Shefit Mesiti, atdhetari i zjarrtë i Gramshit

J L

Hysen Tabaku

 

Kur doli nё qarkullim libri “Qëndresa” i përgatitur nga Dr. Arqile Veshi, i cili bёnё fjalë pёr qëndresën heroike të tё burgosurve, internuarve dhe ekzekutuarve shqiptarë nga pushtuesit nazi-fashist, u interesova, e gjeta, e lexova dhe nga Gramshi ishin emrat e 17-tё burgosurve, ndërsa emrin e njё tё burgosuri dhe tё internuari nё kёto kampe tё fashizmit, aty nuk e gjeta. Për fat të keq, emri i tij është mbuluar nga pluhuri i harresës që ka hedhur koha. Ne i kemi këta heronj, të cilët janë monumente tё gjalla tё sakrificёs njerëzore, qё na përcjellin mesazhe qëndrese qё nga koha e lavdishme e LANҪ-it. Janë shpirtrat e paepur tё kёtij vendi, por ne i neglizhojmë, i harrojmë dhe i varrosim nё pluhurin e historisë.

Ky patriot ёshtё Shefit Shahin Mesiti, nga fshati Shëmrizë e rrethit të Gramshit, për të cilin gjykoj se një shkrim nё shenjё mirënjohjeje dhe respekti për këtë atdhetar, është pak. Gjithsesi, në këtë shkrim për të, po përpiqem të laj sadopak një borxh që ia kemi prej kohësh…

Shefit Shahin Mesiti ishte një atdhetar i rrallë, i cili eci nëpër dallgët e jetës njerëzore që në njohjen e parë dhe derisa qe gjallë, është prezantuar kurdoherëme fjalët “Jam nga Gramshi”. Kur e takova pёr herё tё fundit, ai kishte hyrë në vitin e parë të dekadës së tetë të jetës, por si gjithnjë ecte shtruar, pa e përkulur fare trupin, ndërsa në logjikë e në kujtesë ishte si në moshën e rinisë. Me të miqësohesh shpejt që në njohjen e parë, dhe të mbetej një mik i pazëvendësueshëm. Fliste pak e kur duhej, dëgjonte shumë dhe i përpinte fjalët e bashkëbiseduesve, fliste shtruar e ëmbël, ishte burrë i fortë fizikisht, fisnik, i zgjuar, buzëqeshur, njeri me humor dhe hokatar. Shefit Mesiti ishte një antizogist dhe aktivist e mbështetës i rrallë i LANÇ-it.

Ai lindi mё 20 korrik 1904 nё fshatin Shëmrizë tё rrethit Gramsh nga njё familje e varfёr patriote e atdhetare dhe u nda nga jeta nё 4 shkurt tё vitit 1990 nё qytetin e Cёrrikut. Shefiti me motrёn e tij, Shezёn, mbetën jetim pa nёnё, nё moshё tё mitur. Pёr rritjen e tyre u mor hallë Tana, motra e babait, e cila ishte e martuar me Beshir Rodhen nga fshati Ulovё i rrethit Gramsh. Megjithëse ishte familje e varfër, Tana i rriti kёta dy fëmijëtë vëllait tё saj me mundime e sakrifica tё mёdha, si fëmijët e vet. Ajo ishte një grua fisnike, burrërore, punëtore, e qeshur, e dashur, e palodhur në punë brenda e jashtë shtëpisë, e shkathët dhe me guxim. Për dy fëmijët jetim, Tana u bë një nënë e vërtetë, prandaj dhe ata nuk e thirrën kurrë hallë, por nënë. Babai i Shefitit, Shahini u martua me njё grua tjetër dhe bëri dy fëmijë, njё djalë, Neimin dhe njё vajzё.

Me kalimin e viteve, Shefiti i rritur e i kalitur nё varfёri e skamje, me sakrificat e vёshtirёsitë e jetёs, u burrërua para kohe, ku spikatën e u pasqyruan virtytet e tij burrёrore, si: zgjuarsia, trimëria, iniciativa, dashuria, respekti pёr shokët, miqtë dhe bashkëfshatarët e tij, etj. Ishin kёto cilёsi e virtyte, qё ndikuan tek fshatarët e Shëmrizës, të cilët Shefitin qysh nё moshё tё re, e zgjodhën kryeplak tё fshatit. Nё vitin1924, ai bashkë me patriotët e tjerё tё Sulovёs mori pjesё nё revolucionin demokratiko-borgjez tё Qershorit tё udhёhequr nga Fan S. Noli. Ai ishte njё antizogist i vendosur. Kishte lidhje me patriotët sulovarë, tomorricarë dhe deri me Riza Cerovёn. Shefiti bënte pjesё nё grupin antizogist tё Sulovёs tё drejtuar nga sekretari i Komunёs Tunjё, Shaban Zereci nga Opari i Korҫёs.

