Reeker flet hapur te Bugajski Hour. Vlerëson popullin shqiptar që me votën e tij bëri zgjedhje të ndershme dhe të lira duke zgjedhur rrugën e Perëndimit. “Përqendrohuni tek puna, objektivat, e jo tek debatet politike. Shqipëria ka shans për të kandiduar në BE. Mundësi e jashtëzakonshme edhe projekti TAP”.
Mirë se vini në një speciale të ‘Bugajski Hour’ nga Uashington, D.C. I ftuari ynë i veçantë për sot nga Departamenti i Shtetit i SHBA është Philip Reeker, Zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë. Me sa kuptoj, javët e fundit ju janë shtuar edhe disa pjesë të tjera të Europës. Mirësevini përsëri në program, Phil, dhe faleminderit që jeni me ne. Ka kaluar thuajse pikërisht një vit nga koha e fundit që ishim bashkë në Tiranë; ka qenë 8 shtator, nëse e mbaj mend saktë. Po filloj me pyetjen: Çfarë ka ndryshuar në Ballkanin Perëndimor që atëherë, në 12 muajt e fundit? Cilat kanë qenë anët pozitive dhe cilat ato negative?
Philip Reeker: Së pari, më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Departamentin e Shtetit të SHBA juve dhe shikuesve tuaj. Jam shumë i kënaqur që mund të bëjmë një tjetër intervistë. Më ngjan si speciale e llojit ‘kthim në shkollë’ pas pushimeve të verës teksa shohim përpara drejt vjeshtës dhe axhendës së rëndësishme diplomatike duke u fokusuar tek Ballkani, por siç thatë ju, edhe në rajonin më të gjerë europiano-qendror. Duke parë pas në vitin e fundit – në fakt, në dy vitet e fundit që e bëj këtë punë – shoh përparim të jashtëzakonshëm. Po të shohësh ç’kemi arritur vitin e fundit, çfarë kanë arritur popujt e rajonit – sheh Kroacinë që tashmë është bashkuar plotësisht me BE-në. Isha shumë i nderuar të përfaqësoja Presidentin Obama në aktivitetet me rastin e aderimit, më 30 qershor dhe 1 korrik në Zagreb, kur Kroacia u bë vendi i 28 anëtar. Kjo pasqyron një përpjekje të stërmadhe nga ana e qeverive të ndryshme nga parti të ndryshme në kohë, duke pasqyruar realisht vullnetin e popullit të Kroacisë për të bërë ndryshimet e duhura, ndryshimet shoqërore, reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE. Jemi të kënaqur ta shohim Kroacinë anëtare, çka e lidh Kroacinë jo vetëm me NATO-n, ku u anëtarësua në 2009, por edhe tani në BE, dy institucionet kyçe të familjes trans-atlantike. Mendoj se kemi parë përparim në Serbi dhe Kosovë, ku dy vendet vendosën të angazhoheshin me BE-në në një proces dialogu, drejtuar nga Kathy Ashton, për t’u marrë me çështje shumë të vështira, për t’u përballur me to dhe punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ata janë fqinjë – nuk e ndryshon dot gjeografinë, por mund të ndryshosh atmosferën; mund të ndryshosh mënyrën si jetojnë njerëzit, mundësitë që kanë dhe pastaj, e keni parë që Këshilli Europian i ka akorduar Serbisë një datë për të filluar negociatat e aderimit, duke e lëvizur edhe Serbinë në këtë drejtim. Kosova ka filluar procesin e MSA me BE-në. Dhe pastaj Shqipëria – mendoj se populli shqiptar duhet përgëzuar për zgjedhjet e zhvilluara mirë. Ka pasur një lloj devijimi nga rruga drejt reformave – vështirësi në përmbushjen e kritereve të BE-së, synimi i Shqipërisë për të marrë statusin kandidat u anashkalua nga politika e vitit zgjedhor. Mendoj se këto zgjedhje pasqyruan jo vetëm për popullin e Shqipërisë, por edhe për vëzhguesit në Europë dhe këtu në SHBA që këto ishin zgjedhje të reja, arritën një standard, arritën standardet e OSBE dhe ODIHR dhe tani fillon puna e vështirë për t’u kthyer në rrugën e BE-së. Është një rrugë e gjatë reformash. BE sëbashku me SHBA janë aty për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces. Në fakt, mendoj ia vlen të shënohet që kemi parë disa zgjedhje të mira në kohët e fundit që arritën standardet e OSBE dhe ODIHR – në Serbi sigurisht, zgjedhjet vendore në Maqedoni, Malin e Zi, dhe zgjedhjet që përmenda në Shqipëri.
Sigurisht. Më lejoni të ndalem pak tek zgjedhjet shqiptare dhe periudhën pas tyre. Supozoj se me administratën e mëparshme, një nga problemet ishte ngërçi politik në parlament, polarizimi i përhershëm për sa i përket vendimeve për politikat. Tani kemi një situatë ku koalicioni i socialistëve ka një mandate shumë të madh. A ekziston rreziku i kundërt që kjo qeveri mund të bëhet, të themi, gjysmë-autoritare, apo që ta shohë opinionin e opozitës me përçmim?
