SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor

J L

Duke filluar nga sot e në vijim, Dita boton një cikël analizash e kujtimesh nga diplomati dhe sociologu i njohur Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (prill 2001-maj 2005), aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Eurtopian të Tiranës dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Si një protagonist i ngjarjeve shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e vendit tonë me administratën amerikane të asaj kohe, Tarifa shpjegon në detaje “sekretet” se si u ngjiz ideja e “Kartës së Adriatikut” në Uashington dhe se si ky dokument i rëndësishëm u nënshkrua në Tiranë, duke e ndihmuar dhe ofruar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Prof. Fatos Tarifa

 

Pjesa I

Zgjerimi i NATO-s në Europën Qendrore dhe Lindore në këta 20 vitet e fundit është një dukuri mjaft interesante e me rëndësi të veçantë nga pikëpamja gjeopolitike për këdo që studion historinë e marrëdhënieve e të organizatave ndërkombëtare. Në këtë ese, unë përpiqem të shpjegoj, mbështetur në përvojën time si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkura në vitet 2001-2005, se si konkretisht u inicua në Uashington procesi i zgjerimit të NATO-s me 10 vende ish-komunistë në vitet 1999 dhe 2004 dhe si u krijua, po në Uashington, terreni për anëtarësimin më vonë, në vitin 2009, të Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë organizatë.

NATO dhe politika e saj e “dyerve të hapura”

Qysh nga shembja e Murit të Berlinit, administrata amerikane ka qenë motori i vërtetë i lëvizjes historike për zgjerimin e NATO-s. Raundi i parë i zgjerimit, më 1999, përfshiu në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior tre vende të reja: Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke, të cilët më parë kishin qenë anëtarë të Traktatit antagonist të Varshavës.

Realizimi i raundit të parë kërkoi paraprakisht argumentimin e domosdoshmërisë së zgjerimit të NATO-s, në një botë në të cilën sundonte ende mentaliteti i ndarjes së saj në dy kampe antagoniste: Lindje dhe Perëndim. Iniciativa për zgjerimin e kësaj organizate u mor nga Shtetet e Bashkuara dhe ishte pikërisht ky vend ai që frymëzoi dhe ka udhëhequr, për gati një çerek shekulli, fushatën për zgjerimin e NATO-s. Sidoqoftë, që vetë administrata amerikane ta bënte idenë e zgjerimit të Aleancës një politikë zyrtare të saj nuk ishte diçka që u arrit menjëherë dhe pa debate të shumtë. Përkundrazi, kësaj i parapriu një proces politik konvergjent, që zgjati thuajse gjashtë vite. Ata që ishin në favor të zgjerimit të NATO-s arritën të kishin sukses kur, më 1999, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke iu bashkuan kësaj organizate. Procesi i zgjerimit nuk përfundoi me këta tre vende. Vizioni i tyre shkonte më larg sesa raundi i parë i zgjerimit, arsye kjo, për të cilën Uashingtoni qëllimisht formuloi dhe shpalli, më 1999, politikën e tij të “dyerve të hapura” (“Open Door policy”).

Me pranimin e tre vendeve të parë ish-komunistë, NATO, në fakt, e hapi derën e saj për të gjitha demokracitë e reja të Europës Qendrore dhe Lindore. Sidoqoftë, në atë kohë, më 1999, askush nuk mund ta imagjinonte dot se sa shpejt dhe sa larg në lindje do të shtrihej procesi i zgjerimit të mëtejshëm të saj. Në Samitin e vet, të mbajtur në Uashington, në maj të vitit 1999, i cili përkoi me 50 vjetorin e krijimit të saj, NATO realizoi zgjerimin e saj me tre vende të rinj anëtarë, por nuk i bëri ftesë asnjë vendi tjetër, ndërkohë që kjo organizatë po negocionte një marrëdhënie të re bashkëpunimi me Rusinë. Megjithatë, NATO bëri të qartë në atë kohë se nuk kishte hequr dorë nga vizioni i saj për t’u zgjeruar në Europën Lindore. Qysh tre vite më parë, në tetor 1996, Presidenti Bill Clinton e kishte bërë të ditur publikisht këtë duke thënë: “Unë sigurova, dhe besoj këtë e bëra edhe në emër të NATO-s, se dyert e kësaj organizate nuk do të mbyllen pas [pranimit të] anëtarëve të saj të rinj. NATO duhet të mbetet e hapur për të gjitha demokracitë e reja të Europës, të cilat janë të gatshme të marrin mbi supet e tyre përgjegjësitë e anëtarësimit [në këtë organizatë]. Asnjë komb nuk do të përjashtohet automatikisht. Asnjë vend jashtë NATO-s nuk do të ketë veto”.

