Shfuqizohen dy nenet e shumëpërfolura për emërimin e drejtuesve të shërbimeve dhe departamenteve në Universitetin e Mjekësisë. Pas debateve të lindura ndërmjet stafeve akademike të universitetit, atyre të shërbimeve mjekësore dhe përfaqësuesve të vetë mazhorancës, Komisioni i Arsimit dhe Medies ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet që pasqyrohen në projektligjin për arsimin e lartë për Universitetin e Mjekësisë, ku janë shfuqizuar dy nenet që ndryshonin mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve nëpërmjet emërimeve. Në këto kushte, përzgjedhja e drejtuesve të shërbimit, ashtu edhe atyre të departamenteve do realizohet me konkurs, sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara. Ndërsa mandati i tyre nuk do të preket derisa të bëhen zgjedhjet e ardhshme në fillim të 2015-ës.
E vetmja risi e ndryshimeve të miratuara dje është rikthimi i departamenteve në Universitetin e Mjekësisë, të cilat nuk funksionin më që prej 2010-s. Edhe pse ishte një projektligj i përkohshëm, deri në miratimin e ligjit të ri për Arsimin e Lartë, propozimet e bëra mbi emërimin e drejtuesve ngjallën debate të shumta, edhe mes radhëve të mazhorancës, ku LSI pati kundërshtime në lidhje me heqjen e konkurseve. Megjithatë një ndër pikat që vijon ende të zgjojë debat sa i takon këtij universiteti mbetet mësimdhënia, si dhe pikëpyetjet e shumta të ngritura mbi të. ‘Është shumë mirë që një propozim i jep koncept departamenteve, që të konsolidohet edhe koncepti i shërbimeve. Kemi një arritje që duhet përshëndetur, sesi këto kritere dhe të mënyrës sesi do të konkurrojnë më tej përgjegjësit e shërbimeve dhe momentin kur ata do të rinovojnë mandatet e tyre, përcaktohet në një nivel më të lartë siç është qeveria. Rëndësi ka që kemi pas mekanizma dhe ka pas garë, e cila do të vazhdojë të ruhet.
Dhe ne përfitojmë nga e gjithë nisma një gjë shumë të shëndetshme, kemi departamentet, kemi një stad më të lartë propozimi të gjithë kritereve nga qeveria i rrit autoritetin, por dhe seriozitetin procesit. Në total konservojmë gjithçka të mirë që kemi deri më sot dhe i hapim rrugën përfundimisht një gare”, ka deklaruar deputeti i LSI-së, Petrit Vasili. Duke u ndalur tek rikthimi i departamenteve, relatorja e mazhorancës në komision, Mimoza Hafizi tha se është propozuar që shefat e shërbimeve nuk duhet të jenë njëherësh edhe shefa departamentesh. “Ky projektligj që propozohet në bazën e vet ka krijimin e departamentit. Departament në Fakultetin e Mjekësisë që do të jetë njësoj si të gjitha departamentet e tjera në të gjitha universitetet e tjera shqiptare. Një strukturë e re mësimore, shkencore me një autoritet drejtues, i cili do të zgjidhet me procedurat demokratike. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm që do të vërë në shinat e duhura mësimdhënien, kërkimin shkencor, formimin e doktorantëve të ardhshëm”, ka shtuar Hafizi.
Procesi i rikthimit të departamenteve është mirëpritur dhe nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë deklaruar se janë të nevojshme por vetëm nëse do të fuqizohet statusi i shefave të shërbimeve dhe këta të fundit, mos të jenë njëkohësisht edhe në krye të departamenteve. Sipas Myqerem Tafajt, universitetit dhe sistemit të shëndetësisë në Shqipëri i duhet një njësi shërbimi shumë e fortë që të marrë rolin e liderit për shërbimet e njëjta homologe për shërbimet në spitalet rajonale. Ngritja e Universitetit Mjekësor gjatë vitit të shkuar është shoqëruar me debate dhe probleme të shumta, veçanërisht mbi njohjen e diplomave të lëshuara, çka ka bërë që në jo pak herë studentët të dalin në protesta për mosnjohjen e tyre, si dhe vonesave në marrjen e tyre. Studentët nëpërmjet protestave kanë kërkuar rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë nënë varësinë e Universitetit të Tiranës, sikundër ka qenë edhe para 2013, kërkesë e cila duket se nuk do të aprovohet.
Akuzat për diplomat e doktoraturës
Një tjetër diskutim i lindur në Komisionin e Edukimit është edhe cilësia e diplomave të lëshuara në ciklin tretë të studimeve universitare, doktoraturës, për të cilat thuhet se ka pasur abuzime të shumta. Konkretisht, përfaqësuesit e mazhorancës në komision, kanë kërkuar që Ministria e Arsimit dhe Sportit të nisë auditimin për diplomat e doktoraturave në Universitetin e Mjekësisë, pasi dyshohet se një numër i konsiderueshëm i tyre sipas deputetëve të mazhorancës janë të falsifikuara.