Mendoj se ajo që zgjedhësit shqiptarë zgjodhën ishte para së gjithash rruga e reformave dhe vlerave të Europës dhe perëndimit, pra zhvillimi i zgjedhjeve në mënyrë të lirë e të ndershme. Kjo është me rëndësi sepse në të kaluarën ka patur pikëpyetje për zgjedhjet në Shqipëri. Mendoj se ishte e rëndësishme që këto zgjedhje u zhvilluan në atë mënyrë. Ishte kënaqësi të shihja, madje në atë kohë komentova, qeverinë e tanishme që uroi fitimtarët në zgjedhje të vështira dhe të luftuara fort si dhe që pashë fituesit e zgjedhjeve – ata që do të marrin qeverisjen në shtator – të njihnin rolin e paraardhësve të tyre dhe të kuptuarit që duhet të punojnë sëbashku. Politika nuk është lojë ku një i merr të gjitha dhe mendoj se ky është gjithmonë problem në Ballkan. Ka një rol për opozitën dhe qeveria aktuale do të kalojë në opozitë dhe në demokraci kjo është shumë e rëndësishme. Të kujtojmë që demokracinë nuk e bëjnë zgjedhjet. Zgjedhjet në vetvete mund të jenë vetëm një katalizator, vetëm një hap drejt arritjes së gjërave, drejt qeverisjes së vendit, drejt çuarjes së vendit përpara në një axhendë pozitive; ndaj mendoj se njerëzit do të presin nga udhëheqësit, ata në qeveri dhe ata në opozitë, një përqasje konstruktive, kthimin në rrugën europiane sepse janë këto reforma që do përmirësojnë ekonominë, do të sjellin ndryshim në sundimin e ligjit, do të pasqyrojnë më mirë pozitën e Shqipërisë si një vend për investime të huaja, për stabilitet. Këto janë të gjitha perceptime të rëndësishme që duhen rivendosur dhe mendoj që kapërcimi i politikës së zgjedhjeve të vështira do të jetë i rëndësishëm dhe Shqipëria mund të mbajë parasysh që ka partnerë në BE, në SHBA, të gatshëm për të ndihmuar në këtë proces dhe duhet të ecin përpara për t’u kthyer në shinat e kandidimit për në BE.
Siç e përmendët, zhvillimi ekonomik është kyç sepse prek shumë çështje të tjera – stabilitetin social, sundimin e ligjit, mjedis të mirë për biznesin, kualifikimin për standardet e BE-së, por një prej problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria, ashtu sis humë vende në rajon, është korrupsioni i kudogjendur dhe marrëdhënia midis qeverisë dhe biznesit që hera-herës duket si zhvatje, përtej korrupsionit do ta quaja? Si duhet të fillojë të merret me këtë problem koaliconi i ri socialist?
Mendoj se para së gjithash, BE, perspektiva e BE paraqet një numër reformash, një numër synimesh që duhen arritur. Ajo iu jep vendeve një shteg të qartë, një listë të qartë gjërash që duhen arritur; nuk është e lehtë, siç do t’ju tregonte Mali i Zi, që tani është në procesin e aderimit apo çdo vend që e ka kaluar këtë proces më parë. Duhet shumë punë; duhet punë serize nga profesionistë në qeveri, nga ekspertë, dhe një prej fushave ku duhet përqendruar është sigurisht koncepti i rëndësishëm i shtetit ligjor – ku fusha e lojës është njësoj për të gjithë, ku ka respektim të konsoliduar për ndarjen e pushteteve midis legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, ku sektori privat respektohet dhe promovohet në një ekonomi të tregut të lirë. Këto janë pjesë e asaj pakete vlerash euro-atlantike që përbëjnë edhe bazën e politikës së SHBA, për të promovuar integrimin në institucionet euro-atlantike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani Shqipëria ka mundësi ta bëjë këtë; vende të tjera e kanë bërë – Kroacia sigurisht është modeli më i fundit, Mali i Zi po punon në këtë proces, duke miratuar një numër amendamentesh të rëndësishme kushtetuese për t’i çuar përpara në kapitujt e tjerë të procesit të aderimit në BE.
Pra nuk ka arsye që Shqipëria të mos jetë po aq e suksesshme sa Kroacia vitet e fundit?
Pikërisht; pikëpamja jonë është që secili prej vendeve në Ballkanin Perëndimor, siç shohim të gjithë Europën, ka mundësinë të ecë përpara, duke kuptuar vështirësitë e së shkuarës, historitë e ndërlikuara, sfidat ekonomike që të gjithë kemi hasur vitet e fundit në ngadalësimin global ekonomik, dhe duhet të punojmë sëbashku për ta kapërcyer atë. Besojmë që ndjekja e rrugës që ka përcaktuar BE është në fakt rruga më e mirë për të miratuar reformat që janë më të rëndësishme për çdo ekonomi dhe mendoj që kjo rrugë i jep Shqipërisë një mundësi për ta bërë këtë.
Sigurisht, një ndër problemet në çdo zgjedhje janë premtimet që iu bëhen votuesve. E di që të dyja palët konkuronin se cila do të krijonte më shumë vende pune. Më duket se socialistët ofruan 300,000 dhe fituan. Mendoni që këto pritshmëri të larta mund të çojnë në një lloj reagimi publik nëse nuk ndodh?
