uashington.
(vijon nesër)
