Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, mbërriti sot në Poloni. Kjo është ndalesa e tij e parë në turneun katërditor në Evropë, që përfshin edhe Belgjikën e Francën. Presidenti amerikan ka përshkruar Poloninë si një nga partnerët kryesorë të vendit të tij në botë dhe riafirmoi angazhimin e SHBA-së për sigurinë e aleatëve të saj në Evropën Qendrore dhe Lindore, përballë krizës në Ukrainë. Për më tepër, Obama bëri të ditur se i kërkoi Kongresit Amerikan që të autorizojë shumën prej1 miliardë dollarësh, që do të forcojë sigurinë e zonës, duke përfshirë vendet si Moldavia dhe Gjeorgjia. Në të njëjtën kohë, SHBA do të rrisë praninë ushtarake amerikane në zonë. Vizita dy ditore në Poloni përkon me festimet e 25 vjetorit të zgjedhjeve të para demokratike pas periudhës së komunizmit. Presidenti u prit nga kreu i shtetit polak, Bronislaw Komorowski. “Prania e trupave amerikane në Poloni është një garanci e angazhimit tonë, që është i rëndësishëm për shkak të situatës në Ukrainë”, tha Obama. Ai shtoi më tej se do të njoftojë hapa të mëtejshëm në forcimin e pranisë amerikane në rajon. “Siguria e aleatëve tanë është themeli i sigurisë sonë”, tha Obama, i cili bëri një deklaratë të shkurtër së bashku me Komorowski në hangarin, ku qëndrojnë disa avionë “F – 16”, prodhim amerikan që Polonia ka blerë së fundmi.