Të gjitha zgjedhjet krijojnë pritshmëri. Përshtypja ime është që popujt e Ballkanit kanë mjaft skepticizëm ciladoqoftë situata. Në fakt, mesazhi këtu mendoj se është që secili duhet të kuptojë, çdo qytetar të kuptojë se ka përgjegjësi për të kontribuar për ecjen përpara të vendit. Qeveritë nuk e bëjnë dot vetëm. Quhet udhëheqësi – mund të udhëheqin, por ka nevojë për pjesëmarrje, ka nevojë për rolin e një opozite, debati serioz, ekspertize dhe pikërisht këtë kemi ofruar ne dhe partnerët tanë europianë. Mund të ofrojmë ekspertizë, mund të ofrojmë disa burime, mund të ofrojmë përvojat tona, por puna duhet bërë nga popujt në vendet përkatëse për të sjellë ndryshimin, për të kuptuar se ç’duhet të kontribuojnë për të ndihmuar që i gjithë vendi të ecë përpara në këtë rrugë.
Tani me shpresë, pas zgjedhjesh relativisht të pastra, Shqipëria do të ecë përpara drejt statusit kandidat dhe të gjithë procesit ku tani është angazhuar Serbia. Përmendët Kosovën në procesin e nisjes së bisedimeve dhe MSA-së. Shikoni problem përpara – janë ende pesë vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet. Mendoni se do ndryshojë kjo? Mendoni që kjo do të ndikojë përparimin e saj drejt anëtarësimit?
Sigurisht pikëpamja jonë është që Kosova është një vend i pavarur, sovran, me kufij të përcaktuar dhe që ka punuar fort për të ecur përpara si në perspektivën europiane por edhe në procesin e rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë. Mendoj se ka qenë me rëndësi kritike. Përsëris, duhen përgëzuar udhëheqësit si në Beograd edhe në Prishtinë, si dhe Katherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, për punën e shkëlqyer që ajo dhe ekipi i saj kanë bërë dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë. Sekretarja e Shtetit e bëri këtë shumë të qartë kur ajo udhëtoi vjeshtën e shkuar me Kathy Ashton në rajon për të ritheksuar mbështetjen tonë për perspektivën europiane, për axhendën trans-atlantike të të gjithë rajonit dhe kjo përpjekje do të vazhdojë. Më 19 prill u arrit një marrëveshje themelore në Bruksel. Mendoj se ka sjellë një ndryshim themelor në perceptimin e rajonit dhe njerëzit e pasqyrojnë këtë; megjithatë, është zbatimi që është absolutisht kyç – kjo përfshin ecjen përpara me zgjedhjet e rëndësishme vendore …
Në nëntor, më duket?
3 nëntor. Mendoj se do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë njerëzit e rajonit sepse është mundësia e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Këta janë njerëzit që do t’i përfaqësojnë ato institucione që janë ngarkuar të qeverisin, të bëjnë më të mirë, më të begatë, më të sigurt jetën e tyre dhe kjo është ajo që popujt në rajon duan gjithnjë e më shumë.
Pas kësaj, cilat mendoni do të ishin hapat e tjerë – meqenëse po flasim për Kosovën dhe Serbinë – në marredhënien mes tyre?
Mendoj se më i rëndësishmi është zbatimi i asaj për të cilën është rënë dakord. Arritja e marrëveshjeve nuk është e lehtë; zbatimi i marrëveshjeve të arritura është një proces edhe më i ndërlikuar. Kërkon punë reale në terren dhe këto janë gjëra të vështira. Është e lehtë për ne të ulemi e të shohim nga larg duke thënë, “Ja, u bënë!” Por duhet vërtet zbatim në terren dhe mendoj kjo është diçka që ne dhe BE do të vazhdojmë të mbështesim, edhe Serbinë edhe Kosovën në këtë proces. Dhe, përsëris që kjo kërkon që të gjithë qytetarët të luajnë rolin e tyre aktiv për të mbështetur ecjen përpara sepse duhet parë e përgjithshmja: Cilat janë gjërat vërtet me rëndësi? Çfarë do t’i përmirësojë jetët e njerëzve, do t’i bëjë ato më të sigurta, do ta bëjë rajonin më të qëndrueshëm dhe do t’u japë një mundësi për më shumë begati dhe ne besojmë që kyçe këtu është infrastruktura euro-atlantike. Nuk i zgjidh të gjitha problemet dhe nuk i zgjidh në çast, por është mënyra më e mirë për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme dhe të begatë për cilindo …
Vazhdon të mbetet rruga më e mirë megjithë sfidat …
Mjafton vetëm të shohësh Europën Perëndimore; shihni, siç folëm vitin e kaluar, se çfarë është arritur prej Luftës së Dytë Botërore. Ka ende vështirësi; do të ketë gjithmonë sfida – jeta është gjithmonë një listë sfidash – por është e qartë që mund të kapërcehen dhe tani kemi arritur nivele begatie dhe stabiliteti në Europë që njerëzit i kujtonin të paimagjinueshme.
Pjesa tjetër e gjëagjëzës, le të themi – ju përmendët marrëdhënien trans-atlantike, bashkësinë trans-atlantike – ësthë sigurisht NATO. Si e shihni Samitin tjetër të NATO-s në 2014? Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton, pas Samitit të Çikagos, tha se ‘ky do jetë samiti i fundit pa zgjerim,’ çka nënkupton që samiti i ardhshëm do të lëshojë disa ftesa. Cilat vende mendoni do marrin ftesa? Do mendoja Mali i Zi, ndoshta edhe Maqedonia?