Pushtimin fashist tё vendit mё 7 prill 1939 e priti me urrejtje tё madhe. Ishin kёto arsyet qё aty nga data 27 Nёntor 1940, Shefiti, si kryeplak, nuk zbatoi urdhrat e komandës italiane pёr tё grumbulluar kafshët e ngarkesës pёr t’i vёnё nё dispozicion tё ushtrisё italiane. Komanda italiane dёrgoi njё skuadёr me ushtarë nё Shëmrizë pёr tё marrë kafshët dhe për të arrestuar kryeplakun (Shefit Mesitin). Skuadra me ushtarët italianë ia behu tek shtëpia e tij, dy hynë brenda dhe filluan tё kontrollonin duke i kthyer plaçkat e shtëpisë përmbys,deshën të vinin dorë edhe mbi gruan e tij. Shefiti doli nga dhoma tjetër me armën tё mbushur dhe qëlloi e vrau rreshterin, ndërsa njё ushtar e plagosi. Ushtarët e tjerë u larguan në panik. Ai i ndoqi nga pas, por kur u hodh nga qoshku i shtëpisë iu thye qyta e pushkës. Kështu u detyrua të ndalej. Ai kishte tre vjet martesë dhe para se të largohej i thatё shoqes që tё shkonte tek prindërit e saj dhe tё mos e priste, se “jeta ime nuk dihet, a do tё dalëgjallë mё nga burgu i Italisё apo jo”. U fsheh nё pyll nё njё kasolle barinjsh. Pёr kёtё ngjarje fashistët italian arrestuan dy fqinjt e tij, Livan Ajazin dhe Qamil Brahimasin. Pas dy javёsh Shefiti u spiunua tek fashistët italianë, tё cilёt e zunё nё gjumë dhe e mbyllën nё burgun e Elbasanit. Gjykata ushtarake e dënoi me 21 vjet burg. Pas dënimit tё Shefitit, tё parin Livan Ajazin, pasi e torturuan dhe i shkulën mustaqet, fashistët e liruan nga burgu sepse ishte i moshuar, ndёrsa Qamil Brahimasin e mbajtën nё burg derisa babai i tij, Myslim Brahimasi, pagoi njё shumё tё konsiderueshme parash.

Nё burg, Shefiti përjetoi një kohë të vështirë dhe të mundimshme. Ai kishte humbur jo vetёm lirinë e tij, por iu shkatërrua familja, humbi ҫdo gjё, u nda shoqja e tij të jetёs, qё duheshin e shkonin aq shumё me njëri-tjetrin. Pavarësisht nga kjo gjendje e rëndë, ai nuk e uli kurrë kokën, por qëndroi krenar dhe i pa nënshtruar ndaj çdo torture apo provokimi që i bëhej në burgë.

Njё ditë prej ditësh, njё i burgosur, ish-tregtar nga zona Darsia e Peqini (emri i tё cilit fatkeqësisht nuk më kujtohet), që i bёnin përshtypje qëndrimi burrëror dhe i vetmuar i Shefitit, e thirri dhe pyeti:

–           Pёrse je dёnuar, mor djalë?

–           Qëllova mbi ushtarёt italianë, njё e vrava dhe tjetrin e plagosa, – iu përgjigj ai.

–           Po pёrse rri kёshtu i vetmuar dhe i menduar? – kishte ngulmuar tregtari peqinas.

–           Kam lёnё shtëpinë dhe atё pak mall vetёm, nё mes katёr rrugёve, – i kishte thënë Shefiti.

–           Po ҫ’njerëz ke lёnё nё shtёpi?- e pyeti  përsëri bashkëvuajtësi.

–           Asnjë njeri, edhe gruas meqë nuk kishim fëmijë, i thashë qё tё shkonte tek njerëzit e saj e të mos mё priste, – vazhdoi përgjigjen ai.

–           Po këtu në burg, a tё kanë ardhur njerëzit e familjes pёr tё takuar? – kishte vazhduar                       tregtari.

