Sipas një lajmi të publikuar nga agjensia e lajmeve ABC, Shtetet e Bashkuara kishin bërë një marrëveshje me zyrtarë të lartë në ushtrinë venezueliane, sipas së cilës Maduro do të detyrohej të arratisej ose do të arrestohej javën e shkuar, por me sa duket diçka nuk ka shkuar sipas planit.
Administrata e Trumpit, që e ka njohur liderin opozitar Guaido si presidentin e përkohshëm të Venezuelës në Janar, e kishte bërë planin me një zyrtar të lartë vendas – thotë ABC, cituar nga Dita.
Sipas planit pas arratisjes ose arrestimit të Maduros, Guaido do merrte pushtetin dhe pas tridhjetë ditësh do mbaheshin zgjedhjet.
Gjithashtu, Asambleja Kryesore, e cila kontrollohet tërësisht nga politikanë pro-qeveri, e rrjedhimisht pro-Maduro, do shpallej e jashtëligjshme.
Bëhet me dije se ushtarakët e lartë të Venezuelës dhe Shtetet e Bashkuara kishin kaluar muaj të tërë duke planifikuar këtë, përpara se pala venezueliane të hiqte dorë nga gjithçka në momentin e fundit.
Nuk dihen arsyet se pse marrëveshja që supozohej të implementohej të martën në bazën ushtarake La Carlota në Caracas kur Guaido i bëri thirrje forcave të armatosura të hidhnin Maduron nga pushteti, u prish. Por thirrja e Guaidos nuk u mor parasysh nga komandanti ushtarak i Venezuelës, i cili i premtoi besnikëri Maduros.
Sidoqoftë një numër i konsiderueshëm i popullit venezuelian vazhdoi të protestonte në dy ditët në vijim, kur mbetën të vrarë të paktën dy veta. Katër të tjerë u qëlluan nga policia. 230 janë raportuar të plagosur dhe 205 persona janë ndaluar – shkruan Dita,
e.ll. / dita