E gjitha ka të bëjë me përmbushjen e kritereve. Folëm për BE-në dhe reformat e nevojshme për të arritur statusin kandidat, për të kaluar procesin e aderimit, dhe siç kemi parë këtë vit kur Kroacia u bë anëtare e plotë. Është e njëjta gjë me NATO-n, kuptohet një paketë kriteresh të tjera për një tjetër lloj organizate. Dera e NATO-s mbetet shumë e hapur. Kjo është rikonfirmuar nga presidenti ynë, nga udhëheqësit e të gjithë aleatëve në NATO – kuptohet, NATO që vepron si një, një aleancë që funksionon mbi konsensusin, dhe presim një samit në vitin 2014. Do të ketë shumë gjëra në axhendë, përfshi Afganistanin dhe ISAF dhe të ardhmen e kësaj; mendoj se duhet të përqendrohemi më shumë tek reformat dhe proceset se sa të merremi me data specifike. Zgjerimi nuk lidhet me samitet. Zgjerimi lidhet me arritjen e nivelit dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për aderim.
Shpesh ftesa bazohet, të paktën pjesërisht, në një vendim politik; me fjalë të tjera, një vendim strategjik nga SHBA sidomos, por edhe nga aleatët tanë, se do të ishte me rëndësi ta kishim x vend në aleancë. Këtë kanë thënë shumë vende. A do të thonit se Mali i Zi dhe Maqedonia janë në pozita të rëndësishme strategjike sa që do të duhej të ishin në aleancë dikur?
Shiko, pikëpamja jonë për vite me radhë ka qenë se do të donim t’i shihnim të gjitha vendet e rajonit që t’i bashkohen aleancës…
Sigurisht, përfshi Serbinë…
…Varet tërësisht nga Serbia. Dera është e hapur. Serbia nuk ka kërkuar status kandidat, le ta quajmë, për në NATO, por dera është e hapur. Marrëdhëniet bashkëpunuese janë me rëndësi. Mendoj se e shohim NATO-n ende shumë të përfshirë në rajon. Mendoj se kemi përfituar nga vendet e rajonit që janë bashkuar me aleancën dhe mendoj se do të përfitojmë nga të tjera vende kur të vijë koha. Ka të bëjë me përmbushjen e kërkesave dhe në radhë të parë ky është fokusi i vendim-marrësve politikë për të vazhduar punën dhe angazhimin derisa secili prej kandidatëve të ketë përmbushur kërkesat dhe që aleanca, me konsensus, të mund të lëshojë ftesën.
Sigurisht. Siç e dini, ka shumë debat mbi të ardhmen e NATO-s, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Europën Qendrore, Europën Lindore, në shtetet balltike sidomos. Si do ta përshkruanit aleancën, pas Afganistanit, për shembull? A është aleancë më e dobët, a është më e fortë? A është më me përvojë? Si do t’i karakterizonit ndryshimet që kemi parë tek NATO në vitet e fundit?
Mendoj se NATO e ka provuar veten se është aleanca më e suksesshme ushtarake në gjithë historinë. Ka mbijetuar dhe i është përshtatur nevojave dhe sfidave të një bote në ndryshim të përhershëm. Dhe e kemi parë fokusimin tek partneritetet, nëpërmjet punës që është bërë nëpërmjet ISAF në Afganistan dhe mendoj se kjo ka qenë veçanërisht me vlerë për disa prej anëtarëve të rinj të aleancës, ku në jetën reale, duke punuar si partnerë, sup më sup, është pasqyruar në zhvillimin e aftësive ushtarake, dhe aspekteve të tjera të angazhimit politik të NATO-s. Prandaj mendoj se vazhdojmë të vendosim kaq shumë vëmendje tek NATO dhe të punojmë me aleatët tanë për të diskutuar se si NATO duhet të zhvillohet dhe përshtatete me këtë botë në ndryshim; mendoj se e ka bërë mirë këtë punë, dhe kjo përfshin mbajtjen e derës hapur, marrjen e anëtarëve të rinj, kur këta janë gati, për t’u përshtatur që të jetë një aleancë për kohën tonë.
Një nga vendet qe sigurisht ka bërë kërkesë për anëtarësim dhe që është kualifikuar gjerësisht nëpërmjet procesit të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) është Maqedonia, por, megjithë këtë, ka ngecur në vend për shkak të çështjes së emrit, ky dikutim i zgjatur të themi kështu, për çështjen e emrit dhe të tjera çështje me Athinën. Ju përmendët në një moment, mendoj tani afër, se ju prisnit rifillim të bisedimeve në fund të verës ose në fillim të vjeshtës midis Shkupit dhe Athinës për këtë çështjen e emrit. A prisni përparim konstruktiv apo krenaria nacionalist do të mbizotërojë sërish tek të dyja palët?
Është diçka që u takon atyre. Mendoj se ajo që kam thënë është se ekziston një mundësi e mirë për të të dyja vendet që të angazhohen në proces nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, zyrat e mira të Ambasadorit Nimitz i cili ka paraqitur ide të reja bazuar tek të cilat ne shpresojmë se si Greqia ashtu dhe Maqedonia do të angazhahen në një proces për t’u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Kjo është diçka që vetëm këto vende mund ta bëjnë me njëra tjetrën. Ne nuk mund ta zgjidhim këtë problem për to, por ne do të shpresonim që ata do t’i përdorin mundësitë para tyre për të ndërtuar besim, për të bërë gjeste që mund të ndihmojnë një proces që më në fund do ta zgjidhte këtë çështje që ka vazhduar, në pikëpamjen tonë, për tepër gjatë.
Dëgjoj gjithnjë nga disa burime, pse nuk përfshihet më shumë Bashkimi Europian? Këtu kemi një anëtar të BE-së dhe një vend aspirant që mund të pengohet nga hyrja në BE për shkak të këtij vendi të caktuar anëtar. A duhet të ketë më shumë angazhim, mendoni, për shkak se kjo është brenda sferës së BE-së?
Sërish, kemi një vend që është anëtar i BE-së dhe një vend që ka treguar dhe ka punuar drejt anëtarësimit aty. SHBA-ja nuk është anëtare e BE-së. Ne inkurajojmë dhe mbështesim, si pjesë e politikës tonë, procesin e zgjerimit dhe integrimit dhe mendoj se kjo është pse ne kemi mbështetur për rreth dy dekada një proces të OKB-së drejtuar nga Ambasadori Nimitz, i cili u ofron këtyre dy vendeve një mënyrë për t’u angazhuar dhe për të ecur përpara.
Edhe një pyetje tjetër për Maqedoninë, sepse është me interes të drejtpërdrejtë jo vetëm për për Shqipërinë por edhe për komunitetin shqiptar në të gjithë Ballkanin – aty ka një popullsi të konsiderueshme shqiptare dhe ka rrezik të rritjes së tensioneve etnike, debateve etnike, veçanërisht ndërsa rruga e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së bllokohet në pafundësi. A shihni ju një rrezik të rritjes së përplasjeve etnike në Maqedoni që do të ndikonin gjithë rajonin?
I takon sigurisht qytetarëve të Maqedonisë dhe vëshguesve në rajon që të inkurajojnë Maqedoninë që të vazhdojë me përparimin e saj drejt të qënit një demokraci multietnike që reflekton, nëpërmkjet një procesi reformash, vlera demokratike, media të lira dhe të pavarura, gjyqësor të pavarur, ekonomi të lirë tregu, dhe të gjitha këto përfshihen në procesin drejt BE-së dhe në fakt edhe në procesin drejt NATO-s. Kjo është arsyeja pse ne nxisim Maqedoninë të përpiqet t’i zgjidhë disa nga problemet e saj, të ketë një dialog në vend. Gjëja më e rëndësishme në përballimin e këtyre sfidave është të ketë dialog të hapur. Kjo është ajo që ne bëjmë këtu në SHBA. Kur vjen puna tek çështjet dhe pikëpyetjet ndëretnike ka të ngjarë se nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që është më multietnik se SHBA. Këtë fundjavë këtu në Uashington ne do të festojmë 50 vjetorin e Marshimit të Uashingtonit, një pikë kthese shumë e rëndësishme në përpjekjet tona për të drejta civile. Procesi ynë për të bërë, siç thotë Kushtetuta jonë, për të krijuar një Union më perfekt, duke mos thënë kurrë se ne e kemi arritur këtë qëlim. Është një proces konstant dhe i përhershëm kompromisi, bisedimesh, të lënët mënjanë i mitologjisë dhe paragjykimeve e miteve të vjetra, për të ecur përpara, për të kuptuar se, nuk ka lojra ku njëra palë fiton gjithçka në këtë botë, veçanërisht në shekullin e 21-të, kur ne përballemi me të njëjtat çështje, ku të gjithë ne kemi të njëjtin akses në informacion, me shpejtësi, menjëherë. Mendoj se mësimi është që është më mirë të punohet bashkarisht, për të ndërtuar mbi atë që kemi dhe atë që duam të kemi dhe kjo ka qënë mendoj mësimi për të gjitha sfidat që BE-ja ka përballuar, dhe për të gjitha sfidat që SHBA ka përballuar gjatë historisë së saj. Ne vazhdojmë këtë përpjekje për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, për të ofruar mundësi më të mira për fëmijët dhe nipërit tanë.
SHBA është një shembull i jashtëzakonshëm i patriotizmit multietnik, dhe nuk shoh gjëkundi në botë një shembull të tillë të ngjashëm, sinqerisht, as në Europë, as në BE, por ndoshta ato do të…
Unë jam rritur në Australi prandaj do të sugjeroja që Australia është një tjetër shembull i shkëlqyer.
Shumë më i vogël, por… Ata kanë patur probleme të tyret, besoj se dhe ne kemi pasur tonat, në të shkuarën. Më lejoni t’ju pyes në nivelin rajonal: cilët sipas jush janë motorrët më të fuqishëm të bashkëpunimit rajonal, përveç disa traktateve dypalëshe midis shtetesh? Kemi një nismë të re në axhendën e energjisë, Gazsjellësin Trans Adriatik, TAP, për të sjellë gaz natyral azerbaixhanas nga fushat e Kaspikut për në Europë, nëpërmjet Shqipërisë, por gjithashtu nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë. Sa të rëndësishme janë këto ndërlidhje të rrjetit të energjisë dhe projekteve të tjera të ngjashme infrastrukturore në rajon?
