SHBA: Zgjedhjet ishin sipas standardeve ndërkombëtare

redaktor

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, nxorën fituese Partinë Demokratike të kryeministrit aktual Hashim Thaçi, e cila me këtë mori mandatin e tretë qeverisës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Partia Demokratike ka fituar afro 31 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 26 për qind, lëvizja Vetëvendosje me 13.5 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.5 për qind dhe Nisma për Kosovën me mbi 5 për qind. Sipas rezultateve paraprake, Aleanca Kosova e Re që ishte partnere në qeverinë Thaçi, nuk e ka arritur pragun prej pesë për qind të votave, që është kusht për të fituar mandate në parlament.

Partia Demokratike shpalli në mesnatë fitoren e saj në këto zgjedhje në të cilat morën pjesë rreth 43 për qind e afro një milion e 800 mijë qytetarëve me të drejtë vote, një pjesëmarrje e ultë në krahasim me pritjet dhe e cila sipas vëzhguesve pasqyron pakënaqësitë me gjendjen aktuale në vend.

Zoti Thaçi tha se do të ndjekë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Por, vullneti i qytetarëve nuk i ka siguruar mandate të mjaftueshme Partisë Demokratike të cilën e pret tani një periudhë debatesh për përbërjen e qeverisë së re në të cilën duhet të përfshihen edhe parti të tjera. Gjatë fushatës para zgjedhjeve Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje ishin shprehur prerazi kundër cdo mundësie për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike e cila duket se duhet t’u drejtohet partive si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me partitë e pakicave.

Ndërkohë ambasada amerikane në Prishtinë vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë ishin në masë të madhe të besueshme dhe në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare.

Në një deklaratë për mediat, ambasada shprehet e inkurajuar me zgjedhjet e djeshme.

“Presim bashkëpunim me qeverinë e re në çështjet kyçe të cilat do të ndihmojnë në avancimin e aspiratave euro-atlantike të Kosovës”, thuhet në deklaratë në të cilën vlerësohet puna e të gjithë mekanizmave që janë përkujdesur për procesin e zgjedhjeve.

“Duke ndërtuar mbi suksesin e votimit të vitit të kaluar, zgjedhjet e djeshme edhe më tej vërtetuan se Kosova është plotësisht e aftë që të mbajë zgjedhje korrekte dhe transparente të cilat përmbushin standardet ndërkombëtare. Mbesim të inkurajuar nga përpjekjet individuale për t’i shprehur të drejtat e tyre demokratike qoftë duke votuar për herë të parë apo duke e siguruar besueshmërinë e procesit. Fuqia e Kosovës qëndron në pjesëmarrjen dhe integrimin e plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës për të arritur një të ardhme më të begatë”, thuhet ne deklaratë./VOA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *