Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 13,600 njerëz kanë testuar pozitivë për koronavirusin nga mëse 7,000 një ditë më parë. Të paktën 200 kanë vdekur, një rritje dramatike krahasuar me shifrat e publikuara një ditë më parë. Sipas të dhënave, 108 janë personat e shëruar. Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.
Shteti i Nju Jorkut testoi te merkurën 8,000 njerëz për koronavirus, grupi më i madh i të ekzaminuarve deri tani në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori Andrew Cuomo tha të enjten se ka të ngjarë që ky testim masiv të çojë në një rritje të ndjeshme të rasteve me koronavirus, pasi të jenë marrë rezultatet.
Më shumë se 5,300 nga numri i përgjithshëm i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA janë në shtetin e Nju Jorkut. Numri i vërtetë mund të jetë 10 herë më i lartë se kaq, tha guvernatori.
Ekspertët amerikanë të shëndetësisë druhen se SHBA janë në një trajektore të ngjashme si Italia, vendi më i goditur në Evropë, ku qeveria raportoi një rekord prej 475 vdekjesh vetëm të mërkurën.
Shefi i emergjencave në një nga spitalet më të mëdha të Nju Jorkut, Dr. Robert Femia, thotë se njerëzit nuk duhet t’i drejtohen menjëherë dhomës së emergjencës me dyshimin e parë se mund të kenë koronavirus:
“Nuk duhet të mendojmë se nëse paraqitemi në dhomën e emergjencës do të testohemi. Ne nuk duam që njerëzit të infektojnë të tjerët, sidomos ata më të ekspozuarit”.
Ai i këshillon njerëzit që së pari të bisedojnë me mjekun me mjete telemjeksore, përmes videos, për të mos i mbingarkuar spitalet, të cilat kanë mungesa të ndjeshme pajisjesh, si respiratorë, për të përballuar koronavirusin. Disa spitale thonë se pajisjet u mjaftojnë vetëm për disa ditë në rast të një mbingarkese.
Qeveria amerikane po përgatitet për një pandemi që mund të zgjasë deri në 18 muaj ose më shumë dhe “të përfshijë disa valë përhapjeje”, tha rrjeti CNN, i cili citonte një raport të ri.
Ndërkohë, dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mario Diaz-Balart nga Florida dhe Ben McAdams i shtetit Utah janë ligjvënësit e parë që testuan pozitivisht për koronavirusin.
Mjekët janë në kontakt me ligjvënësit për të gjetur se me cilët njerëz të tjerë brenda selisë së Kongresit kanë kontaktuar ata dhe që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.
Deborah Birx, koordinatore për koronavirusin pranë Shtëpisë së Bardhë, thotë se çështja më e rëndësishme në këtë fazë është marrja e të dhënave të sakta duke kryer testime sa më të gjera.
“Mendoj se duhet të ekzaminojmë 100 për qind të rasteve … Ne po kërkojmë nga çdo spital, çdo klinikë të raportojë rezultatet e testimit”, tha Dr Birx për programin “CBS This Morning”.
Me më shumë se 9.300 vdekje në të gjithë botën, epidemia e koronavirusit e përhapur me shpejtësi të madhe ka trondituir botën dhe u ka dhënë shkas krahasimeve me periudha të tilla traumatike si Lufta e Dytë Botërore, kriza financiare e 2008-ës dhe pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918.
Qyteti i Nju Jorkut po shqyrton mundësinë për të shndërruar disa nga hotelet më të mëdhenj të tij në spitale të përkohshme për të trajtuar pacientët jo me koronavirus si dhe për liruar shtretër, tha për CNN Deanne Criswell, komisionere e Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave të qytetit.
“Nëse ne mund t’i marrim dhe transferojmë disa pacientë jo të sëmurë rëndë nëpër hotele ose objekte të tjera, kjo do të lehtësonte presionin mbi sistemet tona spitalore,” tha Criswell.
Një objekt tjetër që po shqyrtohet është Qendra Jacob Javits në Manhattan, një nga qendrat më të mëdha të kongreseve në botë, tha Criswell.
o.j/dita
