Shtetet e Bashkuara thonë se marrëveshja mes Presidentit të Ukrainës dhe opozitës për të ndalur krizën është “tepër, tepër e brishtë” dhe ka nevojë për mbështetje globale.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha dje se do të jetë e vështirë të bindet opozita që vazhdon qëndresën në sheshet e kryeqytetit si rezultat i dhunës dhe vrasjeve.
Presidenti Barack Obama bisedoi me telefon me Presidentin rus Vladimir Putin lidhur me zhvillimet në Ukrainë. Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se dy udhëheqësit janë dakord se nevojitet zbatimi i shpejtë i marrëveshjes dhe nxitja e palëve për të shmangur dhunën.
Sipas zyrtarit, zoti Putin pohoi se Rusia synon të jetë e përfshirë në procesin e zbatimit. Ai foli gjithashtu për nevojën për të stabilizuar ekonominë ukrainase.