–           Të thashë që nuk kam asnjë njeri, – kishte dashur ta mbyllte bisedën Shefiti.

–           A di tё bёsh kafe?, – kishte vazhduar tregtari.

–           Po, di, – ishte përgjigjur Shefiti.

Tregtari nga Peqini kishte nxjerrë 5 napolona flori nga xhepi dhe pasi kishte thirrur gardianin e burgut, i thotë: “Do t’mё blesh njё komplet filxhan kafeje, xhezve, lugё, njё okë kafe, njё okë sheqer dhe qymyr”. Kur xhandari solli porosinë, tregtari nga Peqini, tё gjitha kёto ia dha Shefit Mesitit duke i thënë: “Do të bësh kafe dhe do tua shpërndash tё burgosurve me çmimin qё kishte kafeja jashtë, ndёrsa lekёt për këtë mall do të m’i kthesh mё vonë, kur t’i bёsh”. Shefiti, me ndihmёn e këtij njeriu me ndjenja njerëzore, filloi ta marrë veten, madje, më tregonte ai “unё vura ca para dhe me ato, më vonë, erdha me frymë i gjallё nё Shqipëri”. Nё kёtё kohё pozita e pushtuesve po lёkundej ҫdo ditё e mё shumё. LANÇ-i kishte marrë përpjesëtime tё mёdha, nё burgje kishin shpërthyer revolta dhe ishte prishur rendi, si nё: Tiranё, Shkodёr, Gjirokastёr, Berat, Elbasan, Korҫё, Burrel etj.

Ai duke shpërndarë kafe, u lidh me ishtё burgosurit komunistë e patriotë, tё cilёt nё bashkëpunim me njësitin gueril tё Elbasanit organizuan hapjen e burgut dhe arratisjen e tyre. Pёr fatin e keq, nё kohёn qё po dilnin, spiuni qё ishte brenda bërtiti dhe gardianët hapën zjarr mbi tё burgosurit, të cilët po dilnin nga burgu. Vrasin dy prej tyre dhe dy tё tjerë i plagosin, ndërsa Shefiti shpëtoi, pasi plumbi i preku vetëm pak lëkurën e kokёs. Gardianёt arritën ta kapin atё dhe disa nga shokёt e tij. Pёr kёtё dёnohet sërish edhe me 7. 5 vjet tё tjera, duke iu bёrё gjithsej 28 vjet e 6 muaj.

Pёr shpërthimin e revoltës dhe hapjen e burgut nё Elbasan, Gjeneral Brigade Komandant epror G. Pagrili njofton:

-Rreth orёs 2 tё datёs 20 shkurt tё vitit 1942, nё Elbasan, njё pjesё e madhe nga tё 125 tё burgosurit (civil), pasi mundёn tё hapnin dyert e fjetinave, dolёn nё oborr dhe tentuan tё arratiseshin. Tё burgosurit u frenuan me ndërhyrjen e shpejtë tё personelit tё rojës, i pёrbёrё prej ushtarёve tё Regjimentit XIV tё Artilerisё. Mbetёn tё vrarё dy tё burgosur dhe dy u plagosën.

Kёshtu, jeta e tij vijoi burgjeve dhe internimeve në kampet fashiste.

Nga fundi i marsit tё vitit 1942, Shefitin e internojnë nga Elbasani në Itali, nё burgun e sigurisё sё lartё nё ishullin Elbas nё detin Tiren. Ishin rreth 50 antifashistë e patriotë shqiptarë, tё cilёt Italia fashiste i kishte mbledhur nga vise tё ndryshme tё vendit duke i konsideruar si njerëzit mё tё rrezikshëm, qё ishin burgosur pёr tentativё tё organizimit tё rezistencës kombëtare. Këtu Shefiti provoi e “shijoi” nё tёrё qenien e tij tё gjitha llojet e torturave, qё përdorte bisha fashiste. Ai tregonte jo me pak dhimbje: ”Ditët iknin, ashtu si javët, muajt, vitet. Iknin pa u ndier, ndërsa dhimbja nga vuajtjet na përvëlonte shpirtin dhe po na sfiliste, po na gërryente tё gjithë, si ndryshku qё gërryen hekurin. Por ne qëndronim me kokën lart dhe pa u përkulur…”.

