Raportet e SHBA-së thonë se Moska i ka kërkuar Pekinit armë dhe ndihmë financiare pas pushtimit të Ukrainës. Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se Kina mund të minojë përpjekjet perëndimore për të ndihmuar Ukrainën, sipas burimeve të CNN.
Ambasada e Kinës në Uashington thotë se nuk mund t’i konfirmojë këto raporte, duke shtuar se mbështet të gjitha përpjekjet drejt një zgjidhjeje paqësore të kësja krize.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se Kina do të përballet me pasoja nëse ndihmon Moskën t’i shmanget sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
“Ne po i komunikojmë drejtpërdrejt, privatisht Pekinit, se do të ketë pasoja për përpjekjet për shmangie të sanksioneve në shkallë të gjerë ose mbështetjen ndaj Rusisë”, ka thënë ai për CNN.
Kina i është përgjigjur deklaratave të SHBA-së. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze akuzoi Uashingtonin për dezinformacion dhe se po ndikon negativisht në rolin e Kinës.
Zëdhënësi këmbënguli se Kina nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe thirrjes për negociata.
j.l./ dita