Në Uashington, NATO adoptoi politikën e “dyerve të hapura” duke krijuar një proces të definuar saktë, që u quajt Plani i Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan―MAP), i cili do të shërbente si një strukturë proceduriale dhe si një proces reformimi që do të çonte drejt marrjes së ftesës për anëtarësim. Nëntë vende u përmendën me emër në Komunikatën përfundimtare të Samitit të Uashingtonit si palë në procesin MAP: Shqipëria, Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Në atë kohë, sidoqoftë, ishte ende shumë e paqartë se si do të realizohej një raund i ri zgjerimi i NATO-s, kur mund të ndodhte kjo dhe cili vend, apo cilët vende, do të ftoheshin për t’u anëtarësuar. Ndryshe nga raundi i parë, i cili ishte një vendim politik i marrë pothuajse në mënyrë të njëanëshme nga Shtetet e Bashkuara, një zgjerim i mëtejshëm i NATO-s do të mbështetej këtej e tutje sa në kritere politike, aq edhe në kritere të qarta teknike. Procesi MAP u bë paramount për secilin nga nëntë vendet kandidatë për të provuar progresin dhe rritjen e vet. MAP, siç shprehej në atë kohë eksperti i politikës së jashtme James Goldgeier, e ndryshoi formulimin e çështjes nga “Jo nëse, por kur” (Not whether but when), siç shtrohej ajo në mes të viteve 90-të, në “Jo kur, por cili vend” (Not when but whom) më 1999.

“Grupi Vilnius”

Procesi MAP përcaktoi një varg masash të përgjithshme, të aplikueshme për secilin vend aspirant të veçantë. Në majin e vitit 2000, qeveritë e Lituanisë dhe të Sllovenisë sponsorizuan një konferencë mbi zgjerimin e NATO-s në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, në të cilën ministrat e jashtëm të 9 vendeve aspirantë dolën me një deklaratë të përbashkët solidariteti, duke u zotuar të punojnë së bashku dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin derisa të 9 vendet pjesëmarrës (më vonë 10), të pranoheshin në NATO. Në këtë mënyrë lindi “Grupi Vilnius” (Vilnius Group), apo V-9, të cilit Kroacia iu bashkua një vit më vonë, në mars 2001 (V-10)―një grupim vendesh të reja demokratike, të dalë vetëm një dekadë më parë nga historia komuniste, por tashmë të vendosur për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të ecur bashkërisht përpara drejt anëtarësimit në NATO.

Të inkurajuar nga suksesi i raundit të parë të zgjerimit të NATO-s dhe, veçanërisht, nga energjia dhe entuziazmi i elitave politike dhe i popullsive në të gjithë këta vende, ata që në Uashington dhe në Bruksel u bënë kampionë të zgjerimit më 1999 kuptuan se këta vende të vegjël do të përfitonin duke provuar se ishin në gjendje të krijonin struktura të tilla, të cilat do u shërbenin si vetë atyre, ose rajonit të tyre, ashtu edhe kauzës së përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë në Europë. Ishte përsëri Uashingtoni ai kryeqytet, në të cilin “the Vilnius Group” filloi të tërhiqte më shumë vëmendje si një grup vendesh që bashkëpunonin ngushtësisht njëri me tjetrin për t’u anëtarësuar në NATO.

