“Pjesëmarrja e Rusisë në Këshillin për të Drejta të Njeriut është farsë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, gjatë vizitës më 4 prill në Bukuresht të Rumanisë.
Ajo po viziton Rumaninë për të parë se si ky shtet, që gjendet në kufi me Ukrainën, po përballet me valën e refugjatëve ukrainas.
“Është gjë e gabuar, prandaj ne besojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për t’i larguar ata [rusët]”, tha ajo.
Trupat e saj së fundi janë larguar nga Buça, që gjendet në periferi të Kievit, ku më pas janë gjetur trupat e pajetë të dhjetëra personave.
Fotografitë e publikuara kanë shfaqur trupat e disa civilëve të vrarë të cilët kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto skena kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe për ndjekjen penale të keqbërësve.
“Pamjet nga Buça dhe shkatërrimi në mbarë Ukrainë kërkon që ne tani t’i përputhim fjalët tona me veprimet tona”, tha Thomas-Greenfield.
Kryetari i Buças, Anatoliy Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë gjatë okupimit rus të këtij qyteti dhe afër 280 trupa janë gjetur në një varrezë masive.
Rusia ka mohuar se forcat e saj kanë qenë të përfshirë në këto vrasje dhe kanë thënë se këto pretendime janë “provokim”.
a.m/dita