Me kapitullimin e Italisë fashiste nё shtator 1943 dhe hyrjes sё forcave aleate(amerikane) nё jug tё Italisё, nё nёntor tё po kёtij viti u hapën burgjet italiane dhe u liruan tё burgosurit, përfshi kёtu edhe Shefit Shahin Mesitin. Që ditën e parë të lirisë vendosi të kthehet në atdhe. Situata e luftёs dhe mungesa e transportit bёnё qё Shefiti ta marrë këtë rrugëtim nё kёmbё pёr muaj tё tёrё, pothuaj zbathur, nё atё dimёr tё ftohtё e tё acartë, nё shi e borё, gjysmë i zhveshur, ku ngrёnё e ku pa ngrёnё, duke fjetur mё shumё jashtë. Ai udhёtoi nga ana e Kroacisё, në Sёrbi, Kosovё dhe më 17 mars 1944 arriti nё shtëpi. Pra, pas 4 vjet burgimi, internimi dhe vuajtjeje në Itali, Shefit Mesiti kthehet në atdhe me mallin prush për të. Kur u kthye nё vendlindje, realisht i gëzoi pa masë tё afërmit, tё cilёt e dinin tё vdekur, por nё tё vёrtetё ai solli me vete edhe imazhin e njё kufome tё gjallё, qё me gjithё rrobat qё mbante veshur, peshonte jo më shumë se 35-40 kg. Kjo pra ishte jeta e ashpёr e burgjeve fashiste, por trimi i Shёmrizёs dhe i Sulovёs mbeti deri nё fund tё jetёs besnik i idealeve tё tij atdhetare.

Me ardhjen nё vendlindje ai u pёrfshi me lёvizjen NAҪL tё zonёs sё Sulovёs. Nё prill tё vitit 1944, Shefiti zgjidhet kryetar i kёshillit NAҪL tё fshatit Shёmrizё, detyrё tё cilёn e kreu deri nё vitin 1956, kur filloi punё nё Uzinёn e Naftёs në Cёrrik duke u stabilizuar këtu edhe me shtёpi. Pushtimi i trojeve tona dhe mohimi i lirisë për popullin tonë liridashës e paqedashës në harkun kohor, 7 prill 1939-29 nëntor 1944 nga pushtuesit fashistë italianë e, më vonë, nga nazistët gjermanë, i shkaktoi këtij burri shumë e shumë plagë në trupin e tij të lodhur, por ai kurrë nuk u qa dhe nuk u ankua. Përkundrazi, ishte krenar dhe mjaft modest për gjithçka kishte bërë. Kishte një ndjenjë urrejtjeje dhe neverie të madhe për njerëzit që u shitën gjatë luftës dhe i shërbyen pushtuesve.

“Tё kallëzosh ёshtё njё poshtërsi e madhe. Nuk ka akt mё tё poshtёr se spiunimi, mё shumё se tradhёtia, nuk ka veprim mё tё lig se pabesia” – më thoshte dikur në një bisedë. “A ka gjё mё tё urryer se tё lёpish kёmbёt e atij qё tё ka zaptuar vendin dhe t’i shesёsh pushtuesit patriotin tёnd, tё vrasёsh tёt vёlla, vetëm sepse ai urrente dhe luftonte fashizmin?! Këta spiunë, duke bashkëpunuar me fashistët italianë dhe mё vonë me nazistët gjermanë, harruan faktin se ishin shqiptarë dhe u bënë aleatë me kriminelët, morёn dhe degdisёn nё kampet fashiste njerёz tё pafajshëm e patriotë, duke lёnё jetim shumё fёmijё, shumё nёna pa djem, shumё gra pa burra dhe shumё familje tё shkatërruara e nё varfëri tё plotё”. Kështu shprehej Shefit Mesiti e mua edhe sot më vjen e freskët fytyra e tij e vrarë nga jeta, por që s’e kishte humbur aspak vitalitetin që i buronte aq dukshëm nga sytë. Jeta dhe veprimtaria e këtij antifashisti ishte pa qibër, e artë, e panjollë, dinjitoze e kurdoherë e sakrificës. Ai do të mbetet gjallë si një figurë me vlera për t’u krenuar brezat që vijnë, si një njeri që punoi e luftoi aq shumë për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë, duke e çliruar atë nga pushtuesi dhe duke e ruajtur nga copëtimi shovinist i fqinjëve.

Njerëzit e mirё e me tradita atdhetare si Shefit Mesini, nuk do ta harrohen, por do tё vlerësohen përkrah figurave të tjera të ndritura të zonës sonë.

Ishte punëtor dhe i respektueshëm. Shefit Mesiti ishte punëtor i palodhur dhe shumё i respektueshëm nga shokët dhe drejtuesit e uzinës. Ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i kohёs me medalje dhe urdhra pёr pjesëmarrjen nё LANҪ dhe nё punё. Pas daljes nё pension, Shefiti militoi nё radhёt e Organizatёs sё Veteranёve tё LANҪ-it nё qytetin e Cërrikut, ku dha kontributin e tij nё propagandimin tek tё rinjtё tё vlerave dhe idealeve tё Luftёs Nacionalçlirimtare. Ai gjatë viteve qё punonte e jetonte nё Cërrik, shpesh vinte në vendlindje, çmallej, takohej me banorët… “Ngado që shkoj, kudo që të jem, gjithmonë mendja më shkon në vendlindje, atje ku më ka rënë koka, ku kam pirë qumështin e ngrohtë nga gjiri i nënës, ku jam tundur në djep, më kanë ngrohur rrezet e para të diellit, ku jam ngritur në këmbë dhe kam ecur, ku kam kaluar fëmijërinë dhe rininë time, vend nga i cili kam plot kujtime dhe ndjehem shumë krenar”- thoshte shpesh ai. Këto kujtime për të’, ishin mbresa që s’mbaronin kurrë, qё e përtërinin, e freskonin dhe e gjallëronin sikur të ishte i ri. Kujtimet për Shёmrizёn, Sulovёn dhe Gramshin ai kurrë s’i harroi, pasi ato ishin ngulitur thellë në zemrën e tij.

Por të flasësh për Shefit Mesinin pa kujtuar e nderuar Refijen, gruan e tij të shtrenjtë, do të ishte një gabim apo një harresë e pafalshme. Siç e thamë më lart, pas arrestimit dhe burgosjes së Shefitit nga fashistët italianë, ajo me porosi të vet Shefitit, shkoi tek prindërit e saj nё fshatin Duzhё. Ishte shumë e re dhe pa fëmijë. Ajo ishte vajza e Dane Latifit, qё gjithë jetën e tij ёshtё shquar pёr ndershmëri, bujari, mikpritje, punё dhe atdhetarizëm. Kur kthimi gjallë i Shefitit po vihej në pikëpyetje, asaj i propozuan pёr martesё, por ajo u pёrgjigj: “Unё do tё pres Shefitin. Po nuk u kthye nuk do tё martohem mё kurrë sa tё jemё gjallё, fati im ishte ai dhe vetёm ai”. Ajo veshi pantallona dhe iu pёrvesh punёs si burrat. Asaj i shkon shumë pёr shtat proverbi arab: “Bukuria e fytyrës qëndron në bukurinë e karakterit”. Refija ishte një grua fisnike, besnike, e dashur dhe mikpritëse, e cila nuk pranoi tё martohej me tjetёr njeri, megjithëse nuk dihej a do tё kthehej mё i shoqi nga burgjet e Italisё. Ajo priti disa vite rresht, derisa Shefiti u kthye nga internimi dhe u ribashkua me të. Bashkë lindёn, rritёn dhe edukuan 8 fёmijё, 4 djem e 4 vajza, duke kultivuar tek ata virtytet dhe cilësitë mё tё mira qё ka trashëguar shqiptari. Djali i madh i tyre, Skёnder Mesiti, mbasi mbaroi shkollën ushtarake “Skёnderbej” shkëlqyeshёm, vazhdoi Shkollёn e Aviacionit pёr pilot nё qytetin e Vlorёs, të cilën e mbaroi me rezultate tё larta dhe u diplomua. Më pas ai u bë pilot i Klasit tё Parё pёr avionat reaktiv, komandant skuadrilje dhe instruktor fluturimi nё Shkollёn e Lartë të Aviacionit në Vlorё. Duke nderuar patriotët, nderojmë veten tonë. Shumë prej tyre kanë ikur nga kjo botë, por kanë lënë emër dhe shumë kujtime të paharruara. Prandaj këta njerëz të mirë, të fortë dhe shumë të respektuar, kujtohen dhe do tё kujtohen gjithmonë. Po kështu edhe Shefit Shahin Mesiti, atdhetar i zjarrtë dhe bir i denjë i fshatit Shёmrizё të rrethit të Gramshit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *