SHBA nxit Malin e Zi: Bashkohuni me Open Balkan! Duheni të gjithë, ndryshe dështon

J L

Partnerët strategjikë të Malit të Zi kanë shtuar presionin që ky shtet t’i bashkohet nismës së Ballkanit të Hapur, ku janë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ka thënë Zlatko Vujoviç, shefi i Qendrës për Monitorim dhe Kërkime, CEMI.

“Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur dëshirën që Mali i Zi të jetë pjesë e nismës, megjithëse kjo është larg interesave të Malit të Zi. Kaq vende jostabël të bëra bashkë, do ta shkatërrojnë projektin e Ballkanit të Hapur. Këto vende, thjesht nuk janë në një nivel të tillë zhvillimi që të kenë qëllime kaq ambicioze”, u shpreh Vujoviç në një intervstë për BIRN.

Shkaqet e refuzimit të Malit të Zi, sipas Vujoviç janë pasojat që do të ketë heqja e kufijve dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve dhe që siç shprehet ai mbart rreziqe që janë të vështira për t’u shpërfillur për momentin.

“Heqja e kufijve, jo vetëm do të mundësonte lëvizjen pa pengesa të mallrave dhe njerëzve, por do të hiqte pengesat edhe për drogën dhe cigaret kontrabandë. Grupet kriminale do të përfitonin nga mungesa e kufijve dhe vendet e rajonit nuk i kanë burimet e nevojshme të sigurisë për të parandaluar ose kufizuar këto fenomene”, u shpreh ai.

Shtysa që Shtetet e Bashkuara i bëjnë autoriteteve të Malit të Zi për të qenë pjesë e Ballkanit të Hapur, nëse është e vërtetë nuk është një qëndrim publik i ambasadës atje.

Gjithsesi, SHBA ka shprehur disa herë mbështetjen për bashkëpunimin rajonal, duke theksuar se nëse të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen pjesë, atëherë nisma konsiderohet e dështuar.

Nisma ka qenë përherë e hapur për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, por të tre vendet janë skeptikë për shkak të rolit të Serbisë dhe tendencës për të ndërhyrë në çështjet e brendshme. Në nëntor, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç tha se qëllimi i vendit të tij ishte integrimi në Bashkimin Europian, ndaj nuk ishte e nevojshme pjesëmarrja në Ballkanin e Hapur. Por në Dhjetor, zv.kryeministri Dritan Abazoviç deklaroi se Mali i Zi mbështet fuqishëm çdo forcim të bashkëpunimit rajonal.

“Nëse e shohim Ballkanin e Hapur si një alternativë tjetër nga Bashkimi Europian, atëherë ajo nuk na duhet, por nuk jam i sigurtë nëse kjo nismë bie ndesh me integrimin europian. Përkundrazi, çdo thellim në bashkëpunim vetëm i çon para reformat”, është shprehur Abazoviç.

Bashkimi Europian nuk ka qenë entuziast për Ballkanin e Hapur, duke e vënë theksin në angazhimet e marra gjatë Procesit të Berlinit. Por me tërheqjen e kancelares Merkel nga politika, axhenda e Procesit të Berlinit duket e harruar tashmë.

 

j.l./ dita

Share This Article
1 Comment
  • Jo or Vujovic,jo,,jane ca me te zhvilluar se Shqiperia dhe Serbia,por NUK BIEN NE KURTHIN SERB.
    Do behet Ulqini port i Serbeve,,Do behet Kotorri port i serbeve,ashtu si do behet Durresi qe i eshte dhuruar Arabeve per kurvnillek qefi ME JAHTE!!!
    Nuk ka Ballkani aq shejtan budalla si Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *