Një gjyqtar i Gjykatë së Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërroi jetë një ditë më parë. Antonin Scalia, 79 vjeç, ishte një prej 9 gjyqtarëve të kësaj gjykate. Vdekja e tij ka rikthyer debatin për pasardhësin.
Presidenti Barack Obama tha se do të bënte zëvendësimin e tij, por, kandidatët republikanë për president të SHBA-së kanë kërkuar shtyrjen e këtij procesi deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Gjykatësi Scalia ishte në pesëshen e gjykatësve konservatorë, ndërsa katër të tjerët janë liberalë. Scalia është emëruar për herë të parë në gjykatën më të lartë të SHBA-së më 1986 nga presidenti Ronald Reagan.
I lindur në vitin 1936 në Trenton të Nju Xhërsit, gjyqtari Scalia ka qenë italiano-amerikani i parë që ka shërbyer në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Gjatë karrierës së tij 30-vjeçare, Scalia ka qenë kundërshtar i zëshëm i abortit dhe i të drejtave të homoseksualëve, duke shkruar shpesh opinione të ashpra kundërshtuese.
Në shumicën e rasteve, ai ka mbështetur interesat e biznesit dhe ka qenë mbështetës i fortë i dënimit me vdekje. Presidenti aktual Barack Obama e “konsideroi atë një mendimtar të jashtëzakonshëm juridik”.
Kandidatët republikanë për president, Ted Cruz dhe Marco Rubio, kanë insistuar se Obama duhet të përmbahet nga nominimi. Udhëheqësi i Senatit, republikani Mitch McConnell, ka thënë po ashtu se nominimi duhet të bëhet nga presidenti i ardhshëm.
Por, senatori demokrat, Harry Reid, ka thënë se do të ishte “precedent në historinë e kohëve të fundit” që Gjykata Supreme të kalojë një vit me një post bosh dhe i ka bërë thirrje presidentit Obama që të dërgojë në Senat nominimin.
Zëvendësimi i Scalias do të ishte emërimi i tretë i presidentit Obama në gjykatën 9-anëtarëshe. Ai ka emëruar liberalet Sonia Sotomayor më 2009 dhe Elena Kagan më 2010. Të dyja ato janë miratuar relativisht lehtë nga Senati.