Nuk është suprizë për asnjë nga shikuesit tanë që energjia është absolutisht kritike, veçanërisht në botën aktuale. Është jetike për ekonomitë tona, për rritjen, për jetesën në një shoqëri moderne, dhe ne kemi besuar gjithnjë, dhe politika jonë ka qënë konsistente, se diversifikimi i burimeve është me rëndësi jetike përsa i përket gjeopolitikës, por edhe politikave të shëndosha ekonomike. Pra, ne jemi shumë të kënaqur të shohim vendimin e Shah Deniz dhe ne përgëzojmë qeverinë e Azerbaixhanit dhe qeverive të përfshira për ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm. TAP ofron mundësinë për këtë diversifikim furnizimi që është kritik. Ai i ofron Shqipërisë një mundësi të jashtëzakonshme për sa i përket zhvillimit të infrastrukturës, mundësive të punësimit gjatë ndërtimit të gazsjellësit…
…dhe gazifikim…
Dhe gazifikim dhe një mundësi të vërtetë për bashkëpunim rajonal. Sërish, ju shihni në terma konkretë nevojën për bashkëpunim. Kur flisni për një gazsjellës që kapërcen kufijtë, ky është një projekt që kërkon që vendet të punojnë së bashku, dhe kështu, mundësi të llojeve të ndryshme i paraqiten Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Mendoj se kjo është diçka shumë pozitive për të cilën qeveria e tanishme e Shqipërisë, qeveria që po largohet, mund të jetë krenare si dhe mundësia që qeveria e re do të duhet të ndihmojë të udhëheqë nëpërmjet drejtuesve të saj.
Pra ju mendoni se kjo do të rrisë pozicionin rajonal të Shqipërisë, në lidhje me fqinjët e saj, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në atë diplomatike, politike e sociale?
Mendoj se është një mundësi e shkëlqyer. Do të jetë sigurisht një mundësi që do të varet nga qytetarët e Shqipërisë dhe lidershipi i saj, së bashku me partnerët e tjerë në projekt. Pra, mesazhi unë është që të kapet kjo mundësi, të përgëzojmë të gjithë ata që janë të përfshirë për ecjen përpara, besojmë, me zgjuarsi në lidhje me diversifikimin e burimeve dhe duke e parë këtë si një hap përpara drejt qëllimit për siguri ekonomike, siguri energjie. Kjo është gjë e mirë për të gjithë që janë të përfshirë
Ne dëgjojmë nga burimet se ka një tjetër lloj bashkëpunimi ndërkufitar që do të mund ta quanim pan-shqiptarizëm. Kam parë disa vëzhgime të kohëve të fundit, ose disa sondazhe të opinionit publik – nuk e di sa të sakta janë ato – se ka një farë mbështetje ose mbështetje në rritje për një bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë. A mund të na shpjegoni neve dhe shikuesve tanë cili është pozicioni amerikan mbi bashkimet e vendeve në rajon?
Ma keni bërë dhe më parë këtë pyetje, ndoshta mbi një duzinë herësh.
Është gjithnjë mirë ta dëgjojmë përsëri.
Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të cilat ne kemi njohur në rajon. Ajo ku duhet të përqendrohen ato janë gjëra vërtet praktike, të lëvizet drejt Europës dhe reformat. Në çdo kohë mund të shkosh e të gjesh njerëz që fantazojnë për ndryshim kufijsh dhe gjëra që çojnë vetëm në retorikë të panevojshme. Le të përqendrohemi në gjëra praktike e të vërteta këtu. Shqipëria ka një shans tani, me zgjedhjet që janë kaluar, për të kapur axhendën, reformat e rëndësishme të nevojshme për rrugën europiane, për t’u kthyer në rrugën e përcaktuar dhe për të punuar këtë vit dhe vitin tjetër për statusin kandidat me BE-në dhe të shpresojë pastaj që të hapë procesin e aderimit në kohën e duhur, të kryejë reformat e nevojshme, të stabilizojë dhe ndërtojë ekonominë, të tërheqë investime të huaja. Kosova ka mundësi të mëdha tani, me normalizimin me Serbinë, për të konsoliduar institucionet e reja demokratike, karakterin e saj multietnik, që është i rëndësishëm për Kosovën. Ajo ka mundësinë që t’i tregojë botës një nivel stabiliteti, një nivel pragmatizmi, gjithashtu për të tërhequr investitorë dhe tregëti, të shfrytëzojë angazhimin dhe interesin e komunitetit ndërkombëtar për të parë që ky proces të ecë përpara. Ajo që do të doja të shihja është më shumë pan-europianizëm, pan-globalizëm, që të punohet për axhendën e përbashkët. Ky është në fakt thelbi i Bashkimit Europian. Çdo vend, çdo anëtar i BE-së ka historinë e tij, krenarinë e tij, traditat e tij, dhe kjo respektohet në BE shumë, por, ata kanë mësuar rëndësinë e bashkimit rreth një numër qëllimesh të përbashkëta dhe kjo është ajo ku duhet të fokusohen, tek kufij që bashkojnë dhe jo ndajnë.
Dëgjojmë shumë për projektin e integrimit në BE. Dëgjomë së fundmi shumë edhe për probleme në BE. Ne duam ta shohim projektin e BE-së të ketë sukses, dhe jo më pak, SHBA do të donte të shihte një Europë të vendosur, të bashkuar, të begatë, të sigurtë, por rreziqet që disa shohin brenda unionit – ndarja veri-jug, presionet ekonomike në rritje, stresi ekonomik mbi Bashkimin, populizmi dhe nacionalizmi në rritje edhe në disa vende të Bashkimit Europian. A e shihni këtë si një rrezik për bashkëpunimin tuaj, bashkëpunimin e SHBA-së me BE-në?
