“Kam ngarkuar SHKB-në të hetojë dhe për përgjegjësitë që kanë policët në ngjarjen e Elbasanit”.
Është ky sqarimi që dha sot ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i pyetur në komisionin e Sigurisë për akuzat e opozitës se policia tentoi të fshehë arrestimin e Orest Sotës, 25 vjeçarit që u kap me patentat e Tahirit dhe 863 mijë euro.
Xhafaj tha se çështja është referuar menjëherë në prokurori dhe është regjistruar sipas rregullave.
“Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato e ka bërë të qartë publikisht rolin e policisë dhe kryerjen e detyrave nga policia në këtë çështje. Policia ka bërë detyrën konform ligjit. Nisur nga shqetësimet e trajtuara, unë kam ngarkuar SHKB-në të hetojë dhe për përgjegjësitë që kanë policët në këtë rast”, tha ministri Xhafaj.
Pak ditë më parë, u arrestua nga policia, 25-vjeçari Orest Sota. Në momentin e arrestimit, Sotës iu gjetën në kroskotin e makinës, 863 mijë euro dhe dy patenta, të ish-ministrit Tahiri.