Përtej parashikimeve më të guximshme të shumëkujt, Grupi Vilnius u bë shumë shpejt një katalizator për vazhdimin e mëtejshëm të debatit mbi zgjerimin e NATO-s. Pesë samitet e tij, të mbajtura në Vilnius, Bratislavë, Sofie, Bukuresht dhe Riga, brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysëm, shërbyen si një mekanizëm shtytës për elitat vendimmarrëse të Aleancës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, të cilat filluan të fokusohen më shumë në mundësinë e një raundi të ri zgjerimi të NATO-s dhe ta shtyjnë përpara këtë proces.

Më 15 prill 2001, 17 anëtarë të Senatit amerikan, në një letër që i dërguan Presidentit George W. Bush, e inkurajuan atë që ta mbështeste zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s. Në atë grup senatorësh bënin pjesë, ndër të tjerë, Jesse Helms (Republikan nga Karolina e Veriut), në atë kohë Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Joseph Lieberman (Demokrat nga shteti Nju Xhërsi, John McCain (Republikan nga shteti Arizona dhe Hillary Clinton (Demokrate nga shteti Nju Jork) etj. Në letrën e tyre shkruhej: “Asnjë prioritet i politikës së jashtme [amerikane] nuk është më i rëndësishëm sesa realizimi i vizionit të një Europe të bashkuar dhe të lirë.  Ky qëllim ka shërbyer si një guidë e besueshme për politikën e Shteteve të Bashkuara për më shumë se 50 vite. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik…baza e politikës sonë ka qenë premisa se zgjerimi i NATO-s me demokracitë e reja të Europës është i një rëndësie themelore për objektivat strategjikë dhe moralë të Shteteve të Bashkuara”.

Në qershor 2001 Presidenti Bush bëri vizitën e tij të parë në selinë e NATO-s, në Bruksel, dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtarë dhe kandidatë të kësaj organizate. Në çdo takim, Presidenti Bush u shpreh hapur (a) në favor të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, (b) për një marrëdhënie të re me Rusinë dhe (c) për angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në krijimin e një “Europe të pandarë, të lirë dhe në paqe” (“a Europe whole, free and at peace”).

Më 15 qershor të atij viti, Presidenti Bush mbajti një fjalim historik në Varshavë, në të cilin artikuloi besimin e tij në politikën amerikane të ndjekur gjatë dekadave të fundit. Ai deklaroi: “Të gjitha demokracitë e reja të Europës, nga Balltiku në Detin e Zi dhe në territoret që shtrihen midis tyre, duhet të kenë të njëjtin shans për siguri dhe liri―dhe të njëjtin shans për t’u bashkuar me institucionet e Europës―njëlloj si demokracitë e vjetra të Europës. Unë besoj në anëtarësimin në NATO të të gjitha demokracive të Europës që e kërkojnë këtë dhe janë të gatshme të marrin mbi vete përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO. Çështja se “kur” mund të mbetet akoma për t’u diskutuar brenda NATO-s; çështja “nëse” nuk duhet të dikutohet më”.

Vizioni i Presidentit Bush për një Europë të pandarë, të lirë dhe në paqe u bë promotori i procesit të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s. Shumë në administratën dhe në Kongresin amerikan ishin përkrahës entuziastë të realizimit të këtij vizioni. Përkrahësit më të fortë, sidoqoftë, kanë qenë dhe janë vetë popujt e “Europës së Re”, nëse përdorim shprehjen e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes në atë kohë, Donald Rumsfeld.