SHBA bashkëpunojnë me BE për një gamë të gjerë çështjesh e me jo pak rëndësi do të jetë përfshirja e TTIP – Partneriteti Trans-Atlantik për Tregtinë dhe Investimet. Kjo e çon marrëdhënien tonë në një nivel krejt tjetër. Me BE jemi partnerë në një gamë të gjerë çështjesh globale. Mjafton të shohësh angazhimin e Sekretarit Kerry dhe Përfaqësueses së Lartë Ashton mbi çështjet e ditës – qoftë kjo Siria, qoftë pjesë të tjera të Lindjes së Mesme dhe pjesë të tjera të procesit të paqes atje. Ne punojmë me Europën, me institucionet në Bruksel dhe sigurisht me shtetet anëtare për çdo çështje anekënd globit sepse kemi kuptuar që kemi një fat të përbashkët. Kemi një planet që duhet ta bashkëndajmë dhe të punosh bashkë është shumë më mirë sesa të përpiqesh t’i bësh gjërat vetëm. E kemi kuptuar këtë në të gjitha përpjekjet e viteve të fundit, teksa shohim përvjetorët vitin e ardhshëm – qoftë 70-vjetori i pushtimit të Normdandisë – është rëndësia e aleancave, vlerave të përbashkëta përpjekjeve të përbashkëta që do të arrijë objektivat. Dhe sigurisht ashtu siç kemi parë gjatë shekullit apo shekujve të fundit, ka sfida me të cilat përballemi në mënyrë ciklike si sfidat ekonomike globale që kanë qenë reale dekadën e fundit. Njerëzit i kanë ndjerë këto. Njerëzit në të gjithë rajonin e Ballkanit po ndjejnë që kanë vështirësi, shpesh për të qëndruar në sipërfaqe, por edhe në vendin tonë kemi pasur të njëjtën sfidë. Shohim përmirësime të mëdha për shkak të udhëheqësisë së fortë, punës së bashku dhe, prapë mendoj që kjo është diçka që mund ta kapërcejmë më mirë sëbashku sesa veçmas. Prandaj është me aq rëndësi të ketë dialog të hapur, angazhim të përhershëm dhe, tekefundit, si diplomat, mund të them që ky është thelbi i diplomacisë. Kur vjen fjala për Ballkanin dhe punën në atë rajon, po bëhem gati për udhëtimin tim të 21të në Bruksel në dy vitet e fundit që kam shërbyer në këtë cilësi. Ky është angazhim dhe dialog i pandalur për këtë çështje në Bruksel me ato institucione, me partnerët tanë, sepse punojmë shumë ngushtë bashkë; kemi të njëjtën qasje ndaj miqve dhe partnerëve tanë në rajonin e Ballkanit dhe duam të shohim të njëjtën gjë për të gjithë ata.
Pra nuk ka rrezik që Shqipëria, kur të vijë koha që të kualifikohet për anëtarësim në BE, BE-ja të jetë një krijesë krejt tjetër, një strukturë krejt tjetër?
Mendoj që bota evoluon pa pushim. Nuk mund të thuash që kur të rritem unë, familja ime do të jetë krejt ndryshe! Kush mund ta parashikojë saktësisht se ku do jesh? Por, ti vazhdon të përqendrohesh tek axhenda e familjes, tek ajo që është më e mira për ty. Këto reforma mendoj se janë rruga më e mirë për Shqipërinë dhe kjo është ajo që nxisim Shqipërinë të bëjë, t’i kthehet axhendës europiane, të punojnë sëbashku, të ruajnë një nivel dialogu dhe retorike brenda vendit! Do ketë dallime, dallime politike, pikëpamje personale. Këto mund të diskutohen, të debatohen, por unë do të nxisja popullin shqiptar që t’i lëjë mënjanë disa nga këto; të punojnë aty ku gjejnë synimet e përbashkëta dhe të mos çorientohen, t’i drejtojnë energjinë dhe burimet jo nga debatet politike që vetëm sa shmangin nga puna reale që duhet bërë.
Pra, opozitë konstruktive por edhe qeverisje përfshirëse; të tillë që shtrin dorën dhe aplikon politikat e nevojshme?
Mendoj që kjo është vërtet përgjigja. Këtu nuk ka ‘fituesi merr gjithçka.’ Është çështje e të punuarit sëbashku. Më pëlqen ajo që thatë për ‘shtrirjen e dorës.’ Pikërisht përpiqemi të bëjmë në diplomacinë tonë ku mbajmë kontakte me të gjithë spektrin politik në të gjitha këto vende. Ambasadori ynë, Ambasadori Arvizu ka qenë jashtëzakonisht i hapur për t’u takuar dhe folur me të gjithë njerëzit dhe e ka bërë këtë që pas zgjedhjeve, për sa i përket angazhimit të tij, urimeve të përcjella në emër të Presidentit Obama dhe SHBA për zhvillimin e mirë të zgjedhjeve dhe nxitjen prej tij për ta rrokur këtë mundësi teksa qeveria e re përgatitet të marrë drejtimin në shtator dhe të ulet të punojë për njerëzit.
Nuk rezistoj dot dhe duhet t’ju pyes për lojtarë të tjerë në rajon – për shembull, Turqia. Çfarë roli shikoni për Turqinë në Europën Juglindore dhe Ballkan?
Turqia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon. Është pjesë e rajonit, kuptohet, gjeografia është barazuesja, por është edhe historia; ka lidhje e tradita kulturore dhe mendoj se Turqia gjithmonë ka luajtur një rol në rajon dhe mund të vazhdojë të luajë një rol. Unë punoj ngushtë me kolegët turq në postin që kam pasur dy vitet e fundit. Kam vizituar Ankaranë për konsultime mbi Ballkanin, për të krahasuar shënimet, pikëpamjet, se si mund të punojmë bashkë. Këtë e bëjmë në shumë vende.
Vendi tjetër – Rusia. Si e shihni rolin e Rusisë në rajon?
Po kështu, Rusia ka pasur interes historikisht në rajon. Isha në Moskë në maj për të folur me kolegët ruse. Të gjithë takohemi – kolegët turq, rusë, të BE-së e të tjerë, përfshi Kanadanë, për shembull – në Takimet e Këshillit për Zbatimin e Paqes që mbahen në Sarajevë, për të vazhduar përpjekjet për ta nxitur Bosnje-Hercegovinën që të ecë përpara në shtegun euro-atlantik. Pra, është e rëndësishme që të ketë të tilla dialogje dhe diskutime. Gjëja më e rëndësishme megjithatë është që popujt e rajonit dhe vendet individuale, duke punuar me njëri tjetrin, të ecin përpara vetë, sepse asnjë nuk do ta bëjë këtë për ata. Ky është mësimi që ne në SHBA, sigurisht që nga vetë themelimi dhe origjina jonë vendit tonë iu desh të mësonte të mbështetej tek burimet e veta, të mendonim për veten pikë së pari, të kërkonim ndihmë kur ishte e nevojshme apo e domosdoshme dhe të ofronim ndihmë, të ishim pjesë e sigurisë rajonale, për shembull, dhe tani të ecim përpara duke nxitur axhendën euro-atlantike në shekullin e 21-të, por këto punë i bëjnë vetë vendet. Çdo vend është sovran. Qytetarët e çdo vendi kanë përgjegjësi për sistemin e tyre dhe veten e tyre, për të ardhmen e vendit të tyre, për të marrë vendime, për të ushtruar presion mbi liderët e tyre që në fund të fundit punojnë për ata. Mendoj se është e rendësishme të mbahet parasysh që në demokraci, lidershipi punon për popullin dhe 100 vjet më parë, nëse shihnit këtë rajon, njerëzit ishin subjekte të perandorive të mëdha, perandorive të vjetra në shkatërrim; tani, 100 vjet më vonë, secila prej vendeve në rajon është një demokraci; udhëheqësit e tyre zgjidhen. Se sa mirë pastaj e përdorin këtë mundësi dhe institucionet e demokracisë, kjo u takon atyre. Pra, ne nuk mund të marrim vendime dhe bëjmë zgjedhje për ta. Ne mund të ndihmojmë dhe të inkurajojmë nëpërmjet burimeve, eksperiencës, nëpërmjet partneriteteve me të tjerë në komunitetin ndërkombëtar, por, në fund të fundit, i takon qytetarëve të këtyre vendeve, qytetarëve të rajonit që të bëjnë ndryshime që ata mendojnë se janë të rëndësishme.
Për t’u siguruar që qeveritë e tyre të përmbushin mandatin e tyre dhe t’i përgjigjen elektoratit. Në Shqipëri faktikisht ka pasur një numër impresionues grash të zgjedhura në parlament dhe të emëruara si ministre. Besoj se dhe kjo tregon përparim në lidhje me barazinë gjinore?
Mendoj se është shumë e rëndësishme të nxitet pjesëmarrja e grave në politikë, në udhëheqje. Mendoj se anembanë Europës, për shembull, shihen raste të forta kur pjesëmarrja e grave ka qënë diçka shumë pozitive, ku barazia gjinore është diçka shumë e rëndësishme dhe sa më shumë pjesëmarrje të ketë, aq më mirë. Gratë bëhen udhëheqëse të shkëlqyera.
Ndonjëherë edhe më të mira…
Mendoj se është e rëndësishme që shoqëritë të shohin pikat e tyre të forta dhe të gjejnë forcë në diversitetin e tyre dhe elementi i parë i diversitetit, sigurisht, është midis dy sekseve, midis dy gjinive. Por, pastaj edhe tek etnicitetet, besimet – diversiteti është diçka pozitive dhe mund të sjellë forcë sepse mund të shfrytëzosh çdo individ, historinë unike të çdo qytetari, të cilat pastaj kur i bashkon mund vërtet të krijojnë forcë. /AS

SI DO TA vleresonte ky zotni faktin nese ne te kaluaren nje qeveri e SHBA do te kishte konfiskuar rokefeleret,apo dyponet,dhe sot mund te pergjigjet ky zotni se rokefeleret apo te tjere si ta te kerkojne te rimarin ato cfare me pa te drejte qeverite e mepareshme i u moren atyre(I konfiskuan) bile me force????ZOTNI ju keni interesat tuaja ne shqiperi dhe ju nuk duhet te jeni indiferente dhe ta kaloni pa u ndalur fare problemin e rikthimit te pronave.ju nuk duhet tee ndertoni kapitalizmin me njerezit e listes suaj