Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikonfirmoi të mërkurën në Kiev, mbështetjen e Uashingtonit ndaj Ukrainës, mes shqetësimeve të vazhdueshme për një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse.
Zoti Blinken tha në një intervistë për gazetaren e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Rusisë të bëjë zgjedhjen mes “diplomacisë dhe dialogut” nga njëra anë dhe “konfliktit dhe pasojave” nga ana tjetër.
“Do të ketë pasoja masive për Rusinë, nëse ajo ndërmerr përsëri agresion kundër Ukrainës. Ne kemi thënë gjithashtu se masat që po shqyrtojmë, shkojnë përtej hapave që kemi ndërmarrë në të kaluarën, përfshirë edhe vitin 2014. Nuk do t’i detajoj këtu hapat që ndërmarrim, por unë mund t’ju them se pasojat do të jenë të rënda”, tha ai.
Megjithatë në intervistën që e dha gjatë një vizite në Kiev për të shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës, zoti Blinken tha se preferenca do të ishte zgjidhja paqësore.
“Preferenca është të shohim nëse mund t’i zgjidhim dallimet, shqetësimet përmes diplomacisë”, tha ai.
Më herët në një konferencë për shtyp në Kiev me homologun e tij Dmytro Kuleba, zoti Blinken tha se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës është “i palëkundur”.
“Ne vazhdojmë të konsolidojmë aftësitë e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur dhe të bëjmë të qartë koston që SHBA dhe Evropa do të imponojnë ndaj Moskës nëse ajo kundërshton rrugën diplomatike që ne propozojmë”, tha ai.
Gjatë një takimi me presidentin ukrainas Voldymyr Zelenskyy, ai përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj “integritetit territorial” të vendit tij.
“Kërcënimi ndaj Ukrainës është i paprecedentë. Kështu që presidenti (Joe Biden) më kërkoi të nënvizoja edhe një herë angazhimin tonë ndaj integritetit territorial të Ukrainës, ndaj sovranitetit të saj, ndaj pavarësisë së saj.”
Zoti Zelenskiy falënderoi zotin Blinken për rritjen e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën.
“Kjo ndihmë jo vetëm që demonstron mbështetjen ndaj planeve tona strategjike për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e NATO-s, por çka është më e rëndësishmja ajo forcon ushtrinë tonë dhe rrit burimet e ushtrisë sonë.”
Pas vizitës në Kiev, Sekretari Blinken do të udhëtojë në Berlin për bisedime me aleatët përpara se të shkojë në Gjenevë për të takuar Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pasi negociatat javën e kaluar nuk dhanë rezultat.
a.m/dita