Edhe pse ideja e një raundi të dytë zgjerimi të NATO-s gjeti përgjithësisht përkrahje në Uashington dhe në Bruksel, fokusi i diskutimeve mbi zgjerimin u orientua më shumë në kapacitetet, mundësitë dhe angazhimet konkretete të vendeve kandidatë, si edhe në transformimin e kërkuar brenda NATO-s për të menaxhuar si zgjerimin e mëtejshëm të saj me anëtarë të rinj, ashtu edhe kapacitetet gjithnjë e më të diversifikuara të anëtarëve të saj potencialë. Për më tepër, i gjithë ky proces po ndodhte në një botë, e cila po ndryshonte rrënjësisht përsa i përket kërcënimeve të sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të saj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Suksesi i raundit të dytë të zgjerimit të NATO-s (në vitin 2004) nuk ishte rezultat vetëm i situatës së krijuar pas 11 shtatorit. Ai ishte kryesisht rezultat i një strategjie të përpunuar e të zbatuar me shumë kujdes nga Shtatet e Bashkuara, në koordinim me vendet aspirantë. Suksesi i kësaj politike amerikane vizionare u mundësua nga planifikimi i mirë i hapave që duheshin bërë në proces e sipër si dhe nga angazhimi i komuniteteve opinionbërës në Uashington, të cilët vendet kandidatë i kishin bindur për seriozitetin dhe përparimet e tyre.

Në vitet që pasuan raundin e parë të zgjerimit të NATO-s (më 1999), vendet e grupit Vilnius bënë përparime të dukshme, të cilat eventualisht do t’u siguronin atyre marrjen e ftesës për anëtarësim në këtë organizatë. Të 10 vendet e grupit Vilnius gradualisht e shtuan dhe e bënë më të dukshëm bashkëpunimin mes tyre për të reformuar (transformuar) shoqëritë e tyre në fushën e legjislacionit, të tregut të lirë, të organeve të drejtësisë, të mbrojtjes, në çdo nivel të shoqërisë. Të gjithë këta vende përcaktuan si objektiva primarë integrimin e tyre të plotë në institucionet Euroatlantike. Shtatë prej tyre―Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia―u ftuan t’i bashkohen NATO-s në Samitin e saj në Pragë, në nëntor 2002, dhe u bënë anëtarë të kësaj organizate në marsin e vitit 2004.

 

Ideja e krijimit të një grupi vendesh “Adriatic 3”

Në Pragë, tre vende të grupit Vilnius―Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia―nuk morën ftesë për anëtarësimin e tyre në NATO. Edhe pse ajo çka u vendos në Pragë nuk ishte për askënd një surprizë, çfarë mund të ishte shndërruar lehtë në zhgënjim dhe në dekurajim për këta tre vende, shërbeu si një inkurajim për Tiranën, Zagrebin dhe Shkupin me mbështetjen e qartë e të fortë që Presidenti George W. Bush u shprehu presidentëve Moisiu, Mesic dhe Trajkovski në atë samit. Presidenti amerikan u shprehu krerëve të tre shteteve të Ballkanit perëndimor angazhimin e tij personal se administrata amerikane do të vazhdonte t’i mbështeste Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, duke bashkëpunuar ngushtë me to. Prej këtej filluan diskutimet mbi mundësinë e një partneriteti mes këtyre tre vendeve dhe Shteteve të Bashkuara, fokusi i të cilit do të ishte anëtarësimi i tyre në NATO në një të ardhme të afërt. Këto diskutime, të cilat fillimisht u zhvilluan në Uashington dhe më pas në Tiranë, në Zagreb dhe në Shkup, çuan në krijimin, gjashtë muaj më vonë, të “Kartës së Adriatikut” (U.S.–Adriatic Charter of Partnership), e cila u nënshkrua në Tiranë nga Sekretari i Shtetin Colin Powell dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, më 2 maj 2003.

