SHBA presion për miratimin e 7 ligjeve, Ruçi: Parlamenti është gjithmonë i hapur

Elton Tafaruci

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të enjten e kaluar, tani duhet që të miratohen edhe shtatë ligjet për institucionet e drejtësisë në mënyrë që Reforma të fillojë të funksionojë. Prej dy ditësh po përflitet për një seancë tjetër ditën e enjte ku të miratohen shtatë ligjet, megjithëse Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm kur draftet janë diskutuar.

Për këtë arsye “panorama.al” pyeti ambasadën amerikane nëse ka një kërkesë drejtuar Parlamentit që të enjten të zhvillohet seanca e radhës për Reformën në Drejtësi.

“Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi miratimin e shtatë ligjeve dhe zbatimin e plotë të Reformës nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent gjatë javëve që vijnë”, bëri të ditur zyra e ambasadës së SHBA­së në Tiranë.

Ndërkohë, Top Channel raporton se Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të Vettingut brenda muajit korrik për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga BE.

Lidhur me këtë kërkesë kreu i grupit të PD­së, Edi Paloka tha se “Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD­së nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”.

Ndërsa sipas Petrit Vasilit “Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion. Dakordësia ka qenë kjo: që 7 ligje, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës nis më 4 shtator”, thotë Vasili. Nga ana tjetër kreu i grupit të PS­së, Gramoz Ruçi thotë se Parlamenti nuk mbyllet asnjëherë. “Parlamenti është gjithmonë i pambyllur. Ai është funksional në çdo kohë”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *