Vetëm një javë më parë, në Detin e Kinës së Jugut, u shmang një përplasje pasojat e të cilës vetëm mund të merren me mend.
Një kruizer amerikan raketash që drejtohet nga Flota Amerikane lëvizi me shpejtësi të madhe që të shmangte një përplasje të qëllimtë me luftanijen kineze, të vendosur për të shkaktuar provokim.
Ngjarja, të cilën media amerikane e ka mësuar vetëm përpara pak minutash, shënon një zhvillim të ri në tensionimin që po ndodh në rajonin ku Japonia dhe Kina synojnë sovranitetin e disa ishujve të pabanuar.
SHBA nuk ka interesa të drejtpërdrejta lidhur me këto ishuj, por ka një angazhim për të mbrojtur aleatët e saj në rajon, përfshi edhe Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Zv-presidenti Joe Biden vizitoi rajonin javën e kaluar dhe i kërkoi vetëpërmbajtje Kinës në trajtimin e konfliktit me Japoninë.
Anija amerikane “US Cowpens” (Kaupens) i dha disa herë sinjale me radar luftanijes kineze se po rrezikonte një përplasje mjetesh lundrimi, por pilotët kinezë duket se kanë injoruar paralajmërimin dhe kanë provokuar një incident. Kruizeri amerikan, shumë më i vogël në madhësi sesa luftanija kineze ka arritur me shkathtësi të shmangë përplasjen.
“Është e pazakontë që një anije të jetë e detyruar të ndezë të gjitha motorët për të shmangur përplasjen në det, në kohën tonë”, tha për CNN një zyrtar i Flotës Amerikane. Sinjali mjafton që anija tjetër të mos gabojë në timon. Në këtë rast luftanija kineze nuk ka ndryshuar vijë dhe pastaj kishte vazhduar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Joe Biden, i cili po përpiqet të ulë tensionin mes dy vendeve aziatike, tha se incidenti në fjalë mund të ketë qenë një aksident ose gabim në llogaritje nga ana e Kinës,
“Kinezët e dinin se çfarë po bënin”, ka thënë në mënyrë anonime, nga ana tjetër, një tjetër zyrtar i lartë ushtarak amerikan.
Nuk ka dyshim që anija amerikane ishte aty për të survejuar veprimet kineze në det, gjë që ka nervozuar komandantët e flotës kineze. Mirëpo, zyrtarët amerikanë këmbëngulin se kruizeri ka qendruar gjithë kohën në ujërat ndërkombëtare.
(Illyria)