Presidenti George Bush e përshëndeti nënshkrimin e “Kartës së Adriatikut” ditën e nënshkrimit të saj. Në komunikatën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë thuhej: “Presidenti Bush mirëpret nënshkrimin sot të Kartës së Adriatikut të Partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Iniciativa e Kartës së Adriatikut dëshmon përkushtimin e Shqipërisë, të Kroacisë e të Maqedonisë për të forcuar përpjekjet e tyre reformuese, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Karta afirmon angazhimin politik të vendeve nënshkrues ndaj vlerave dhe principeve të Aleancës së NATO-s. Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara të respektojnë politikën e “Dyerve të Hapura” për NATO-n. Mbështetja e SHBA për Kartën e Adriatikut e forcon më shumë përkrahjen e vazhdueshme për aspiratat e përbashkëta të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për integrimin e tyre të plotë në komunitetin Euroatlantik”.

Duhet mbajtur parasysh se, në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, sistemi botëror kishte ndryshuar rrënjësisht, ishte bërë njëpolar, me Shtetet e Bashkuara si e vetmja superfuqi e globit. Bashkë me këtë transformim strukturor të fuqisë globale kishte ndryshuar edhe klima politike në arenën ndërkombëtare, e cila nuk kushtëzohej më nga dasitë dhe konfliktet ideologjikë, politikë e ushtarakë mes Perëndimit dhe Lindjes. Në këto kushte, ishte veçse e natyrshme të ekzistonin shumë paqartësi dhe dilema mbi rolin dhe misionin e mëtejshëm të NATO-s në një botë, në të cilën, pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, NATO nuk kishte më një organizatë politiko-ushtarake armiqësore që të rivalizonte me të. Në një situatë të tillë, para administratës amerikane dhe vendeve të tjerë anëtarë të NATOs shtroheshin pyejte e dilema të tilla legjitime: Cili duhej të ishte misioni i NATO-s në të ardhmen? A ishte më i nevojshëm dhe i dobishëm zgjerimi i kësaj organizate me vende të rinj anëtarë? Nëse po, mbi ç’kritere duhej bërë zgjerimi i saj, cilët vende duheshin pranuar, për çfarë meritash dhe me çfarë kostoje?

Logjika mbi bazën e së cilës u gjetën përgjigje ndaj dilemave të tilla ishte ajo se, edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, klima politike në shkallë globale vazhdonte të mbetej e rrezikshme, ndaj edhe zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s u konsiderua një domosdoshmëri. Por ky zgjerim kushtëzonte nevojën për një ekzaminim të ri, më skrupuloz ndaj vendeve kandidatë, të cilët duhej të dëshmonin shkallën e maturisë të tyre si demokraci të kalibrit të vendeve anëtarë të NATO-s, si dhe vlerën e dobinë e tyre si anëtarë të ardhshëm të kësaj organizate.

Me gjithë mësimet dhe përvojën e fituar nga dy raundet e mëparshëm të zgjerimit të NATO-s (më 1999 dhe 2004), të cilat ishin shumë të dobishme për tre vendet kandidatë në Ballkanin perëndimor, nuk kishte ende në atë kohë një plan anëtarësimi për një vend të veçantë, i cili të mund të aplikohej në rastin vetëm të Shqipërisë, ose të Kroacisë apo të Maqedonisë. Çdonjëri nga këta vende është unik përsa i përket kushteve e rrethanave të veta, burimeve dhe kapaciteteve të veta, gjendjes së vet në fillimet e periudhës së tranzicionit postkomunist dhe në fillim të përgatitjeve për anëtarësim në NATO. Secili nga këta tre vende ka historinë e vet, specifikatat e veta nacionale, të cilat i vendosnin ata në situata të ndryshme, por edhe të ngjashme, kur bëhej fjalë për anëtarësimin e tyre në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Në atë çfarë vijon, unë fokusohem në rastin e Shqipërisë.

 

(vijon nesër)

Share This Article
1 Comment
  • Faleminderit Profesor.
    I lexoj Te gjitha shkrimet tuaja me shume interes dhe gjithmone ju kujtojme në ish studentet e Michiganit per oret e mesimit qe kemi patur fatin ti ndjekim.
    Ju uroj mbaresi ne jete,

    Ish studenti juaj,
    Borian

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *